23:22 / E enjte, 05 Janar 2017

Haradinaj brenda hekurave, krerët e shtetit bëjnë sehir !

Haradinaj brenda hekurave, krerët e shtetit bëjnë sehir !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Një pjesë të fajit në paraburgosjen e Ramush Haradinajt e kanë krerët e shtetit tonë, të cilët i mbyllin sytë e veshët, e lejojnë Serbinë që t'i aktivizojë "poternicat" kundër nesh. Nuk reagojnë aty ku duhet, në Bruksel, por e lejojnë dhelprën e vjetër të shkarravitet si në lloq në dëm të shtetasëve tanë.
------------------------

Gjykata e Apelit në Francë, ka mbetur të vendos, ta ekstrardojë Ramush Haradinajn në Serbi, apo ta liroj.
Deri në shqyrtimin e fletarrestit ("poternicës") të Serbisë, ai mbetet brenda hekurave.
S'është hera e parë të arrestohet Haradinaj, ai u gjend brenda grilave edhe më 17 qershor 2015 në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, në bazë të një fletarresti të Serbisë të lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006.
Dy shtetet që e kanë njohur pavarësinë tonë, Franca e Sllovenia, i mbyllin sytë, ia mbajnë anën dhelprës së vjetër, Serbisë !

E njohin Kosovën, ndërsa e lejojnë Serbinë armike të shkarravitet si në lloq. Kësaj i thonë "contradictio in adjecto" !
Francezët, si francezët, janë pedantë, i kushtojnë rëndësi anës procedurale.
Francezët kanë kujdes, nuk e vrasin drejtësinë ... E bëjnë procedurën, e lirojnë Haradinajn sa për t'i thënë pastaj: "Vive la justice" !
Ish - kryeministrin, kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn e paraburgosën në bazë të një fletarresti që daton nga viti 2004.

Franca zbaton marrëveshjen ndërshtetërore të lidhur me ish - shtetin e Jugosllavisë, trashëgimtare e së cilës është Serbia.
E di ajo (Franca) se Haradinaj ka qenë në "rëndgenin" e Gjykatës së Hagës, por e bën procedurën ex lege, sa për t'i thënë Serbisë se nuk i shmanget marrëveshjeve ndërkombëtare !
E përkëledhura e Bashkimit Europian, Serbia armike p... përpjetë, i aktivizon "poternicat" e saja çdo herë e në çdo kohë, kur t'i teket...
Bashkimi Europian hesht, e lejon Serbinë të bëjë gjuetinë kundër shqiptarëve, pavarësisht se në cilin shtet gjenden ata. E lejon ta bëjë në emër të të ashtuquajturës drejtësi.
Një pjesë të fajit në paraburgosjen e Haradinajt e kanë krerët e shtetit tonë, që bëjnë llaf e muhabet me Serbinë në Bruksel.
Lojëtarët tanë, Isa (Mustafa) e Hashimi (Thaçi) nuk ia kanë tërhequr vërejtjen Serbisë që të mos loz me "poternicat" e saja. Mbase, kjo ka mundur t'u duket si "cikërrimë", e që kështu nuk është.

Kroacia këtë problem e ka zgjidhur. "Poternicat" e Serbisë nuk vlejnë për shtetasit kroat.
Serbia i aktivizon "poternicat" e saja kundër opozitarëve tanë, jo pushtetarëve.
Një fletarrest e kanë edhe ndaj Hashim Thaçit, por këtë nuk e "prekin", ky mund të shkoj kudo në Europë e jashtë saj, pa asnjë ferrë në këmbë ?
Pse nuk e prekin Hashim Thaçin ?
Zotërinjtë e Beogardit nuk janë budallenj t'ia prishin vetës punën, ngase Hashimi (Thaçi) është ndër lojëtarët kryesor në bisedimet me ta në Bruksel...
Jo rastësisht nuk ndodhi arrestimi i Haradinajt. U prek susta që ky të arrestohet, si hakmarrje ndaj shkarkimit të ministrit në Republikën e Kosovës, Lubomir Mariqit.
Krerët tanë që bisedojnë me palën serbë në Bruksel, le ta vëjën gishtin në kokë. T'i thonë Serbisë, deri sa ti i aktivizon "poternicat" ndaj shtetasëve të Kosovës, nuk ka dialog me ju. Ky është një "conditio sine qua non", ndryshe çdo llaf e muhabet me të është një bredhje kohe.
Përse edhe ne nuk e aplikojmë reciprocitetin, t'i arrestojmë Tomislav Nikoliqin, Aleksandër Vuçiqin dhe të tjerët për gjenocidin në Kosovë.
Ai të arreston, arrestoje edhe ti.

Lexo të tjera