11:28 / E hënë, 13 Mars 2017

“Model Wettingu” për sistemin e drejtësisë në Kosovë

“Model Wettingu” për sistemin e drejtësisë në Kosovë

Shkruan: Mr.Sc. Egzon Qovanaj (Magjistër i Shkencave Juridiko-Penale)

“MODEL WETTINGU” PËR SISTEMIN E DREJTËSISË NË KOSOVË

“Wettingu” apo i njohur si “Reforma e Drejtësis” është alternativa garantuese për një sistem të drejtësis në Kosovë të pavarur, të paanshem dhe të pakorruptuar, duke i’a kthyer opinionit publik besimin në drejtësi s’i dhe Kosova të jetë e gatshme në plotësimin e kritereve “Acsquis communautaire” dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit perendimor, të cilat synojnë integrimet evropiane.

Sistemi i Wetting-ut është duke u aplikuar ne Shqiperi, pasi që Bashkimi Evropian e kërkoi si kusht për permbushjen e kritereve juridike. Këto kushte do të perfshijnë, një sistem të drejtësisë tërësisht të pavarur, e aftë për të luftuar korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar, dhe gjithashtu t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëvë. Rrjedhimisht, “Wettingu” do të përfshin rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si: kontrollin pasurisë, kontrollin e figurës dhe kontrollin etiko-profesional  Në përmbushjen e këtyre kushteve, shteti Shqiptar ka marrë perkrahje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke angazhuar ekspertë të cilët ndihmuan në hartimin e draftit të Reformës në Drejtësi. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë e ka votuar njëzëri me 140 vota pro Ligjin e Wetting-ut, dhe tani i mbetet implementimi në praktik.

Proceset e Integrimeve Evropiane për Republikën e Kosovës janë sfidat kryesore të institucioneve të sajë, mirëpo për t’i arritur këto synime, Kosova duhet t’i ketë institucionet funksionale dhe të pakorruptuara. Kur themi institucione të pakorruptuara, këtu duhet të përfshihen të gjitha nivelet institucionale të Kosovës të cilat janë kategori kushtetuese me theks të veçantë sistemi i drejtësisë. Integrimet Evropiane për Kosovën kanë filluar me procesin e liberalizimit të vizave, me çka i është kërkuar luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një nga dy kushtet e fundit të liberalizimit të vizave. Nga kjo konstatohet qartë se insitucionet e pakorruptuar janë faktore relevantë euro-integruese. Në këtë drejtim, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka kaluar në tranzicion me shumë vështirësi dhe ende vazhdon të ketë mos efikasitet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këto ngecje të sistemit të drejtësisë ekzistojnë faktorë të ndyshëm, të cilat duhet të përmirësohen përmes reformave.

Në vështrim historik, reformimin e parë të sistemit të drejtësisë e kishte bërë UNMIK-u (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) menjëherë pas përfundimit të luftës. Ky mision ndërkombëtar më shumë kishte bërë rishikim të sistemit të drejtësisë në një gjendje emergjente dhe kishte adresuar sfidat afatshkurta. UNMIK-u kishte krijuar sistemin e drejtësisë emergjente të përbërë nga prokurorë dhe gjykatës vendor, duke trashëguar strukturë të gjykatave, strukturë të prokurorive, ligje, dhe mentalitet të së kaluarës, përkatësisht të sistemit komunist. Statusi i pazgjidhur i Kosovës kishte lënë peng edhe reformat e sistemit të drejtësisë, duke lënë këtë sistem tëresisht nën pushtetin suprem të Përfaqësuesit Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP). Megjithatë, për të dalur nga sistemi i kaluar, në vitin 2004 u nxjerren ligje dhe u themeluan institucione të cilat ndikuan pozitivisht në sistem të drejtësisë. Gjersa, deri në vitin 2008, kanë ndodhur reforma të cilat më shumë janë ndërlidhur me bartje të kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët. Reformat më substanciale dhe multi-dimensionale janë intensifikuar pas pavarsisë së Kosovës, dhe me këtë rast, u miratua dhe hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ky akte i ka hapur rrugën krijimit të legjislacionit, rregullimin e institucioneve të pavarur të sistemit të drejtësisë, ku në bazë të OSBE-së, reformat legjislative dhe në sistemin e drejtesise përfshijnë një numër të madh të ligjeve sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisarit. Gjithashtu, misioni UNMIK-ut u zëvendësua me misionin EULEX. Në janar të 2013 hyrën në fuqi një mori ligjesh të bazuara në sistemet e shteteve evropiane. Rolin më të theksuar e kanë diktuar ligji për gjykatat, ligji për prokurorin e shtetit, ligji për prokurorinë speciale. Këto ligje e riorganizuan strukturën e sistemit gjyqësor dhe strukturën e sistemit prokurorial. Me këto procese janë zhvilluar edhe proceset e ri-emërimet dhe emërimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, megjithatë këto kanë qenë më shumë formalitet në sistem sepse thithja e kuadrove ekzistuese në sistem, assesi nuk kanë mundur të rrisin efikasitetin, të luftojnë korrupsionin dhe të kthejnë besimin në sistem të drejtësisë. Raporti i vitit 2010 nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, kishte konstatuar kualitetin e dobët të gjtqtarëve dhe prokurorëve, ku nga 898 kandidatë, vetëm 418 prej tyre kanë kaluar testin fillestar dhe të etikës, ndërsa vetëm 334 janë emëruar. Përgjithësisht, procesi kishte përfunduar me 274 gjyqtarë dhe 60 prokurorë të ri-emëruar dhe emëruar, duke lënë kështu 98 pozita për gjykatës dhe 29 pozita për prokurorë të pa plotësuara. Megjithatë, këto pozita u plotësuan me paraqitjen e nevojës për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e lëndeve të paperfunduar. Këtu kontribut të madhë kanë dhënë edhe projektet Bashkimit Evropian dhe projektet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përmes investimeve të ndryshme kanë ofruar kushte më të mira në gyqësor dhe trajnime të mjaftueshme. Të gjitha këto investime ndërkombëtare nuk u perfillen në mënyrën e duhur nga institucionet e Kosovës sepse raportet ndërkombëtare dhe hulumtimet e pavarura nga ekspertët vendor, tregojnë gjendjen se sistemi i drejtësisë nuk është efikas në ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe është i ndikuar nga faktorët e ndryshëm. Proceset e ri-emërimeve dhe emërimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve janë ndikuar nga politika dhe personat zyrtar të cilët janë prej kohesh në sistem të drejtësisë. Këta persona zyrtar nuk kanë bërë ndryshime të mjaftueshme, por vetëm rrotacione, p.sh. një kryeprokuror i themelores pas mandatit të brisht është avancuar në prokurori të apelit apo prokurorinë speciale. Performanca e disa prokurorëve ose gjyqtarëve ka qenë joefikase dhe disa prej tyre janë hetuar për korrupsion, si dhe lidhjet e tyre me njerëz të krimit të organizuar. Këto shqetësime disa here i ka prezantuar Agjensioni Kundër Korrupsionit, mirëpo disa prej tyre janë hetuar formalisht apo nuk janë hetuar fare deri më tani. Për korrupsionin dhe ndikimet politike janë adresuar kritika nga çdo zyrtar ndërkombetar, e në veçanti nga Ambasada Amerikane, Abasada e Mbreterisë së Bashkuar, Ambasada Gjermane etj. Gjithashtu, këto ambasada kanë ndihmuar edhe me trajnimet profesionale dhe avansime profesionale përmes bursave studimore. Ndikimet politike në sistem të drejtësisë i hasim në situatat e prolongimeve të seancave gjyqësore, ku rastet më të freskta janë gjykimet e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve komunal apo ministrave dhe ish-ministrave të dyshuar për aferat korruptive. Nga ana tjetër, duhet t’provuar lidhjet e strukturuara ndërmjet prokurorëve dhe gjyqtarëve Kosovar me ato të Shqipërisë. Këto lidhje strukturore të organizuara mund të jenë bërë për t’i ndihmuar personave të dyshuar për vepra penale. Dyshimet për këto janë provuar ndaj Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët janë pasuruar brenda një periulle shumë të afërm kohore dhe nuk dihet prejardhja e saj. Këta prokuror dhe gjyqtarë kanë bërë investime të majme biznesore, duke ndërtuar hotele dhe restorante luksoze, vetura luksoze. Dyshime tek prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit të drejtësisë në Kosovë, mund të provohen përmes një procesi të Wettingut “copi pas” s’i në Shqipëri. Nga ky proces, mund të provohen dhe zbulohen pasurime të kundërligjshme, biznese të cilat mund jenë investuar tërthorazi nga prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, villa-shtepia luksoze në viset malore-turistike të Kosovës dhe në bregdetet e Shqipërisë. Të gjitha këto pasurime mund të provohen përmes ngritjes së trupave drejtuese të ekspertëve të rinjë dhe ekspertëve ndërkombëtar, të cilët do të shqyrtojnë pasurimin dhe sfondin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që të perjashtohen nga sistemi i drejtësisë të korruptuarit. Domosdoshmërisht, të gjithë personat zyrtar të cilët janë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe të afërmit e tyre duhet të hetohen nga ky trup drejtues për pasurimin dhe prejardhjen e saj, gjithashtu të hetohen për lidhjet e tyre të mundshme me botën e krimit përmes kontakteve të drejtëpërdrejta apo përmes komunikimeve elektronike. Nga këto hetime të kuptohen aferat mundshme korruptive, ndikimet e mundshme politike, pasurimet e kunderligjshme etj. Ҫështje tjetër e rëndësishme do të ishte figura e prokurorit shtetërorë, figura e gjyqtarit dhe figura e çdo personi zyrtar që punon në organet e sistemit të drejtësisë. Në këtë prizëm, të bëhet ri-vlerësimi etikës profesionale, morale dhe ligjore. Për të vazhduar më tutje, do të ishte e nevojshme të analizohen emërimet e reja që po bëhen në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në kontekst me këtë, gjyqtarët dhe prokurorët aktual, mund të provohet se po ndikojnë direkt apo indirekt në rekrutim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinjë, të cilët janë anëtarë të ngushtë familjarë, p.sh. mund të provohet se gjyqtari po ndikon në emërimin e fëmijës së tij në fazën e rekrutimit qoftë s’i prokurorë apo gjyqtarë. Nën kushte të barabarta mund të provohet diskriminimi i kandidatit pa ndikim familjar apo politik. Nepotizmi i tillë mund të provohet edhe në pozitat e shërbyesve civil (zyrtari ligjor, sekretarët juridik, referent etj), në këto pozita punësohen kandidatët të cilët kanë një anëtarë të familjes në sistem të drejtësisë. Për të gjitha këto arsyetohen se “Dardha pik n’Dardhë” por në situata të tilla mund të provohet se “I korruptuari pik t’Korruptuar”. Prandaj mund të konkludojmë se me keto politika dështuese nuk do të kemi progres në drejtësi, por vetëm përseritje të episodeve karshi qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk kanë besim në gjyqësorë. Më tej mund të themi se pretenduesit për prokuror dhe gjyqtar nuk i shohin këto pozita për kontributdhënje por s’i vende pune.   

Duke analizuar situatat e mundshme dhe për t’i larguar dyshimet e mundshme, nga këndvështrimi professional do të doja një ri-vlerësim të sistemit përmes një wetting-u, i cili do të ishte proces substancial për reformim të drejtësisë, me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtesise.  

Lexo të tjera