19:09 / E shtune, 10 Dhjetor 2016

‘Doing business’ dhe shakaja e lejeve elektronike!

‘Doing business’ dhe shakaja e lejeve elektronike!

Klima e të bërit biznes në Shqipëri ka një përmirësim, sipas raportit të Bankës Botërore. Kaprata shkruan se ky është lajm i mirë, por në sektorin e ndërtimit punët nuk janë përmirësuar, përkundrazi. Qeveria Rama pezulloi ndërtimet, duke sjellë probleme.

Më së fundi një lajm i mirë për Shqipërinë e biznesit. Raporti ‘Doing Business 2017’ i Bankës Botërore e rendit në vend të 58 në rankimin që ky raport i bën 189 vendeve të botës. Ekspertiza e Bankës Botërore merr në shqyrtim dhe vlerëson 10 tregues, të cilët lidhen me kostot e proceseve rregullatore dhe me kuadrin ligjor e institucional, me të cilat ndeshet një biznes përgjatë aktivitetit të tij. Ky raport është shumë i rëndësishëm sepse shumë investitorë ndërkombëtarë orientohen në vendimmarrjet për shtrirje të aktiviteteve të tyre ekonomike në vende të reja, pikërisht nga këta tregues. Dhe veçanërisht për një vend si Shqipëria, që strategjikisht e kërkon prosperitetin ekonomik te investimet e huaja, kjo renditje është një gjë shumë pozitive. Për më tepër, kur vlerësimet e fundit nuk kanë qenë pozitive, për të kulmuar me vitin 2016 ku Shqipëria pësoi një rënie prej 35 vendesh dhe u pozicionua në vend të 97-t nga vendi i 62-t ku ishte një vit më parë.

Raporti që botohet në disa gjuhë të botës është i aksesueshëm për çdo njëri të interesuar. Ai iu shërben jo vetëm qeverive dhe sipërmarrjeve ndërkombëtare por edhe kërkuesve shkencorë e këshilltarëve politikë, të cilët e studiojnë për të këshilluar përmirësime të aspekteve të ndryshme ligjore apo praktikave administrative. Në fakt, në një dimension shumë modest këtë do bëjmë edhe në këtë shkrim të opinionit. Ajo që me lehtësi mund të dallohet në raportet e tetë viteve të fundit (respektivisht, për vitet 2008-2016, renditja ka rezultuar në vendet: 89; 82; 77; 82; 82; 108; 62; 90 dhe këtë vit në vend të 58-të), por edhe më parë, është se katalizatori më i madh në lëvizjet e shpeshta të Shqipërisë në tabelën e rankimit të këtij raporti, është treguesi i lejeve të ndërtimit. Nëse në treguesit e tjerë vlerësimi ka qenë i njëtrajtshëm me një trend të lehtë rritës, çështja e lejeve të ndërtimit ka ndikuar përgjithësisht për luhatje të forta në rankimin e vendit.

Pyetja e parë (strategjike) që të shkon në mëndje, si reagim ndaj këtij konstatimi, është: çfarë ka ndodhur me sektorin e ndërtimit në këtë dekadë që ka ndikuar kaq shumë?! Dhe përgjigjja është vetëm një: qeveria shqiptare 2005-2013 ka tentuar të ndërtojë një sistem modern rregullator, i cili nga njëra anë synonte të lehtësojë procedurat dhe kostot e pajisjes me një leje ndërtimi për investitorët në fusha të ndryshme ekonomike, dhe nga ana tjetër të pengojë dëmtimin e mjedisit nga zhvillime (ndërtime) të paqëndrueshme. Ulje-ngritjet e procesit të hartimit të këtij sistemi, kulmuar me dështimin e plotë të kësaj tentative në 2013, duket se kanë përcaktuar pozicionimin në raportet e Bankës Botërore. Më tej, paqartësia, panjohuria dhe megalomania e qeverisjes 2013 e në vijim pamundësuan ndërtimin e një sistemi kaq shumë të domosdoshëm për Shqipërinë por edhe për një vlerësim pozitiv të saj në raportet e përvitshme të Bankës Botërore.

Pyetja e dytë (praktike) që gjithashtu të shkon në mëndje, është: çfarë ndodhi këto tri vitet e fundit që Shqipëria në raportin 2016, në aspektin e lejeve të ndërtimit zbriti 67 vende nga viti i mëparshëm, kurse në raportin e 2017 u ngrit 80 vende nga një vit më parë? Mos vallë u implementua një sistemi rregullator? Çka do ishte një gjë shumë e mirë sepse do siguronte që kjo rritje të ishte e vazhdueshme dhe pa kthim. Fatkeqësisht jo! Këto rezultate i siguruan lëvizje politike dhe aspak profesionale të qeverisë. Së pari, me një vendim politik (me legjitimitet të diskutueshëm) Kryeministri shqiptar bllokoi për një vit të gjithë aktivitetin administrativ të lejedhënies ndërtimore. Dhe ky veprim u reflektua në një rënie prej 67 vendesh. Një vit më vonë, pa asnjë evoluim real, i njëjti Kryeministër vendosi që lejedhënia të kryhej vetëm për 60 ditë dhe me procedura elektronike, dhe kjo siguroi që Shqipëria të njihte një rritje prej 80 vendesh.

Me një fjalë, e vlerësuar realisht nga treguesi i lejeve të ndërtimit ka dy mundësi praktike! Ose investitorët potencialë do sorollaten rreth 386 ditë për një leje ndërtimi (sikurse ka qenë standardi burokratik e korruptiv i mëparshëm); ose do ju jepet leja për 60 ditë dhe askush nuk do mbajë përgjegjësi për dëmet që ndërtimet e paplanifikuara do krijojnë në mjedis (sikurse ishte standardi joburokratik i ndërtimtarisë pa leje)! Thënë më thjesht, me gjithë vlerësimin në rritje të ‘Doing Business 2017’, asgjë nuk ka ndryshuar në realitetin praktik të ndërtimtarisë. I njëjti vullnet i “Epërm” që përcaktoi 60 ditë për lejet elektronike, mund të kishte përcaktuar që ndërtimet nuk kanë nevojë fare për leje në Republikën e Shqipërisë. E kështu të zinim vendin e parë në botë, ndërsa na mungon një set i gjerë e i shumëllojshëm rregullimesh e planifikimesh territoriale që do na siguronin qëndrueshmërinë ekonomike, mjedisore e sociale të zhvillimeve potenciale.

Lexo të tjera