17:33 / E enjte, 07 Shtator 2017

Minister…, në ardhje mos na i merr në qafë gjeneratat e reja!

Minister…, në ardhje mos na i merr në qafë gjeneratat e reja!

1. Sot, sociologët bashkëkohor kanë arritur të identifikojnë tri lloje apo tipa të shpërnguljes apo “ikjes” së trurit: një, që ka të bëjë me shpërnguljen e këtyre elitave të reja nga vendet e pazhvilluara në ato të super të zhvilluara, i vendeve të tranzicionit në vende të zhvilluara, dhe, ai i vendeve të zhvilluara në vende të zhvilluara (ani pse ky tipi i fundit mund të konsistohet edhe si një lloj riciklimi ndërkombëtar i resurseve njerëzore).

2. Në sociologjinë e dijes, koncepti “brain drain”-it, pra fenomeni i largimit, zhvendosjes apo edhe fluktimit të kapitalit ose resurseve potenciale njerëzore prej një vendi në një vend tjetër, ndodh shkaku i sigurisë dhe kualitetit për një jetë më të mirë dhe më të suksesshme. Në realitet, në shumë vende dhe shtete të rajonit dhe të botës mund të ketë arsye dhe pretekste të ndryshme të marrjes së këtij vendimi, jo edhe aq të lehtë për vendimmarrësit. Këto arsye dhe pretekste, mund të jenë të natyrës: politike (mungesa e një konsolidimi permanent e institucioneve dhe kapaciteteve shtetërore vendore); ekonomike (krizës dhe pamundësisë së mbijetimit); sociale (varfërisë permanente), etj.

3. Por, shkaqet e largimit, shpërnguljes apo edhe si thuhet shpesh edhe të kullimit të trurit të një vendi apo shteti, kujtojë që duhet kërkuar përveç tjerash edhe në: diferencat e mëdha të pagave që jepen për të njëjtën punë në ato vende ku personi vendos të shkojë: pasiguria e shkaktuar nga ngjarjet e ndryshme politike (ndërrimi i dhunshëm i sistemit): menaxhimi i perfeksionuar dhe i dëshmuar i punës që e bënë me dëshmi dhe certifikim ndërkombëtar: pastaj njohja e gjuhëve të huaja që mundëson komunikim pa kufij të dijes dhe kapitalit: debalansi midis resurseve njerëzore të pajisura me diploma ndërkombëtare të njohura dhe të certifikuara dhe padyshim kërkesës për ta në tregun e punës së atij vendi, etj.

4. Sot, konteksti shoqërorë i sferës së arsimit, në shekullin e globalizimit mundet të kuptohet përmes tri kritereve kryesore: kriterit pedagogjik, atij tradicional dhe kriterit të bazuar ekskluzivisht në vlera. Gjithashtu është aktuale në shekullin e teknologjisë informative që, roli arsimit të fuqizohet sidomos në rastet e ndarjeve të reja të punës me qëllim të rritjes së efikasitetit , organizimit dhe humanizmit të procesit të punës fizike dhe asaj intelektuale. Njohuritë e tilla, gjeneratave të reja u mundësojnë padyshim që edhe orientimet programore ti kenë me të lehta dhe më akomoduese me kohën dhe trendin e zhvillimeve sociale, e sidomos ato kulturore që lozin rol të padiskutueshëm në këtë proces dinamik.

5. Themi kështu ngase, sot në nivel global, dita ditës edhe atë lokal, është duke u pjekur vetëdija menaxheriale dhe ajo e pronarëve të mëdhenj të kompanive transnacionale, se efikasitet të lartë dhe sidomos kualitet të dukshëm dhe shumë të çmueshëm mund të krijojnë vetëm eksplorimet e reja permanente shkencore. Koha e këtij shekulli, po dëshmon se vetëm tipet e tilla eksploruese që dalin nga studimet empirike në shkollat e tipit bashkëkohor, mund të mbesin konkurrencë lojale e tregut dhe e ambientit që është duke u ashpërsuar për çdo ditë e më shumë me kritere gjithnjë e më të më të diferencuara.

6. Kosova si një vend i varfër, ku të rinjtë e saj për çdo mëngjes zgjohen me përplot dilema e handikape mbi paperspektivën e tyre, në fakt po e dëshmon konstatimin tonë të mësipërm për hiperproduksionin e pakontrolluar të kuadrove të dala brenda kornizave të sistemit edukativo – arsimor aktual, që zaten edhe është identifikuar si njëri ndër gjeneratorët kryesor të thellimit të krizës dhe ashpërsimit të hendekut midis të punësuarve dhe të papunësuarve.

7. Po themi të “handikapuar” edhe për faktin se, në Kosovë, trendi i kësaj “ikjeje”, apo fluktimi i vetëdijshëm, nuk disponon akoma me të dhëna të sakta lidhur me numrin e këtyre kontingjenteve të të rinjve që, imperativ dhe synim kryesor kanë daljen nga getoja kolektive në të cilën ata gjenden përplot një dekadë të tërë. Ky fakt, na bënë edhe më të shqetësuar ngase gjenerata e cila do të duhej logjikisht të kishte filluar marrjen e përgjegjësive për zhvillimin e vendit, pastaj rritjen e kapaciteteve eksploruese dhe prodhimin e standardeve tipike shkencore globale, tani po i ngulitet gjithnjë e më shumë tema e vendimmarrjes për t’u larguar nga Kosova!?

8. Për, të kuptuar këtë tendencë të “ikjes” apo shpërnguljes, do të ishte mirë të analizoheshin shkaqet, ngase për pasojat tash për tash, nuk mund të konstatojmë asgjë. Kujtojë që shkaqet fillimisht, do të duhej kërkuar në disa drejtime dhe në disa aspekte që do të mund të përmblidheshin kryesisht: në kushtet e dobëta të shkollimit që aktualisht ofron sistemi ynë i shkollimit, grupimet apo koncentrimet tejet të larta të studentëve nëpër institucione arsimore, procesin e seleksionimit dhe të pranimit pa kritere të duhura të kontingjenteve të reja që rekrutohen nga nivelet e ulëta ato të mesme dhe të larta shkollore. Natyrisht, këto shkaqe janë përmbledhur vetëm në vija të trasha, ngase në vija më të holla do të duhej një studim më i thellë empirik i shkaqeve dhe i nevojave faktike që për momentin, nuk mund ta bëjnë grupet jo kompetente, por institucionet e shtetit që janë ende në gjumë të thellë..!?

9. Gjykojë që fenomeni i “ikjes së trurit kombëtar” (national brain drain) shkaku i dështimit të sistemit tonë arsimor, në të ardhmen do të bëhet edhe më kërcënues dhe më alarmues poqese vazhdohet me këtë indiferencë të heshtur të institucioneve të shtetit. Sot, diku mbi 50% te studentëve tanë, janë të gatshëm të ikin nga Kosova shkaku i shkollimit të dobët që atyre u ofrohet në këtë vend. Fenomeni i “ikjes…”, jam dakord që është dukuri evidente në të gjitha shoqëritë, bile edhe në ato të zhvilluara (problemi i studentëve të medicinës në Gjermani, ai Finlandez me shkenca shoqërore, etj.), por në Kosovë gjithsesi, i ka disa specifika dhe disa dimensione tjera që kujtojë se, të gjithë nevet do të duhej të na bënte të shqetësohemi dhe të mendojmë thellë për (pa)perspektivën e këtyre gjeneratave.

10. Shtetet e mençura që kanë strategji zhvillimore afatgjate, pretekstin e shpërnguljes së kuadrove të tyre nga vendi përpiqen ta zbusin dhe neutralizojnë përmes organizimit të programeve nacionale, ku komunitetit shkencor i krijohen kushte dhe rrethana lehtësuese për të prodhuar strategji dhe ide për shkallën, dimensionet dhe arsyet e mundshme të rrezikut që mund t’u kanosen shoqërive të tilla në të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Kosova, duket që është larg këtyre ideve dhe mënyrave të paralajmërimit të hershëm të kërcënimeve eventuale sociale, politike, ekonomike, etj.

11. Nëse, tani mundohemi të analizojmë kontekstin e zhvillimit të arsimit tonë në koherencë me zhvillimet aktuale që janë duke ndodhur në sferën e ekonomisë, kuptojmë që jo vetëm nuk ndodhë trend i akomodimit të shkencës dhe arsimimit me ekonominë, por përkundrazi, gjykojë që janë në shpërputhje dhe digresion të thellë njëra me tjetrën.

12. Shembulli i një suksesi të akomodimit të arsimit me sfere e ekonomisë është Japonia, e cila në vitet 60-ta të shekullit të kaluar ka startuar tërësisht me një sistem të ri të arsimimit, sistem ky i cili përcolli jo vetëm trendin e ekonomisë por edhe atë të sferave të tjera shoqërore me përpikërinë më të madhe, duke e katapultuar vendin në mesin e pesë shteteve që kanë ekonomi në ngritje efikase. Në këtë drejtim, janë ruajtur disa nga specifikat standarde të edukimit dhe arsimit të vjetër (etnopsikologjina, mentaliteti dhe kultura), mirëpo në anën tjetër, është bërë kombinimi në mënyrë brilante me trendët e zhvillimeve të kohës dhe standardet e reja. Këtë amalgim të vjetrës me të renë më mirë se sa japonezët askush gjerë më tani nuk e ka bërë!

13. Këta shembuj na tregojnë se, edhe vendi ynë me institucionet kompetente ( Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Rektorati, Fakultetet dhe sidomos Departamentet) në fakt, do të duhej të bënin analiza dhe specifikime të standardeve që ishin udhërrëfyese-frytdhënëse për shoqëritë në tranzicion, e jo të marr në formë të copy paste dhe të aplikojnë përvojat dhe standardet e huaja që, fare nuk ndërlidhen as me mentalitetin, as me kulturën, as me nivelin e emancipimit tonë, ashtu siç ndodhi për shembull me, projektin e Bolonjës.

14. Një sociologji e zhvilluar në Kosovë, padyshim që do të arrinte t’i identifikonte këto dallime të sipërpërmendura që në fakt gjeneratave të reja siç i quaj unë “të internetit” do u mundësonte apo të paktën lehtësonte jo vetëm procesin e certifikimit, por gjithsesi edhe atë të akomodimit me kolegët e tyre në Evropë. Sistemi ynë arsimor i pasluftës po dëshmon gjithnjë e më shumë se nuk është në koherencë me zhvillimet aktuale dhe si i tillë ai në një farë mënyre është bërë pengesë serioze për t’u akomoduar me të tjerët në rajon dhe më gjerë.

15. Importimi dhe eksportimi i kuadrove të reja të specializuara, sot në kushtet e procesit të globalizimit mund të themi që, është deri diku edhe normal, edhe për faktin se kuadrot e reja që kanë përgatitjet e duhura shkollore dhe licenca shkollore adekuate me kërkesat e kompanive të mëdha, nuk janë të ngarkuar më me hipoteka nacionale, etnike, politike e bile as kulturore të vendeve prej nga vijnë. Shkaqet e importimit të këtyre kuadrove që zakonisht vijnë nga vendet e treta apo ato të tranzicionit (shkaku i statusit të tyre social, por edhe kushtojnë më lirë në tregun global), mund t’u adresohen para së gjithash, prestigjit dhe supremacionit ekonomik që gëzojnë kompanitë globale në tregun botërore. Po ashtu, me importimin apo joshjen e këtyre kuadrove dhe ekspertëve të rinj, në formë të angazhimit në projekte globale, kompanitë e njëjta ia vazhdojnë jetën vetës në tregun global.

16. Studimet e shumta kanë dëshmuar se, shumica e këtyre kontingjenteve të ekspertëve që pretendojnë tregun global, si arsye apo motive nuk i kanë gjithnjë ato ekonomike, e sociale, por para së gjithash i kanë edhe disa motive të tjera shtesë që kanë të bëjnë me ambiciet e tyre për t’i vazhduar studimet në ambientet adekuate dhe të sigurta sociale. Kuptohet që trendi kësisoj i “ikjes së trurit” apo shprënguljes, padyshim që vendeve prej nga migrojnë këto kuadro përveç që u kushton me zgjerimin e hendekut zhvillimor dhe emancipues, atyre njëkohësisht u ndihmon në përhapjen e njohurive moderne, të cilat në një stabilitet të arritur social e sidomos ekonomik do të mund t’u kthehen, dhe t’u ndihmojnë në krizat eventuale: financiare, ekonomike, politike apo edhe sociale. Kriza këto që për çdo dekadë po riciklohen dhe po krijojnë pakënaqësi tek qytetarët dhe vendet përkatëse.

17. Arsimi kosovar sot për sot është duke iu ekspozuar një rreziku evident i cili ka të bëjë me karakterin stihik, ngase thjesht ai nuk është në shërbim të interesave nacionale të vendit, siq është në vendet e rajonit. E themi kështu edhe për shkak se mania që ka kapluar Kosovën viteve të fundit për të poseduar domosdo një diplomë universiteti, pa ndonjë mbikëqyrje dhe udhëzim adekuat nga ana e institucioneve përkatëse siç janë psh ai i akreditimit, dhe institucioneve tjera shtetërore, lehtë mund të marr epitetet e një fetishi që detyrimisht na qon edhe kah mënyra jo legale e marrjes se certifikatave dhe diplomave falso, siç ishin rastet në fakultetin e Pejës ku pas luftës morën kush deshi dhe sa mundi!

18. Pra, shitja thënë më thjeshtë e diplomave universitare, në një aspekt e devalvon edhe rëndësinë e arsimit si tërësi e që më pastaj ky devalvim shumë lehtë shndërrohet edhe në krizë të gjithmbarshme shoqërore dhe me pasoja afatgjata. Arsimimi bashkëkohor në parim do të duhej të shndërrohej në një proces bashkëpunimi, zgjerimi të dijes si dhe vënie të raporteve të tilla shoqërore, ku dija shkencore nuk mund të absorbohet pa zhvillimet e reja teknologjike që instalohen përmes hulumtimeve shkencore nëpër institute dhe qendra të ndryshme eksploruese, e qe në universitetin e Prishtinës mund t’i numërosh në gishta.

19.Themi kështu edhe për shkak se arsimimi bashkëkohor në fakt e “zbulon” afinitetin e studentit për të menduar në mënyrë kreative, që nënkupton iniciativat personale të mësuarit të vetive dhe specifikave të fenomeneve që ai merr për bazë hulumtuese, e njëkohësisht edhe interpretimin e tyre me parametra shkencorë. Pa këto standarde, sidomos në nivelin master dhe atë doktoranturës, ne as që mund të krenohemi se jemi në trend dhe koherencë me zhvillimet dhe proceset arsimore rajonale e globale.

Lexo të tjera