16:31 / E enjte, 24 Gusht 2017

Kauzë politike apo shpërlarje truri?!

Kauzë politike apo shpërlarje truri?!

Shkruan: Ganimete Musliu (Deputete)

Kur epshi për pushtet fshihet nën petkun e patriotizmit dhe parimeve, zgjedhja e mjeteve deri të arritja e qëllimit final humbë rëndësinë. Një qasje e tillë jo vetëm që është jodemokratike, por paraqet edhe rrezik serioz për të ardhmen e shoqërisë në përgjithësi. Të gjithë fanatikët  pa dallim, qofshin ata të organizuar nën petkun e një partie politike, organizate joqeveritare apo kulti religjioz, e kanë një emrues të përbashkët: synimin për rrënimin e rendit, me çdo kusht dhe me çdo mjet.

Praktika e bllokadës dhe qasja përjashtuese në politikbërjën e partive politike në Kosovë nuk është një zbulim i zhvillimeve të viti 2017, njejtë sikur që nuk është diçka e re as rotacioni i individëve nga një parti në tjetrën apo nga shoqëria civile në parti politike dhe anasjelltas. Këto praktika në vendin tonë kanë qenë prezente që nga zgjedhjet e para, kur në fund u krijua një qeveri gjithëpërfshirëse me një kryeministër të diktuar, e që në zhargonin politikë është bërë modë të quhet konsensual, e deri të dalja në sipërfaqe i emrit të Presidentës, një emër që deri atë ditë nuk e kishim dëgjaur ndonjëherë. Edhe emri për Presidenten ishte përshkruar me person "kosnensual". Konsensual! Po tingëllon më bukur apo jo? Nuk ka nevojë të radhiten detajet dhe emrat, relevante është se këto praktika nuk kanë filluar sot. E quditshme është memorja e shkurtër e opinionit publik dhe drejtimi sistematikisht i gishtit ndaj një partie, duke e cilësuar si "të pabesë" thua se politikat zhvillohen duke u besatuar apo duke premtuar "deri sa vdekja të na ndajë".

Debatet midis oponentëve politik janë pjesë përbërëse e politkibërjës. Ndodhë që debatet të eskalojnë dhe gjuha të ashpërsohet, por është një fatkeqësi në vehte kur i gjithë diskursi publik përfshihet nga akuzat, thashethemet, paragjykimet dhe linqimet. Secili që pak a shumë është i familjarizaur me proceset dhe zhvillimet në politikë e ka më së të qartë që politika nuk ka vija të kuqe. Politika është garë, konkurencë apo matje programesh, por asnjëherë nuk duhet lejuar që kjo të shëndërrohet në armiqësi. Fundja të gjithë duhet të japin llogari para popullit, në të mirën e të cilit thirrën deri në çjerrje.

Në gjithë këtë labirinth politik të pasluftës në vendin tonë është krijuar jë klasë politike, e cila më shumë përçon mesazhin e një klase politike inatçore se sa të një klase politike të arsyeshme. Ne mund të arsyetojmë disa zhvillime me të kaluarën historike, disa me periudhën e tranzicionit e disa me sfidat në arenën nëdrkombëtare në raport me shtetbërjën e Kosovës. Por, dy dekada do duhej të mjaftonin për të krijuar një stabilitet të matshëm politik dhe për këtë ne nuk kemi nevojë të zbulojmë rrotën, mjafton ti thërrasim arsyes së shëndoshë. Në këtë kontekst natyrisht duhet pranuar edhe ndikimin ndërkombëtar si fakt- njejtë sikur që është fakt se jo secili i huaj ishte me qendrim objektiv dhe pozitiv ndaj shtetit tonë- dhe se shpeshëherë u detyruam të bëjmë kompromise jo të vogla.

Të gjitha ngapak kanë ndikuar në tempon e zhvillimit të proceseve politike, ekonomike dhe shoqërore. Tani kemi hyrë në gjysmën e dytë të vitit 2017 dhe peisazhi politik në Kosovë është më i përçarë se kurrë më parë dhe me qëndrime më të ngurta se kurrë më parë. Më e keqja e gjithë këtyre zhvillimeve është ngritja e atyre të cilët nuk ngurrojnë të "shkelin mbi kufoma" për të arritur në majat e pushteit dhe kur politika nuk zgjedh mjete për të marrë pushtetin, atëherë situata kalon nga pozicioni inatçor në pozicionin që paraqet rrezik serioz për të ardhmën e një shoqërie.

Ky konstatim dikujt mund ti duket si një ëndërr e keqe, por mjafton ti hidhet një vështrim grupimeve politike në vendin tonë për të konstatuar se gjendemi përballë një fryme politike,  e cila në diskursin ndërkombëtar kategorizohet si frymë e grupeve me tendenca totalitare e nganjëherë edhe grupe me karakteristika të Sekteve.

Shpjegimi i shpeshtë i termit Sket i nxjerrë nga folja "secare" - "shkëputje" historikisht është dytësor dhe ka më shumë kuptimin e përshkrimit kishtar për këtë lloj grupimi,  si një grup i shkëputur nga kisha ekzistuese, por bazuar në Etimologji, fjala "sekt", nga lat. "Secta" që rrjedh nga folja "Sequi" nënkupton "të ndjekësh" apo "të shkosh pas një Mjeshtri" duke përshkruar kështu tiparin thelbësor të të qenurit Sekt të një grupi të caktuar. Kohëve të fundit ky term ka gjetur përdorim edhe në përshkrimin e grupimeve të natyrave joreligjioze, si p.sh tek organizimi politik. Dhe nëse bazohemi në kuptimin etimologjik të këtij termi, atëherë vërejmë se shumë karakteristika të këtij lloj grupimi sot i gjejmë në Kosovë sidomos te LVV.

Një nga llojet kryesore të një grupimi të tillë është ai i Sektit me energji agresive, me pretendime të larta propaganduese dhe elitare. Mjafton një vështrim i cekët i aktiviteteve të VV, agresivitetit të anëtarëve të tyre dhe mendësia e tyre elitare, për të pranuar një përputhshmëri të plotë me këtë përcaktim. Sektet përshkruhen edhe si grupe që kufizojnë lirinë dhe kanë tipare të një organizate e cila anëtarëve të saj ju merr autonominë, duke synuar në këtë mënyrë që gradualisht të përfshijë gjithë gamën e lirive personale.  Pra, tipari kryesor i një organizate të tillë është zvogëlimi gradual i autonomisë përsonale dhe ky dorëzimi i autonomisë, të paktën  nga perspektiva e atyre që largohen nga një organizatë e tillë, ndodhë  kundër vullnetit të anëtarëve.

Shikuar nga studimet krahasuese të atyre të cilët kanë përjetuar komunitetin si një grupim sektar, mund të dallohen disa karakteristika të cilat tregojnë se, një organizatë mund të cilësohet potencialisht si Sekte në qoftë se ka, p.sh.: një lider,  deklaratat e të cilit janë të padiskutueshëm dhe të cilit i takon çdo nderim, një rregullore për shumë fusha të jetës, një mekanizëm (të institucionalizuar apo joformal) të kontrollit apo monitorimit të sjelljes individuale të anëtarëve, një vetëdije elitare, një çarje në raport brenda-jashtë me zhvlerësimin total të botës së jashtme (botës jashtë grupit apo organizatës), një zhvleftësim sistematik të jetës së deritashme, një sjellje Endogamike, pra deri në ndalesë të marrdhënjëve të dashurisë me personat që kundërshtojnë këtë organizatë, një angazhim intensiv të anëtarëve në organizatë e deri të skllavërimi apo marrja edhe e burimeve financiare të anëtarëve. Shumë nga këto tipare jetësohen çdo ditë nga LVV para syve të opinionit.

Pra, në qoftë se duhet bërë një kontroll të shpejtë  të komuniteteve të cilat mundemi lirisht ti kategorizojmë si Sekt, vlejnë tri karakteristikat e mëposhtme të cilat duhet të jenë evidente:

1) Një lidership që nuk është kritikuar apo kundërshtuar asnjëherë nga anëtarët e grupit

2) Një rregullore për të gjitha fushat e jetës

3) Një mekanizëm kontrolli i pajtueshmërisë më këto rregulla apo zbatueshmërisë së tyre, në formë formale ose joformale.

Të tri këto karakteristikat në kuptimin e plotë të fjalës i posedon dhe i demonstron çdo ditë LVV.

Një tipar tjetër  kryesor apo përcaktues i një grupimi që mund të kategorizohet si  Sekt është shfaqja e prirjës së theksuar për të joshur me ideologji utopiste dhe për të manipuluar me ndjekësit e tyre, duke i shfrytëzuar qoftë shpirtërisht apo materialisht. Kur një grupim monopolizon "të drejtën absolute", duke propaganduar se janë i vetmi shpëtim dhe e vetmja zgjidhje, atëherë ky grupim nuk merr fare parasyshë interesat e anëtarëve të tij e aq më pak të shoqërisë së gjerë.

Një grupim i tillë, thjeshtë manipulon, sulmon dhe terrorizon secilin që nuk është në pajtim me synimet e tyre. Ata nuk hezitojnë të flijojnë ndjekësit e tyre, njejtë sikur nuk hezitojnë të eleminojnë ata që i kundërshtojnë. Ideologji të tilla sot, në kohën në të cilën po jetojmë, janë duke terrorizuar botën. Janë fanatik dhe të rrezikshëm. Dhe në një vend me shumë sfida, siç është vendi jonë, fanatizmi gjithmonë gjenë tokë të frytshme për të lulëzuar.

Sektet joshin një numër të madh ndjekës duke i futur kështu në kthetrat e tyre. Ata të cilët bien në këtë kurth zor që i shpëtojnë shpërlarëjës së trurit dhe jo rrallëherë ka edhe të atillë që këtë e paguajnë me jetë.

Për udhëheqësit e këtyre grupimeve nuk luan rol nëse kanë të bëjnë me faj apo pa faj, thjeshtë të gjithë ata që mendojnë ndryshe janë armiq potencial, kurse kundërshtimet brenda grupit janë të patolerueshme dhe të sanksionuara me dënime deri në ato kapitale.

Në vendin tonë, krahas rrymave të rrezikshme fetare, të njejtat karakteristika ka edhe Levizja Vetvendosje e cila, duke parë sfidat nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, kanë arritur të krijojnë një kauzë të mbrapsht dhe të rrezikshme për të joshur gjeneratat e reja drejt një ideologjie utopiste dhe një të "vërtete" ekskluzive. Ata propagandojnë shpëtimin dhe zgjidhjen e vetme duke mos hezituar të aplikojnë edhe metoda të Sketeve. Për të ndikuar tek të rinjët ata janë kthyer në gjuetarë të vërtetë të egove të vjetra, të atyre egove të lënduara nga mossuksesi dhe dështimi, janë kthyer në gjuetarë të ca figurave, të cilët kishin një përiudhë të shkurtër lavdie në një vend të vogël siç jemi ne. Këto figura tragjike nuk hezitojnë të shesin shpirtin për të përjetuar edhe ca çaste "lavdie" sado të rrejshme dhe boshe qoftshin ato. Në gjithë këtë dramë viktimat më të ndjeshme janë të rinjët, të cilët manipulohen nga personalitetet fasadë që përdoren si figura galion.

Pse e them këtë? Sepse jam e bindur në rrezikun evident që kanoset nga qasjet e tilla. Historia na ofron mjaftueshëm shëmbuj, të cilët përputhen një më një me metodat e aplikuara nga ky grupim. Për çdo të keqe qoftë institucionale, qoftë personale apo globale është një adresë ku duhet drejtuar urrejtja!!!!! Në aksionet e tyre të "gjuetisë" nuk ka përzgjedhje mjetesh dhe retorikash.

Po i përmend vetëm dy raste të cilat më kanë bërë të më ngrijë gjaku:

Njëherë pata rastin të zhvilloj një bisedë të qetë me disa të rinjë nga diaspora të cilët ishin të fascionuar nga udhëheqësit e kësaj Levizje.

Në rastin e parë një vajzë simpatike po më tregonte se si i ishte bashkangjitur Levizjes Vetëvendosje, natyrisht me bindjen se ishin të vetmit që po menonin për të mirën e vendit. "Ishim të obliguar të përseritnim fjalimet e Albinit deri sa i mësonim përmendësh" me tha duke qeshur, për të vazhduar më tej se si njëherë kishte ardhur enkas për të marrë pjesë në një protestë të thirrur nga kjo Levizje. "Kam ardhë enkas nga diaspora dhe kisha për qëllim të konfrontohesha me policinë në mënyrë që ata të më arrestonin, por kur u ndesha me njërin prej tyre vetëm se më zgjati dorën dhe më ndihmoi të kaloja një barrierë të vendosur në rrugë".

Një bisedë tjetër, krejtë rastësisht, e zhvillova me dy motra po nga diaspora. Si me shaka ju thashë: ku jeni ju diaspora e vetvendosjes. Njëra nga to, ajo më e re në moshë, buzëqeshi duke treguar me gisht nga motra e saj pak më e madhe në moshë e cila në bisedë u kyç me fjalinë:

Dikush duhet ta çliroj Kosovën. Në pyetjën time se nga kush duhet të çlirohet Kosova, e reja nga diaspora ma ktheu: nga Amerika!!! U bëra kurreshtare dhe e pyeta se si po mendonte ta çlironte Kosovën nga aleati i saj më i rëndësishëm. Ajo filloi me teoritë e privatizimit, shitjës së pasurisë shtetërore etj..... Dhe këtë çlirim ajo synonte ta arrinte duke ju bashkangjitur Vetvendosjës. E gjitha çka i thashë vajzës në fjalë ishte që ajo duhej të mendonte më mirë sepse ajo të paktën po jetonte në një vend evropian dhe kishte çdo mundësi për tu informuar se si funksionon një shtet demokratik me ekonomi të lirë tregu. E këshillova të jetë kritikuese dhe kërkuese por të ketë kujdes dhe të mos bie pre e disa përsonave, të cilëve më së paku ju intereson fomrimi i personalitetit të saj.  Besoj që edhe të tjerët kanë përvoja të tilla, por për mua thjeshtë ishte e frikshme se në ç´drejtim synon kjo Lëvizje të orjenton gjeneratat e reja.

Pse mora dy shëmbuj nga përvoja ime me qytetarët tanë nga Diaspora? Thjeshtë sepse është i habitshëm fakti se deri ku ka arritur shtrirja e ideologjisë së udhëheqësve të kësaj Levizje. Të manipulosh me qytetarë, të cilët çdo ditë sfidohen me një vend dhe një shoqëri në tranzicion nuk është për tu habitur, por të arrish të ekstremizosh qytetarët të cilët janë lindur dhe rritur në vende të kosoliduara evropiane dhe ti instumentalizosh ata për apetite personale të shfrenuara për pushtet, është thjeshtë një karakteristikë e një Sekti të rrezikshëm dhe për mendimin tim nëse deri tani ky grupim është parë dhe trajtuar si një grup zhurmagjinjësh, tani duhet ndezë llampat e kuqe për të parë më më kujdesë veprimtarinë e tyre.

Një poet gjerman në një poezi të tij shkruante: “...Ich weiss, sie tranken heimlich Wein und predigten öffentlich Wasser.” (... E di ata pinin fshehtas verën dhe predikonin publikisht ujin).

Edhe në Kosovë shumica e dijnë që këta "profetë modern" fshihen pas parullave për shpëtimin e vendit, por në realitet për asnjë moment dhe për asnjë çmim (qoftë ajo edhe jetë njeriu) nuk devijojnë nga synimet e tyre për pushtet të cilin e duan për të përndjekur ata që nuk ju binden. Shpresoj që në Kosovë, por edhe në Diasporë, gjeneratat e reja të shpëtojnë nga kthetrat e "përgjakura" të këtyre "profetëve modern".  Të rinjët le ti shtrojnë vetës vetëm një pyetje:

Dardan Molliqaj me mijëra herë ka akuzuar pjestarët e PDK-së, të cilët njihen edhe si pjesëmarrës të luftës, si kriminelë, hajna dhe vrasës. A e keni dëgjuar ndonjëherë që ka sulmuar njejtë anëtarë të vetvendosjës të cilët i përkasin të njejtës kategori? Ku fshihen, në raste të njejta, parimet e këtij Dardanit?

Një tjetër pyetje: Për Dardan Molliqajn, secili që përparon qoftë në biznes qoftë në politikë dhe është anëtar apo vetëm votues i PDK-së, ai detyrimisht këtë përparim e ka arritur me veprime kriminale. A e keni dëgjuar ndonjëherë Dardan profetin të kërkoi me të njejtin entuziazëm llogari edhe nga disa aty brenda VV-së, të cilët dihet botërisht se janë milionerë? Si është e mundur që dikush në VV, në kushte kosovare, të arrijë të bëjë pasuri dhe të jetë patriot e i ndershëm kurse, në kushte të njejta kosovare, një tjetër qoftë ai edhe vetëm votues i PDK-së, mos të flasim për anëtarë strukturash,  të njëjten gjë mund ta arrijë vetëm duke qenë kriminel. A mund të quhen parime veprimet dhe akuzat e tilla?

Mendoj që rinia jonë nuk duhet as të servilet por as të ekstremizohet. Keqpërdorime, korrupsion, kriminalitet apo abuzime të tjera janë pjesë e çdo shoqërie, pra janë pjesë edhe të atyre shoqërive pjesë e të cilave janë një numër i madh i qytetarëve tonë. Rinia jonë duhet të dijë se jeta ka shumë sfida të cilat tejkalohen vetëm duke krijuar institucione stabile me instrumentat përkatës funksional për ndalimin dhe parandalimin e parregullsive. Rinia jonë nuk duhet të ndjekë pas, apo japë votën të motivuar nga urrejtja dhe inatet e instrumentalizuara të një grupi banditësh, por duke analizuar secilin kandidat veç e veç nga secila parti, dhe nga i njejti të kërkoj punë të ndershme dhe llogaridhënje, përndryshe institucionet dhe kulturën politike të cilën e ndikojnë vetë ata, do jenë po vet ata që do ta trashëgojnë në të ardhmen.

Po ashtu,  rinia jonë për të cilën na e kanë lakmi bota, nuk duhet lejuar që të instrumentalizohen për të demonizuar vlerat më sublime të kombit, vetëm për ti çuar ujë në mulli një grupimi banditesk të cilët në shancin e parë që ju ofrua hodhën tutje flamurin kuq e zi nga xhaketat e tyre dhe treguan gatishmëri për çdo kompromis po më ata prej të cilëve ata propagandojnë çlirimin e Kosovës.

Hidhni një vështrim pak më të thellë veprimeve të fundit të liderëve të VV-së dhe do shihni qartë gatishmërinë e tyre që, për një përkdhelje krahësh dhe për një foto në kancelaritë perëndimore, hedhin tutje "parimet" e tyre me të cilat terrorizojnë Kosovën dhe Diasporën. Jam e bindur se do të shihni qartë se kur epshi për pushtet fshihet nën petkun e patriotizmit dhe parimeve, zgjedhja e mjeteve deri të arritja e qëllimit final humbë rëndësinë. Një qasje e tillë jo vetëm që është jodemokratike, por paraqet edhe rrezik serioz për të ardhmen e shoqërisë në përgjithësi. Të gjithë fanatikët  pa dallim, qofshin ata të organizuar nën petkun e një partie politike, organizate joqeveritare apo kulti religjioz, e kanë një emrues të përbashkët: synimin për rrënimin e rendit me çdo kusht dhe me çdo mjet.

Mos u bëni pjesë e këtij rrënimi.

Lexo të tjera