11:02 / E mërkurë, 05 Prill 2017

“Fillet e së drejtës”, për juristet e ardhshëm, libër nga Prof. Dr. Osman Ismaili

“Fillet e së drejtës”, për juristet e ardhshëm, libër nga Prof. Dr. Osman Ismaili

Nga Leutrim Tërshnjaku


“Fillet e së drejtës”, i publikuar kohë më parë nga prof. dr. Osman Ismaili, është një libër i shkëlqyer, ku profesionalisht shtjellohen në hollësi nocionet thelbsore të së drejtës së shtetit. Në librin “Fillet e së drejtës”  prezantohen të dhëna nga legjislacioni në fuqi me sqarime adekuate dhe synohet që juristet e ardhshëm dhe studiuesit të përgatitën profesionalisht me dispozitat e ligjeve përkatëse, me fillet e së drejtës, të drejtën dhe shtetin, etj.

Ky libër u dedikohet studentëve e profesionistëve që merren me shkencat juridike. Ky është botimi i pestë radhazi i ndryshuar dhe i plotësuar. Ndryshimet kanë rezultuar si nevojë e domosdoshme e përshtatjes së materijes programit studimor në universitet. Është përshtatur ana teorike me atë të legjislacionit aktual të Republikës së Kosovës.

Këshilli botues i Universitetit të Prishtinës dhe Këshilli i Fakultetit Juridik në Prishtinë e kanë lejuar botimin e këtij libri. Redaktor përgjegjës është dr. Sc.Arsim Bajrami, recensentë: prof.dr. Kurtesh Salihu, prof. Dr. Esat Stavileci (tashmë i ndjerë), redaktor gjuhësor: Sulejman Dërmaku, korrektor: Uran Ismaili. Ndihmë ka ofruar dhe dr. Sc. Jeton Shasivari nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. Libri ka 278 faqe, me parathënie e rezyme dhe është përdorur një literaturë e gjërë e autorëve vendor e ndërkombëtar dhe libri përmban shumë fusnota të sakta.

Përmbajtja e librit :Libri përmban: Fillët e së drejtës; E drejta dhe shteti; Nocioni i shtetit dhe i së drejtës; E drejta; Raporti i shtetit dhe i së drejtës me dukuritë e tjera shoqërore; Organizata shtetërore; Trajtat e shtetit; Trajta e sundimit; Trajta e regjimit politik; Demokracia formale; Trajta e rregullimit shtetëror; Trajta e pushtetit shtetëror; Teoritë lidhur me të drejtën; Shkolla historike e së drejtës; Rendi juridik; Marrëdhëniet juridike; Akti juridik; Nocioni i përgjithshëm i aktit juridik; Burimet e së drejtës; Akti i vecant juridik; Ligjshmëria; Zbatimi i së drejtës; Interpretimi i së drejtës; Sistemi i së drejtës, etj.

Autori  Osman Ismaili është Dr. sc. i shkencave juridike, që nga 1974 është i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Juridik dhe kompetent e ligjërues i lëndëve: Fillet e së Drejtës, Retorikë, Shkrimin dhe arsyetimin ligjor (programi Bachelor), Filozofinë e së Drejtës dhe Metodologjinë e së drejtës me metodologjinë hulumtuese (programi Master në Prishtinë dhe UEJL në Tetovë). 

Në UEJL Tetovë ka ligjëruar edhe lëndën: Partitë Politike bashkëkohore, etj. Prof. Dr Osman Ismaili ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore, sikurse ajo lidhur me çështjen e Statusit të Kosovës, në Prishtinë, Çikago, e Tiranë. Studimet shkencore i ka fokusuar me elementin e shtet formimit –shtetndërtimit duke filluar nga gjuha dhe trajtimi i saj në ish federatën Jugosllave deri të temat lidhur me Statusin e Kosovës. Prof. Dr. Osman Ismalili ka botuar disa libra, sikurse: Partitë Politike shqiptare në Kosovë (1989 -1998) dhe çështja e Kosovës, Prishtinë, 2001, libri universitar Fillet e së Drejtës - botimi i IV; ka përkthyer librin “Uvod u pravo” nga autori Dr.sc. R. Lukiq që është si literaturë për studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës; ka përkthyer dhe botuar librin universitar nga autori dr.sc. R. Lukiq “Metodologjia e së drejtës” 2012; më 2011 publikoi studimin: “Dinjiteti i Njeriut të sotëm”; ka publikuar studimin “Presidenti dhe politika e jashtme – shqyrtime krahasimore”, sikurse dhe studimin: “Trajtimi i komuniteteve jo shumicë”, etj.

Lexo të tjera