14:44 / E mërkurë, 28 Qershor 2017

Dikur Tahirovski, Tahiroviç..., sot Tahiri !

Dikur Tahirovski, Tahiroviç..., sot Tahiri !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Dikur i mbanim mbiemrat Tair, Tahiroviç, Tahirovski, Tahirov. Fajet i kishin ofiqarët e dehur, që i hanin e i shtonin germat, thotë argjendari shkupian Naser Tahiri. Të parët e familjes së Shaqir Jakës janë nga Shkodra, të vendosur te Molla e Kuqe pastaj në Prelez të Muhaxherëve e prej këtu në Shkup. Paraardhësit e familjes së Avni Sumës, me origjinë nga Hani Elezit, s'e kishin larg Shkupin.

------------------------

Daja Gëzim (Rrecaj) nga Mitrovica më thërret në viber. Më thotë: Priti "makedoncat" në Kaçanik, të marrin dhe vini te unë për iftar.
Përskaj magjistralit në Kaçanik, afër gjimnazit "Skënderbeu" takohem me shkupianët Naser Tahirin (1963), Shaqir Jakën (1962) e Avni Sumën (1975), i pari argjendar, i dyti taksist, tjetri padron i një restoranti. Vazhdojmë rrugën drejt Kushtovës, që gjendet në periferi të Mitrovicës. Këtu janë restorantet e njohura të peshqve. Shakiri ia shkel gasin "Golfit". Me të arritur në fshatin Prelez i Muhaxherëve, ai tërheq vëmendjen: Ky asht fshati jem... Familja ime para 60 vjetësh u shpërngul në Shkup. Më tej rrëfen: Të parët tanë ishin nga Shkodra... Prej këtu janë vendos te Molla e Kuqe. E pas vitit 1878 - janë shpërngul në Prelez të Muhaxherëve.

Familje me mbiemrin Jakaj ka edhe në anën e Gjakovës, shprehet ai.
Mbiemri yt Jakaj më thotë të jeni katolik, i them në shaka Shaqes. "Daja Gim, mos hyn manatanë se dalim ashtu siç po thue ti", tha ai.
Të parët tanë janë nga Hani i Elezit, shtoi Avni Suma, militanti i BDI-së së Ali Ahmetit.
Avniu ka sens humori. Ua lëshonte nga një grusht miza Naserit e Shaqes, por këta nuk hidhëroheshin...


Dostat e mirë s'mbajnë inat...

Ti mban emrin e presidentit të Egjiptit, Naserit, i them Naser Tahirit.
Po, po, e vërtetë asht. E mbaj emnin e Gamal Abdel Naserit. Unë s'kam faj, baba ma ka ngjit këtë emen, thotë argjendari që mban firmën "Perla".
Bashkëbiseduesit u futën në politikë. E përmendnin kryeministrin e ri të Maqedonisë Zoran Zaevin, zëvendëskryeministrin Hazbi Likën (me origjinë nga Shtraza e Kaçanikut)... Edi Ramën, Lulzim Bashën. S'i harruan ata të Kosovës, Ramush Haradinajn, Albin Kurtin...
Flisnin për procesin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.
Politika naj hëngër shpirtin, lëreni politikën, flisni për jetën tuaj, u them "makedoncave".
Zigzaget e jetës së Naser Tahirit janë interesante. Familja e tij i përjetoi shumë regjime, regjimin e Llazar Kolishevskit, Kiro Gligorovit... Qatipët e këtyre regjimeve ua bastarduan mbiemrin Tahiri. Në librat e gjendjes civile i regjistruan: Tair, Tahiroviç, Tahirovski, Tahirov... Kjo metamorfozë ndodhi para e pas demonstratave të '81-shit në Kosovë.
Ofiqarëve maqedonas palla su hangër për mbiemrin tonë, i hanin e i shtonin germat. Nuk e bënë këtë vetëm ndaj familjes sonë, por edhe ndaj shumë familjeve të tjera shqiptare, thotë Naseri.

Pse i bastardonin mbiemrat ?
Qy pse ? Çka mund të prisje nga ofiqarët e dehur, shovinistë, rrogtarët e regjimeve, reagoi Naseri, myslimani i devotshëm që i falë pesë vaktet. Ai përmendi fjalën "perlë", unë ndërhyj: Sa vjet shkollë i ke të kryer ?
- Vetëm shkollën e mesme ?
Ti e flet bukur gjuhën shqipe, dallon nga "toçakët" e Shkupit.
Kur e përmenda fjalën "toçak" e vuri buzën në gaz, më tha: "T'marrë vesh unë ty".
Naserit që mbante këmishën me kutia i ra zhetoni. "Unë kam lexue shumë libra, romane deri sa qëndrova 14 muaj në burgun e Tiranës, burg ky i ndërtuar më 1928, në kohën e mbretit Ahmet Zogut...", tha ai.

Përse ishe në burg ?
Për punë të këqija, rodhi përgjigja e tij.
Babai im Murtezi (1927) ishte nga Tërpeza e Vitisë, ndërsa nëna Rufadija (1935) është bijë e Poneshit, fshat afër Gjilanit. Fati e deshi që nuk u shpërngulën për në Turqi, ndonëse i kishim "visikat"... Jemi 8 fëmijë, katër motra e katër vëllezër. Një vëlla punon në Zvicër, është milioner. Unë i kam 3 fëmijë, dy vajza e një djalë, vajzat kanë mbaruar fakultetin...

Ti i paske kushtuar rëndësi shkollimit të vajzave ?
I kam kushtuar rëndësi, hej... S'kam dashur që vajzat e mia nesër të thonë:"Babën e kana pas budallë, s'na ka shkollue, na ka lënë pa shkollë...". Për mua primare është kombi, pastaj vjen feja... Ata që e qesin fejën në plan të parë për mua janë shqipfolës, tha ai.
Naseri banon në lagjen Çair. Familja e gjerë e thërrasin Naser Cakiqi (sipas mahallës së Cakiqëve në Tërpezë), shoqëria e thërret - Naser Rroçka, ndërsa ata që i dhanë mësim, mësimdhënësit - Naser Çeqeni...

Lexo të tjera