12:04 / E martë, 21 Shkurt 2017

Gjenerali-patologu serb le të tregojë për shqiptarët e zhdukur gjatë luftës

Gjenerali-patologu serb le të tregojë për shqiptarët e zhdukur gjatë luftës

Ditë më parë Gjeneral majori serb, Zoran Stankoviq,  përmes një deklaratë publike ka shprehur dëshirë dhe vullnet për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt  i cili po mbahet në Francë, i ndaluar sipas një fletarresti të INTERPOL-it, me kërkesë të Serbisë. Haradinaj akuzohet  nga organet ndjekëse të Serbisë për krime të luftës në Kosovë.

Para se gjykata franceze në Colmar të jep fjalën përfundimtare, u paraqit si dëshmitar vullnetar  mjeku serb. gjenerali Zoran Stankioviq, i cili ndër  të tjera tha: “Është detyra jonë të themi atë që kemi mësuar dhe gjetur gjatë autopsisë”, duke iu referuar autopsisë së trupave të serbëve të vrarë gjatë luftës.

Gjenerali- apo mjeku  Stankoviq  me datën 22.02.2002 në Radio Beograd deklaron se “Gjatë luftës së viti 1999 në Kosovë, nga shtabi  suprem i Ushtrisë Jugosllave  kamë qenë i angazhuar për pastrimin e ternit dhe mbledhjen e kufomave në Kosovë”.

Duke pasur parasysh se mjeku serb paska qenë i angazhuar në mbledhjen e kufomave në Kosovë, ai do të duhej ta thotë krejt të vërtetën edhe sa i përket viktimave dhe kufomave të mijëra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Gjatë takimeve  që kemi pasur më kryetarin e Komisionit për persona të zhdukur të  Serbisë, në emër të  Shoqatës së të zhdukurve  “Përkorë” në Podujevë, disa herë kam kërkuar që mjeku Stankoviq  ta thotë të vërtetën që e ka parë  gjet luftës në Kosovë. Të tregojë se ku janë fshehur  trupat e shqiptarëve që tani konsiderohen të zhdukur, kush ka urdhëruar bartjen e njerëzve të vdekur edhe të gjallë nëpër  varreza të Serbisë.

Patologu Stankoviq, si njeri i profesionit “humanitar” le të tregojë për varrezat ne Batajnicë. Ta tregojë të vërtetën për varrezën  Batajnica 1 ku  janë gjetur të varrosur shumë  fëmijë dhe gra shqiptarë, në mesin e tyre  edhe një fetus  8 muajsh.

Çuditërisht, kryetari i Komisionit të Serbisë për të zhdukur, si përgjigje  ndaj kërkesë  time ka deklaruar se mjeku Stankoviq  ka qenë i angazhuar në luftërat e Kroacisë dhe të Bosnjës, por jo edhe në Kosovë.

Tash shtrohet pyetja se a ishte gjenerali dhe patologu serb i angazhuar në mbledhjen e trupave në Kosovë. apo jo. Nëse po, Shoqata për Persona të Zhdukur “Përkorë” kërkon që gjenerali Stankoviq  të tregojë të vërtetën edhe për vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur shqiptarë, sepse konsiderojmë se është njeriu më përgjegjës dhe duhet të ketë njohuri për çështje e të zhdukurve. 

Mbase për kontributin e dhënë gjatë luftë në Kosovë, si shpërblim për angazhimin e tij, gjenerali-mjeku serb, pas luftës së vitit 1999, u shpërblye me postin e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë.

 Latif  Mehmeti, kryetar i Shoqatës për Persona të Zhdukur “Përkorë”, Podujevë

Lexo të tjera