23:11 / E premte, 16 Dhjetor 2016

Luba (Mariqi) rrëshqiti në akull, le t'i jep post Gjuriqi !

Luba (Mariqi) rrëshqiti në akull, le t'i jep post Gjuriqi !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Si e lypi e gjeti. Banditi në Qeverinë "Mustafa", ministri i shkarkuar Lubomir Mariq u kap në flagrancë me "çinovnikun" e Aleksit (Vuçiqit), Marko Gjuriqin, vizita e të cilit ishte e ndaluar. Intriga e Mariqit është tradhti kundër shtetit. Isës i doli nga dora edhe ish ministri Jabllanoviq, llafazani që gjuajti gurë e dru mbi shqiptarët. Me këta dy ministra u mor politika, nuk i kapi paragrafi i ligjit!
----------------------

As ëndërr nuk ka parë se do të fluturoi nga posti i ministrit të Republikës së Kosovës. Por ja, ëndrra u bë zgjëndërr, nga posti i ministrit Lubomir Mariqin e shkarkoi shefi i tij Isa Mustafa. Nuk rrin urtë, shkon për të thata. Luba rrëshqiti në akull, le t'i jep post Gjuriqi, "direktori" i Zyres për Kosovën (të cilën ai e quan "Metohi").

Ky bandit, e të tjerët si ky, e kanë gjetur "kishën" ku ta falen. Po t'u tregohen "dhëmbët" për tradhtinë kundër shtetit, ndryshe do të silleshin.

Nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë.
Të zotit të shtëpisë, Isa Mustafës, i dolën prej doresh "robtë e shpijes". Pos Mariqit, më herët fluturoi emnaku i Vuçiqit, Aleksandër Jabllanoviqi.

Jabllanoviqi, siç dihet - qe shkarkuar ngase i fyu publikisht nënat gjakovare, ndërsa Mariqi vajti tinëza për t'u takuar me ilegalin Gjuriq, ilegalin të cilin e kërkonte policia.
Isës i doli gjumi vonë t'u thotë varëtësve të tij, ministrave, nuk rrini urtë, shkoni te shtëpia.
E shkarkoi Lubën, ngase ky një ditë më herët vajti tinëza në veri të Mitrovicës për ta pritur "çinovnikun" e Aleksit (Vuçiqit), Marko Gjuriqin, i cili arriti fshehurazi me një autoambulancë, ndonëse vizita e tij ishte e ndaluar.

Nuk është hera e parë që Luba, pa izën e shefit, bëhet bashkë me zotërinjtë e Beogradit për ta poshtëruar shtetin tonë.
Në vend të Lubës, që kishte postin e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, u emërua Mirjana Jevtiq, e cila deri më tani ka qenë zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në qeveritë e mëhershme, ministrat kanë ndejtur urtë, nuk u halitën. Kështu nuk ndodhi me Qeverinëe "Mustafa". Dy ministrat e tij, Aleksandër Jabllanoviqi e Lubomir Mariqi i dolën prej dorësh, i pari, i zhytur ne shovinizëm, ndërsa i dyti bëri intrigën shtetërore, i nguli thikën mbrapa shpine shefit të tij Isa Mustafës.

Askund në botë nuk ngjet që ministrat e një vendi të punojnë e veprojnë kundër interesave të shtetit ku janë zgjedhur. Këso budallallëqe, akte kriminale, ndodhin vetëm te ne. Fajin e kanë krerët e shtetit tonë. Lejojnë që në emër të demokracisë, e kundër demokracisë, ministrat serbë në Qeverinë tonë të kërcejnë pa done, ta pshurrin Kushtetutën dhe ligjin dhe për këtë të mos japin përgjegjësi.

Intriga e Mariqit doli hapur. U kap në flagrancë me ilegalin Gjuriq. Në asnjë vend nuk ndodhë që ministri i një vendi të punoj e veproi për interesat e vendit tjetër. Nëse një intrigë e tillë ndodhë, ministrin e kap ligji për tradhti kundër shtetit.

Te ne, në Kosovë, këta të Listës "Sërpska" ta pshurrin Kushtetutën e ligjin. Nëse ua ngrehë "veshët", ankohen se serbëve po u cënohen liritë dhe të drejtat. Shihe ti, liritë dhe të drejtat !

Demokracia nuk është "ringishpill", ajo nënkupton sundimin e ligjit. E shkel ligjin, të kap paragrafi, shkon te vendi. Ministrat serbë, si rasti i Jabllanoviqit, ashtu edhe ky i Mariqit, nuk i kapi paragrafi i ligjit, por paragrafi i politikës. Sikur t'i kapte paragrafi i ligjit, ndryshe do të këndohej kënga.

Lexo të tjera