23:45 / E enjte, 08 Dhjetor 2016

Muri "kinez" dhe (mos)aktivizimi i buldozerit të shtetit !

Muri "kinez" dhe (mos)aktivizimi i buldozerit të shtetit !

Shkruan: Agim Muhaxheri

Para syve të qeveritarëve të Kosovës, paqeruajtëve të NATO-s, bandat e Alekasit (Vuçiqit) marrin guximin, ngrehin murin gjigant skaj urës së lumit Ibër. Kjo nuk është cikërrimë, apo jo ? Dhe ti vazhdon, bën politikë me palën serbe në Bruksel !

----------------------
Para syve të qeveritarëve tanë, paqeruajtësve të NATO-s, bandat e Aleksit (Vuçiqit) marrin guximin, ngrehin murin gjigant skaj urës së lumit Iber.
Politikanët tanë reagojnë sa për sy e faqe.
Cili do të jetë hapi i Bashkimit Europian (BE) për ta "sanuar gjendjen" ?
Dikur flitej për barikadën në urën e lumit Ibër, tash ngritet zëri kundër murit.
Flitet për murin "kinez", ndarjen e theksuar të qytetit të Mitrovicës.
Vazhdon loja me nerva.
Isa (Mustafa) përjashtoi përdorimin e "muskujve". Muskujt, sipas tij, janë vetë ligji, i cili, në rastin konkret, duhet të "respektohet pikë për pikë".
Si të zbatohet ligji ?
Të aktivizohet buldozeri i shtetit ?
Në rrethanat politike, çfarë janë krijuar, buldozeri "del nga loja".
Nëse nuk tregohen "dhëmbët", ligji mbetet vetëm në letër.
Ligjet në letër s'i vyen shtetit.
Nuk është hera e parë që Isa e zë në gojë ligjin.
Agim Bahtiri, i pari i Mitrovicës, vajti në "vendin e ngjarjes". Këtij si me dara ia nxorën fjalët gazetarët. Pritoi ai të jep deklaratë, ngase i ka njëqind punë...
Gazetarët ia matën pulsin Gimës, ngase këtë s'e vetë kush.
Nuk po e vesin Isën, lëre më Gimën.
Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, pas takimit me zyrtarët e BE-së, e përmendi ligjin. Ajo u shpreh se ky mur do të rrënohet "së shpejti".
Kur është ajo - "së shpejti" ? Gjatë këtij dimri, në pranverë, apo verës ?
Ligji vepron "erga omnes", njësoj për të gjithë. Ai është si llastiku. Për dikë është nënë, për tjetrin njerkë.
Ligji ynë s'vlen matanë lumit Ibër.
Matanë lumit Ibër është xhungla, vlejnë ligjet e xhunglës.
Me murin gjigant merret edhe gazeta online "Veçernje novosti" e Beogradit. Ajo shkrimin e saj, të ilustruar me fotografinë e të parit të qeverisë sonë, e nis me shprehjen "takozvani" (i ashtuquajturi) kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa...
Zhargoni i "ashtuquajturi" flet se Serbia armike po vazhdon ta forcojë pushtimin e saj matanë lumit Ibër.
Një send që shihet, nuk do kallauz.
Politikanëve tanë s'u ka mbetut tjetër pos të "qajnë dërrasa", të rrahin ujë në havan.
Dhe ata vazhdojnë të bëjnë politikë me palën serbe në Bruksel.
Mund ta zënë në gojë murin gjigant, sipas asaj, të rrënohet, apo të mbetet ashtu siç është...
Normalizimi i marrëdhënieve me palën serbe, edhe sa i përket murit në fjalë, është vetëm një farsë.
Me farsa nuk bëhet normalizimi i marrëdhënieve.

Temat:
Lexo të tjera