19:31 / E hënë, 31 Korrik 2017

Evropa dhe Turqia: dashuri e zorit?!

Evropa dhe Turqia: dashuri e zorit?!

Fillimi i zhvendosjes së rritjeve të theksuara ekonomike nga perëndimi në lindje ka prodhuar rezultatet e para në ekonomitë e Bashkimit Evropian (BE) dhe jo vetëm. Përderisa strukturat e BE-së pothuajse po vend-numërojnë, kontinenti evropian është duke u përballur me një krizë ekonomike si rezultat i rritjeve të dobëta ekonomike dhe projeksioneve të zymta demografike. 

Në anën tjetër, Turqia - edhe pse e përballur me vështirësi ekonomike në 4 apo 5 vitet e fundit - po vazhdon me rritjen e saj ekonomike dhe po rivlerëson pozicionin e saj gjeopolitik në udhëkryqin e Evropës, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Ekonomia dhe popullsia e Turqisëpo rriten dhe ky vend pritet të ketë një popullsi më të madhe se çdo fuqi evropiane deri në vitin 2025, ndërkohë që në vitin 2050 pritet të jetë fuqi e pakontestueshme rajonale.

Aktualisht, Turqia dhe BE janë duke kaluar nëpër transformime të rëndësishme rajonale. Me thyerjet nga brenda të Evropës (Bre-xit dhe –xitat tjerë të mundshëm?!!) dhe Turqinë në rritje, mund të pritet një ri-dimensionim i marrëdhënieve turko-evropiane. Për shembull, drama politike që rrethon përpjekjen e Turqisë për tu bashkuar me BE-në mund të zhduket përderisa Ankaraja i kushton më shumë vëmendje botës islame dhe tregjeve lindore, gjithnjë me qëllimin parësor të saj të ekspansionit ekonomik drejt lindjes si tregje me potencial të madh ekonomik.

Në fund të fundit, lidhjet më të thella ekonomike dhe koordinimi më i madh në të siguruarit e energjisë dhe në politikën e jashtme do të përcaktojnë marrëdhëniet zhvillimore të Turqisë me BE-në në vitet që vijnë. Për Evropën, Turqia është e rëndësishme si një treg në rritje për eksportet evropiane. Kriza ekonomike e Evropës dhe perspektiva e varfër demografike e saj po dobësojnë konsumin e brendshëm. Për tu kthyer në rritje ekonomike, Evropës i duhet të gjejë tregje të reja të eksportit dhe në plan afatëgjatë duhet të tërheqë sa më shumë emigrantë, ndërkohë që Turqia i ofron të dyja.

Shikuar në aspektin historik, marrëdhëniet e para mes Turqisë dhe Evropës pas Luftës së Dytë Botërore lidhen në vitin 1959 kur Turqia kishte aplikuar për anëtarësim në Bashkësinë e atëhershme Ekonomike Evropiane (European Economic Community –EEC-). Më konkretisht në vitin 1963 nënshkruhet Marrëveshja e Ankarës mes Bashkësive Evropiane të asaj kohe (European Communities) dhe Turqisë e cila parashihte tri faza të thellimit të bashkëpunimit: i)  krijimin e një unioni doganor Turqi-BE, ii) integrimin ekonomik dhe politikave tregtare, dhe në fund iii) anëtarësimin në BE. Deri me tani, marrëdhëniet ekonomike midis Turqisë dhe Evropës janë forcuar gjatë dekadave të fundit, veçanërisht që nga nënshkrimi i një marrëveshje doganore BE-Turqi në vitin 1996.

Aktualisht, rreth gjysma e eksporteve turke shkojnë në Evropë. Gjermania është tregu më i madh i eksportit të Turqisë dhe pesë nga dhjetë vendet më të mëdha të Turqisë të eksportit janë vendet evropiane. Lidhjet më të ngushta me Evropën i kanë lejuar vendit të prodhojë më shumë mallra me vlerë të shtuar, kjo pjesërisht edhe si rezultat iekspertizës që BE ja ofron ekonomisë turke. Një dekadë më parë, eksportet më të rëndësishme të vendit ishin tekstilet, por në vitet e fundit, eksporti i automjeteve, pjesëve të automjeteve, makinerive dhe pajisjeve elektronike (p.sh. firma BEKO) është rritur sa prodhuesit turq kanë filluar tu bëjnë konkurencë produkteve të ngjashme evropiane.

Për shkak të këtyre lidhjeve ekonomike, rënia ekonomike në Evropë do të ndikojë negativisht edhe në Turqi në plan afatshkurtër. Më shumë se gjysma e të gjithë turistëve që vizitojnë Turqinë janë evropianë. Turizmi përbën rreth 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe është i rëndësishëm për stabilitetin social turk pasi që sektori i turizmit ofron më shumë se 7 për qind të vendeve të punës. Më shumë se 70 për qind e investimeve të huaja direkte që rrjedhin në Turqi vijnë nga Evropa. Megjithatë, përkundër një perspektive afatshkurtër negative, ekonomia turke pritet të forcohet sidomos pasi popullsia e saj vazhdon të rritet dhe trendet ekonomike rajonale janë pozitive.

Ajo çfarë i afron më shumë Evropën dhe Turqinë janë nevojat e diversifikimit të përbashkët të energjisë. Burimet e energjisë të Evropës janë të kufizuara në Detin e Veriut dhe janë në rënie, duke e bërë Evropën të varur kryesisht nga burimet energjetike të Rusisë. Kjo i jep avantazh Moskës, të cilin Evropa do të donte ta reduktonte. Edhe Turqia ka një problem të ngjashëm: varësia e saj nga burimet energjetike ruse kufizon opsionet e saj të politikës së jashtme në Ballkan dhe në Azinë Qendrore si sferapotenciale të ndikimit rus. Janë pikërisht këto kombinatorika pse establishmenti politik i Turqisë mirë-mbanë raportet me Rusinë. Ndërkohë që në aspektin gjeostrategjik Turqia është partneri kryesor i SHBA-së dhe BE-së në Mesdhepasiqë në territorin e saj ka të stacionuara raketat bërthamore amerikane me qëllimin parësor të amerikanëve që Mesdheu të mos bie në asnjë mënyrë nën kontrollin rus dhe që liria e navigimit të detërave dhe oqeaneve të mos rrezikohet.

Ndërkohë që në aspektin politik Turqia është vetëdijshme që Greqia dhe Qipro do ta pengojnë me çdo kusht anëtarësimin e saj në BE. Edhe Franca me Gjermaninë dhe shtetet përkrahëse janë skeptike për anëtarësimin e Turqisë me 75 milion banorë duke u frikësuar nga një brenda-gërryerje e fuqisë së tyre. Dallimet kulturore dhe fetare gjithashtu ushqejnë frikën perëndimore për tu lidhur më tej me Turqinë; këto të fundit më shumë janë maskë e politikës së BE-së për të siguruar legjitimitetin qytetar të vendeve anëtare të saj për mos-afrim të mëtejmë me Turqinë sesa ndonjë frikë reale.

Spangoja mes Evropës dhe Turqisë mund të tendoset edhe më tej kur dihet që Turqia në vitet që vijnë planifikon të nënshkruajë Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me mbi 25 vende/asociacione të ndryshme jo-evropiane, përfshirë këtu SHBA, Kanadanë, Kinën, Indinë, Korenë Jugore, Egjiptin, Tajlandën, Vietnamin, Indonezinë, Meksikën, Japoninë, Algjerinë, MERCOSUR (MercadoComún del Sur si Zona e Tregtisë së Lirë e Amerikës Latine ndër më të mëdhatë në botë), etj. Pra, nga kjo shihet se planet ekonomike të Turqisë, përpos BE-së, janë të orientuara edhe kah tregjet e ndryshme globale duke konfirmuar kështu ekspansionizmin ekonomik turk aspekt ky që shihet me sy kritik nga ekonomitë në krizë të vendeve të BE-së, të cilat tashmë kanë arritur maksimumin e konsumit të brendshëm duke u orientuar kështu kryekëput në politika eksporti.

Fusha kritike të bashkëpunimit turko-evropian janë edhe imigracioni dhe politika e jashtme. Siç dihet rritja e hovshme ekonomike e Gjermanisë në vitet e 60-ta ishte shoqëruar me nevojën për fuqi punëtore turke, popullsi që sot llogaritet të jetë afër 6 milion e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të BE-së. Rritja e qëndrueshme demografike e Turqisë po i frikëson vendet e BE-së që të liberalizojnë vizat për qytetarët turq, sepse një ardhje masive e imigrantëve turq mund të ndryshojë strukturën sociale në BE. Gjithsesi, përkundër këtij debati të zhurmshëm mes vendeve të BE-së, imigrantët turq do të jenë të mirëseardhur sepse do të mbajnë gjallë sigurinë e sistemeve sociale në BE. Prandaj, heqja e vizave për qytetarët turq do të jetë vetëm çështje kohe.

Në rrafshin e politikës së jashtme BE, duke qenë e gërryer nga problemet e shumta të brendshme, gjithmonë e më shumë do të jetë e paaftë të ndikojë në politikat e ish-kolonive të saj në lindjen e afërt dhe të mesme. Ndërsa Turqia gjithnjë më shumë është duke u përpjekur që të sforcojë lidhjet ekonomike dhe politike me botën islame. Në aspektin e sigurisë, kjo është në interes të BE-së, sepse Turqia, duke qenë anëtare e NATO-s, është vendi musliman më pro-perëndimor në botë dhe si e tillë përpiqet të bëhet ndërmjetësi kryesor mes perëndimit dhe botës muslimane. Forcimi i Turqisë në Lindjen e Mesme në aspektin gjeostrategjik do të merr mbështetjen e vazhdueshme nga BE dhe SHBA për të balancuar fuqi tjera rajonale siç është p.sh. Irani. Ndërsa, orientimi i shkëmbimeve tregtare me vendet e lindjes do tu shkaktojë telashe ekonomive eksportuese të Evropës.

Derisa Evropa po përballet me rënie të peshës së saj politike dhe ekonomike në glob, Turqia është duke u konsoliduar si fuqi rajonale, prandaj bashkëpunimi ekzistues në çështje ekonomike do të plotësohet në vazhdimësi nga bashkëpunimi në fusha tjera për të mirëmbajtur balancin gjeopolitik në rajon si dhe për të kufizuar prezencën e akterëve të jashtëm, siç janë Arabia Saudite, Irani e Rusia. Për këtë arsye në vitet që vijnë do të shohim thellim të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Evropës në fushat e sigurisë, kjo më shumë nga zori se sa nga qejfi, sepse Turqia në sytë e botës është duke u parë si shtet që është duke rrëshqitur drejt autoritarizmit, aspekte këto të papranueshme për politikat e BE-së karshi aspirantëve për anëtarësim. Në anën tjetër, establishmenti i shtetit turk e duket të ndjehet ‘komod’ në qoftë se kërkesa e Turqisë për anëtarësim refuzohet nga BE.

Pikërisht për të adresuar shqetësimet e përbashkëta BE-ja në Strategjinë e saj Globale të qershorit 2016 përmend shprehimisht fushat e interesit strategjik me Turqinë siç janë‘luftimi i terrorizmit‘,‘politika e zgjerimit‘ si dhe ‘një Afrikë, Lindje e Mesme dhe Mediteran paqësor e prosperues‘. Sa i përket luftimit të terrorizmit Turqia është njëri nga partnerët që mund të ndajë praktikat më të mira si dhe të zhvillojë programe të përbashkëta me BE-në. Përpos luftimit të terrorizmit, siguria rajonale, çështja e refugjatëve, arsimi, energjia, transporti, etj, janë fusha ku BE dhe Turqia do të thellojnë dialogun dhe bashkëpunimin. Poashtu, modernizimi i unionit doganor mes Turqisë e BE-së si dhe liberalizimi i vizave janë fushat e bashkëpunimit të theksuara në Strategjinë Globale të BE-së. Se si dhe sa do të funksionojnë këto në praktikë do të varet shumë nga zhvillimet në BE, Turqi dhe Lindje të Mesme.

Në vitet që vijnë raportet BE-Turqi do të jenë komplekse për shumë arsye. Turqia, përkundër autoritarizmit të establishmentit politik të saj, do të ketë rritje ekonomike, do të mbajë lidhje të mira me Rusinë shkaku i energjisë, do të rrisë shkëmbimet tregtare me shtete jo-evropiane, do të mbajë balancin e fuqisë në Lindjen e Mesme karshi Rusisë dhe Iranit si interes i politikës amerikane, do të ri-dizajnojë bashkëpunimin ekonomik me BE-në me qëllim të rritjes së gamës së eksporteve turke drejt BE-së, do të shfrytëzojë krizën e refugjatëve për në BE për interesa kombëtare duke i bërë presion BE-së për liberalizimin e vizave si dhe do të tentojë të shkaktojë trazira në Ballkanin Perëndimor për përfitime politike e ekonomike, etj. Ndërkohë që BE do të mundohet të mirë-mbajë raportet me Turqinë, për arsye të sigurisë rajonale në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, shkëmbimeve tregtare, rritjes demografike të Turqisë, ndaljen/reduktimin e fluksit të refugjatëve drejt BE-së, etj.

Pikat e nxehta mes Turqisë dhe BE-së do të jenë shpërfaqjet gjithnjë e më të shpeshta të autoritarizmit të establishmentit politik turk karshi zhvillimeve politike në vend si dhe tentimeve turke për rritje të ndikimit në Ballkanin Perëndimor, Lindje të Afërt e të Mesme. Do të jenë pikërisht këto zhvillime që do të prodhojnë tensione të kohë pas kohëshme mes Turqisë dhe BE-së duke e mbajtur Turqinë larg anëtarësimit në BE. Ndërsa, aspektet ekonomike do të funksionojnë dhe do të thellohen. Pra, shikuar kompleksitetin e një sërë çështjeve me të cilat do të përballen relacionet mes BE-së dhe Turqisë, atëherë mund të arrihet te përfundimi që dashuria mes BE-së dhe Turqisë do të jetë e zorit në vitet që vijnë. 

Shkruan: Agron HOTI

Lexo të tjera