10:36 / E shtune, 11 Mars 2017

Iniciativa e Presidentit dhe dilemat e saj!

Iniciativa e Presidentit dhe dilemat e saj!

Si gjithnjë, për veprimet e gabuara të Thaçit çmimin e faturës e paguajnë të tjerët, siç ishte rasti i aksionit policor në veri të vendit i 25 korrikut 2011, i cili përveç humbjes së jetës së policit Enver Zymberi s'i solli gjë të mirë Kosovës! Menjëherë pas deklaratës së Thaçit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, disa portale dhe "analistë" dolën si çdoherë me spekulimet e tyre; "Ja sa trupa do t'i ketë ushtria e ardhshme e Kosovës dhe çfarë armëve do të kenë ata", thuaja t'i kenë marrë informatat nga dora e "parë" apo të jenë urdhëruara nga presidenti për një propagandë të tillë spekulative!

Andaj deklaratat e presidentit Thaçi për formimin e shpejtë të Ushtrisë së Kosovës janë demagogji e kulluar dhe mund t'i besojnë vetëm miopët politikë dhe klientela e tij e sëmurë politike. Janë pikërisht kompromiset politike të Hashim Thaçit në Bruksel që e kanë zvarritë dhe pamundësuar deri më tani formimin e Ushtrisë së Kosovës. Deklarimet e presidentit Hashim Thaçi për bërjen e ushtrisë me çdo kusht, janë deklarata të konsumit ditor, që vijnë pas goditjes që mori nga bojkoti i familjes Jashari në paradën e FSK-së për nderë të Epopesë së Jasharëve dhe jo vetëm kaq, këtë e bëri për t'i treguar muskujt para kryeministrit të vendit, të cilit ditë më parë nuk i lejojë FSK-në të parakalojë për nder të ditës së shpalljes së Pavarësisë.

Me dëshirën më të madhe presidenti Thaçi do të shkelte Kushtetutën për bërjen e ushtrisë, me qëllim të marrjes së meritave personale, por që një gjë të tillë e ka të pamundur shkaku i mosmbështetjes ndërkombëtare dhe kushtëzimeve të listës serbe në raport me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të lidhura me themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel nga krerët shtetërorë, të miratuara më pas në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vërtet janë obligime ndërkombëtare, të cilave për të mos thënë e pamundur, me këtë klasë politike është vështirë për t'u liruar nga to.

 Nuk e besoj të ketë shqiptar që nuk e përkrah dhe nuk i gëzohet formimit të Ushtrisë së Kosovës, por rrethanat politike në të cilat ndodhet vendi ngrenë disa dilema rreth nismës së presidentit! Si t'i besohet njeriut që pa asnjë kusht pranoi të hyjë në bisedime për çështje të brendshme të Kosovës me pasardhësit e Milosheviqit në Bruksel, Daçiqin e Vuçiqin! Si t'i besohet njeriut që çdo ditë pa hezituar përulet pranë varrezave serbe gjithandej Kosovës, në lapidarët e të cilave shkruan në gjuhën serbe; "Viktima të terrorit shqiptar". 

Listën Serbe dhe rrënuan në themel vlerat sublime të luftës çlirimtare, duke i lënë derën hapur Serbisë për gjahun e "shtrigave" ndaj çlirimtarëve, si ushqim të gatshëm për Gjykatën Speciale. Janë edhe disa gjëra që nuk përputhen dhe të shtyjnë të parashtrosh pyetjen, pse pikërisht në këtë moment kritik, kur pritet të votohet në kuvend Demarkacioni me Malin e Zi, të ngrihet një çështje kaq e ndjeshme, kur ende është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila Kosovën e trajton si njësi territoriale të Serbisë dhe fusnota* e bisedimeve të Brukselit që e pranon si të tillë! Hashim Thaçi është i njëjti njeri, i cili, pasi Gjykata e Hagës e shpalli të ligjshme Pavarësinë e Kosovës, menjëherë e pranoi fusnotën, është i njëjti njeri që nënshkroi në Bruksel themelimin e Asociacionit të komunave serbe dhe marrëveshjen tjetër fatkeqe për Demarkacionin me Malit e Zi, ku këtij të fundit me këtë marrëveshje i falen mbi 8 mijë hektarë tokë e Kosovës! Andaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të jenë tepër vigjilent dhe të vëmendshëm, ngase shumë lehtë projektligji për ndryshimin e misionit të FSK-së, i propozuar nga Hashim Thaçi, mund të jetë truk politik i radhës mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Kadri Veselit për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi në marrëveshje me Listën Serbe, e cila pret shpërblimin e Asociacionit në këmbim të votës për Demarkacionin, me ç'rast Kosova mund të dalë me duar bosh nga tërheqja e Listës Serbe në momentin e votimit të projektligjit për FSK-në.

 Mirëpo, para së gjithave, mund të jetë një lojë e rrezikshme dhe krejtësisht personale e Hashim Thaçit, për ngritjen e imazhit të tij, i cili prej ardhjes së tij në krye të shtetit ndihet i izoluar nga ndërkombëtarët dhe i braktisur nga qytetarët e vendit të tij.

Shkaku i keqqeverisjes së tij, Kosova mbeti e izoluar dhe pa liberalizim të vizave, pa anëtarësim në UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Mbyllja e derës nga familja Jashari dhe shumë familje të dëshmorëve të lirisë Hashim Thaçin e ka bërë të ndihet, përvese i braktisur, edhe i urryer nga qytetarët, pra një figurë e vdekur politike.

Andaj, nisma e papritur e tij për projektligjin për themelimin e ushtrisë pa marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë dhe ndryshimet kushtetuese vetëm sa i shton edhe më shumë dilemat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për rrezikun e humbjes së trefishtë për Kosovën; humbja e veriut të vendit, falja e mbi 8 mijë hektarëve tokë Malit të Zi dhe mbetja pa ushtri. Prandaj, tri këto elemente nga shumë të tjera të mëparshme e bëjnë akoma më të diskutueshme figurën kontraverse të Hashim Thaçit, i cili është duke kalëruar në "tehun e shpatës", për të ngelur në histori si George Washington-i apo Esat Pash Toptani i Kosovës.

Lexo të tjera