11:07 / E martë, 15 Gusht 2017

Në kujtim të Arbën Xhaferit

Në kujtim të Arbën Xhaferit

Shkruan: Izmi Zeka

Këto muajt e fundit, shqiptarët patën dy humbje të mëdha. Së pari, na la Ali Podrimja, kurse pak kohë pas tij edhe Arbën Xhaferi. I pari, njëri nga poetët më të mëdhenj të kombit tonë, dhe i dyti njëri nga intelektualët, politikanët, publicistët po ashtu më të mëdhenj të kombit. Vdekja e këtyre dy kolosëve tanë, ngriti edhe një çështje që ka të bëjë me neve të gjallët. Pse duhet pritur vdekjen e dikujt, për tu kthyer vëmendja tek ai, për ta kuptuar madhështinë e tij? Pse nuk po mund ‘ti shohim të flasim për njerëzit e mëdhenj sa janë gjallë,por vetëm pas vdekjes së tyre?...

Kur u dha kumti për vdekjen e Arbën Xhaferit, sikur vetëm atëherë na u kujtua se duhej të flisnim për të. Dhe vërtetë u fol e u shkrua mjaftë këto ditë, por natyrisht nuk u tha e tëra, se për një intelektual, politikan, publicist... si Arbni, duhet shumë kohë dhe është shumë e vështirë për tu thënë e për tu kuptuar e tëra.

Vërtetë është e vështirë si ta përkufizosh në aspektin intelektual e profesional Arbën Xhaferin. Ta quash politikan nuk ishte vetëm politikan, ta quash publicist nuk ishte vetëm publicist, filozof jo vetëm filozof, veprimtar jo vetëm veprimtar... Dhe shprehja më e drejtë që më bie ndërmend është fjala krijues. Ai ishte krijues i politikës, i publicistikës, i zhvillimeve shoqërore në përgjithësi... Arbën Xhaferi më mirë se gjithë të tjerët, diti që të mbledhë, të zgjedh e të bashkojë copëzat e mendimeve e ideve politike në mozaikun e vështirë të veprimit politik tek ne, për t’i vënë këto në funksion të zhvillimit të aspiratave tona. Të gjitha dhuntitë e tij, Arbën Xhaferi, më mirë se të gjithë të tjerët, i dyzoi në përpjekjet e tij, për të emancipuar njeriun tonë, për të trasuar rrugën e vështirë të ecjes përpara të kombit.

Arbën Xhaferi ishte i papërsëritshëm edhe për një gjë. Ai ishte ndër te vetmit që i takonte Kosovës po aq sa Maqedonisë, i takonte Maqedonisë po aq sa Shqipërisë. Me një fjalë ai i takonte gjithë gjeografisë shqiptare, prandaj edhe angazhimi krijues i tij ishte i tillë, gjithëkombëtarë.

Arbën Xhaferi hyri si intelektual në politikë për ta intelektualizuar politikën, gjë që edhe e ka arritur. Duke jetuar në një kohë të thyerjeve të mëdha, në një kohë të dilemave e vështirësive të mëdha, në një kohë kur populli i tij duhej të nisej nga zeroja për të arritur të drejtat e tij kombëtare e shtetërore, Arbni me idetë, mesazhet, projektet, qëndrimet, strategjitë e platformat e tij arriti që këto aspirata t’i ngris në shkallën e realizimit.

Arbni, ndonëse aty-këtu i cilësuar si nacionalist, ai në radhë të parë ishte edhe një humanist. Asnjë ide e tij, asnjë projekt i tij, në asnjë rast, nuk cenon të drejtat e të tjerëve. Arbni e di mirë se “ai që si takon popullit të tij, nuk mund t’i takoj as njerëzimit”. “Planifikimet tona kombëtare nuk cenojnë të drejtat e të tjerëve” e thotë në një rast ai.

Kur vdes krijuesi, intelektuali, populli nuk humb vetëm një pjesëtar të tij, por humb shumë më tepër, humb diçka nga shpirti i tij. Kjo gjë ndodhë edhe me humbjen e Arbën Xhaferit.

E tha edhe baca Adem, se sikur vetëm gjysmën e këtyre fjalëve ta kishim thënë në gjallje të tij, do t’ia kishim zgjatur jetën.

Edhe ky shkrim imi është i vonuar. Duhej të shkruaja në të gjallë të Arbën Xhaferit. Ai iku. Por le të shërbej kjo si një thirrje për të gjallët që i kemi. Të mos vonohemi edhe për ata...

Nesër apo pasnesër do të shihemi tek përmendorja e Skënderbeut në Prishtinë por jo sikur sot sepse vitet po ikin por ne duhet të kem vrapin për të njohur vetveten.

Lexo të tjera