16:45 / E shtune, 16 Shtator 2017

Ministri Rikalo, basketbollist, shfajëson vetën !

Ministri Rikalo, basketbollist, shfajëson vetën !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Zotëri prokuror, çka po pret ? Nise procedurën penale ndaj Nenad Rikalos. Nëse ka bazë të dyshimit të ketë shkelur në zonën kriminale, mos ia falë dakikin, fute në birucë... Ligji vepron "erga omnes", njësoj për të gjithë. Shpata e drejtësisë i kapë burrë shtetasit, lëre më ministrat... Kryeministri Ramush Haradinaj qëndron me një këmbë, ta shkarkoj Rikalon, apo t'i jap vetës autogol !
---------------------

Starti i Qeverisë "Haradinaj", s'është për mashallah. Plasi sherri, skandali rreth 'duarve të papastërta' të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i dyshuar për krime të luftës, torturën ndaj qytetarëve të Prishtinës, gjatë luftës.

Opozita kërkon shkarkimin e tij, qeveria hesht !

Ligji vepron "erga omnes", njësoj për të gjithë.

Zotëri prokuror, çka po pret ? Nise procedurën penale ndaj Nenad Rikalos. Nëse ka bazë të dyshimit të ketë shkelur në zonën kriminale, mos ia falë dakikin, fute në birucë... Shpata e drejtësisë i kapë burrë shtetasit, lëre më ministrat.

Edhe qeveria paraprake, ajo e Isa Mustafës nisi me sherre. Ministri në qeverinë e tij Aleksandër Jablanoviçi ngriti në këmbë Kosovën për shkak të fyerjes që i bëri nënave të Gjakovës. Tipi "shtie" me gojë: "pam, pam, pam", s'e gjeti gjë. I dhanë vetëm një masë politike, e shkarkuan nga posti.

Me kaq përfundoi afera "Jablanoviç".

Zëvendësi i Isës, Branimir Stojanoviç i thurri lavde shefit të tij Aleksit (Vuçiqit) në manastirin e Graçanicës, i tha se duhet ta ndiej vetën në "tokën serbe". Dhe asgjë askujt. S'e prekën me gisht të vogël... Më rrove, të rrova, brisku i berberit.

Dallimi ndërmjet Jablanoviçit e Rikalos është se ky i dyti dyshohet për krime të luftës.
Krimet e luftës nuk parashkruhen (vjetërsohen).

Ish - fqinjët e tij e kujtojnë Rikalon si personin e armatosur, me beretë të kuqe, i cili ua ka futur tytën e kallashit në fyt dhe ka bërë trysni t'i lëshojnë vatrat e tyre.

Ndërkq, Prokuroria e shtetit, Policia, AKI-ja s'kanë të dhëna për të !

Rikalo i Listës serbe, shfajëson vetën, shpreh habinë përse është çuar pluhur kundër tij. Sipas tij, e tëra ka prapavijë politike. "Nuk e kam sulmuar asnjë shqiptar gjatë luftës, jam marrë me basketboll, i jam rrekur studimeve...", është shprehur ai.

Kjo i bie, basketbollistët janë melaqe, nuk shkelin në zonën kriminale !

Të dyshuarit kanë të drejtë me ligj të gënjejnë, të mbrohen si munden e si dinë vet, por kjo nuk ka të bëjë me dëshmitarët dhe subjektët e tjerë të procedurës penale.
Shprehet se është shoqëruar me shqiptarët. I përmend 'raportet e mira" me Albin Kurtin, Shpend Ahmetin, Ilir Dedën...

Përse i zë në gojë këta politikanë ?

Serbët e Kosovës, gjatë luftës, i madh e i vogël ishin të mobilizuar nga aparati i Milosheviqit. I kanë përzier gishtërinjtë në krim, apo jo, kjo është në dorën e njerëzve të shtetit, prokurorëve, gjykatësve, ti ndjekin, ti nxjerrin në gjyq.

Në rafshin politik, me serbët jemi fit, të barabartë. Neve na quajnë terroristë, ne ata kriminelë.

Tjëtër është politika, tjetër drejtësia.

Ke bërë krim, ngulesh. Të kap shpata e drejtësisë.

Te ne politika i "hipë" drejtësisë.

Supozimi i pafajësisë, si kategori kushtetuese e ligjore, vlen edhe për Rikalon.
Publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij "Zotërinj porotë", prokurorët e gjykatësit i quan rrogtarë të shtetit, por kjo në shtetet demokratike nuk don të thotë se ata janë përfaqësues të shtetit.

Qeveria e re është e brishtë. Kryeministri Ramush Haradinaj qëndron me një këmbë. Ai është ndërmjet dy zjarreve, ta shkarkoj ministrin Nenad Rikalon, apo t'i jap vetës autogol...

Çfarë hapi do të ndërmerr Ramushi, pritet të shihet.

Lexo të tjera