15:14 / E hënë, 09 Tetor 2017

Letër e Hapur Imamit: Për Zotin, pranojeni!

Letër e Hapur Imamit: Për Zotin, pranojeni!

“… unë shoh MUNDIMIN tuaj gjatë gjykimit të dukurive dhe situatave duke e shmang gjuhën e argumentimit fetar, si shmangie nga çorrsokaqet dhe duke përdorë gjuhën e parimit, të tipit: Islami urdhëron të rrespketohet gruaja. Po është e vërtetë, por, z. Naçi, përse nuk guxoni të pranoni dhunimin e figurës së gruas në librat me gojëdhana që i atribuohen Profetit dhe që në përllogaritjen tuaj ato janë pjesë e rëndësishme dhe e detyrueshme e Islamit të ligjëruar? Po e përsërisë, unë e di se MUNDIMI juaj nisë qysh para pyetjes së gazetarit, sepse ju në këtë rast, dhe vetëm ju, i dini të fshehtat e librave për Fenë,  pseudo librat e shenjta me gojëdhana për Profetin që porosisin se si gratë kanë mungesa në mendje dhe fe”.

Shkruan: Kreshnik Berisha

Përshëndetje z. Naçi

Ju jeni figura më e kërkuar fetare qoftë dhe ndër gratë, ndaj s’ke pse nxeheni me to ngaqë humbisni një komunitet të madh fansesh që së paku tek ju, shohin një mashkull ndryshe, larg atyre të televizioneve e zyrave dhe kafeneve siç shohin rëndom.

Këtë që po e them merreni si kompliment.

Pamja dhe aftësia juaj shprehëse që për këtë të fundit u fol në Kuran, janë të mira që ju japin vlerë në detyrën tuaj si Imam Xhamie.

E theksoj këtë sepse, shumë të rrallë janë ata predikues fetar që i japin rëndësi gjuhës komunikuese dhe merren me tema aktuale!

Përshembull, ju në ligjëratat tuaja nuk flisni për gjëra të përgjithshme, të kota, që të bëjnë të kotesh, të përsëritshme, ose përralla nga ngjarjet e përditshme, ose nga ato nga historia.

Ju z. Naçi nuk fyni, nuk përdorni fjalor të pistë, ose racistë, ose të jeni kundër besimit të tjetrit, sepse, konsideroj, se për këtë dhe po shpërbleheni nga shoqëria shqiptare.

Por unë shoh MUNDIMIN tuaj gjatë gjykimit të dukurive dhe situatave duke e shmang gjuhën e argumentimit fetar, si shmangie nga çorrsokaqet dhe duke përdorë gjuhën e parimit, të tipit: Islami urdhëron të rrespketohet gruaja.

Po është e vërtetë, por,

z. Naçi, përse nuk guxoni të pranoni dhunimin e figurës së gruas në librat me gojëdhana që i atribuohen Profetit dhe që në përllogaritjen tuaj ato janë pjesë e rëndësishme dhe e detyrueshme e Islamit të ligjëruar?

Po e përsërisë, unë e di se MUNDIMI juaj nisë qysh para pyetjes së gazetarit, sepse ju në këtë rast, dhe vetëm ju, i dini të fshehtat e librave për Fenë, si pseudo librat e shenjta me gojëdhana për Profetin që porosisin se si gratë kanë mungesa në mendje dhe fe.

Apo që janë të shumtët e banorëve në Ferr? Apo që janë si gomari dhe qeni që të ndërpresin namazin?

z. Naçi, përse mundoheni kaq shumë dhe i humbisni vetes mundësinë e Liderit Predikues të Islamit - të pranoni këtë realitet që del nga pseudo librat e shenjtë që po helmojnë dhe shoqëritë shqiptare në Perëndim?

Unë ju siguroj se kësi poshtërsim të figurës së femrës nuk gjen dot në Kuran ndaj, pse DUHET të “bartni mbi shpinë barrën e librave” fyese për Profetin, në emër të Profetit - që së paku janë shkruar dy shekuj pas vdekjes së tij?

Nëse thoni se, “jo të gjitha këto gojëdhana janë fyese për Profetin”, mirë, pajtohem, por, për Zotin, hoxhë i nderuar, t’i lëmë vlerësimet “Sahih” dhe “Dhaif” a nuk duhet që të dhënat fillimisht t’i krahasojmë me të dhënat e Kuranit dhe në qoftë se bien ndesh ato me Librin e Shenjtë dhe të vetmin e muslimanëve të DEKLASIFIKOHEN nga ligjërimi i përgjithshëm fetar?

z. Naçi unë mund të sjellë në këtë shkrim dhjetra raste të kundërthënieve të qarta nga të dhënat e këtyre librave në krahasim me të dhënat e Kuranit për të njëjtat tema.

Ndër to dhe për temën e gruas.

Përshembull, klasifikohet si e vërtetë (Sahih) gojëdhana me numër 1403 në koleksionin e gojëdhanave të Muslimit, teksti që poshtron dinjitetin e Profetit dhe gruas, kur thuhet se “I Dërguari I Zotit, pa, një grua dhe i pëlqeu dhe i erdhi gruas së vet Zejnebes e cila punonte dhe e shfryu nevojën e vet pastaj doli tek shokët e vet dhe tha: Gruaja vjen në formën e shejtanit dhe ikë në formën e shejtanit”.

 A nuk ishte Kurani fjala e Zotit në gjuhën dhe jetën e Profetit? A nuk urdhëroi Profeti sipas po këtyre gojëdhanave të mos shkruhet asgjë nga jeta e tij vec Kuranit? Që mos t’i konkurrojë asnjë Libër, Librit të zbritur nga Zoti? 

E dini

z. Naçi, se për një Jakob, ose Steve, ose Milosh, këto janë broçkula dhe se vet Islami në thelb është kundër vlerave bashkëkohore si e drejta e gruas për të qenë njeri.

Por për Ju që e njihni gjuhën e Kuranit, këtë komunikimin e funid të Qiellit me Tokën, këtë Tekstë të Shenjtë, mund të verifikoni qartë se kjo dalldisje e ligjërimit të Islamit në gjuhën shqipe ka ardhë nga zëvendësimi i Kuranit.

Dhe e dini

z. Naçi, Kurani flet dhe për rastet kur një brez i muslimanëve e zëvendëson atë në jetën e vet.

Kjo luftë e përballjes së të dhënave në mes Librit të Zotit dhe librave tjerë është një prioritet i kohës dhe një projekt shumë emergjent, z. Naçi!

Dhe kush tjetër pos jush duhet ta marrë përsipër këtë procesë të rinterpretimit të temave të Kuranit - ndër to dhe gjykimin e Kuranit mbi rolin e gruas në shoqëri?

Nuk ndryshon asgjë nëse unë e dua Islamin apo ti e do atë më shumë, nëse mashtrohemi dhe mashtrojmë qoftë dhe nga padija, ose nga qëllimi i mire - në emër të Islamit.

Z. Naçi e drejta logjike do të jetë në anën tuaj kur të flisni për Islamin, të përgjigjeni sipas asaj që thotë Libri i Islamit dhe jo Librat për Islamin.

Zoti qoftë me ju!

(Autori ka përfunduar kolegjin në Doha të Katarit dhe është Këshilltar Politik i Zëvendëskryeministrit njëherësh Ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Republikës së Kosovës)

Lexo të tjera