17:33 / E hënë, 06 Mars 2017

Nëse s’bëhet ushtria, presidenti duhet të dorëhiqet

Nëse s’bëhet ushtria, presidenti duhet të dorëhiqet

Shkruan: Agron Halitaj

Tri vjet më parë, Hashim Thaçi bëri një zotim në Kuvendin e Kosovës. Ishte përvjetori i shpalljes së pavarësisë, kur para përfaqësuesve të zgjedhur, ai tha se së shpejti shteti do të bëhet me ushtri.

Ato ditë, sapo ishte përmbyllur procesi i “Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë”, dhe njëri nga rekomandimet e përpiluesve të raportit ishte edhe transformimi i FSK-së në forca të armatosura.  Krahas kësaj, procesi ishte përcjellë edhe me propozimet për ndryshime kushtetuese, ku për gjatë kohë shumica shqiptare qe përfshirë në konflikt të brendshëm vetëm rreth një germe.

Ishte shkronja “R”, që për dikë kishte simbolikë të dyfishtë, e për shumë të tjerë zgjonte pezëm e inat, pasi nuk donin që ushtria e re të thirrej FARK, ashtu siç ishte thirrur formacioni ushtarak i krijuar nga qeveria në ekzil në kohën e luftës. Përfundimisht “R” e Republikës u hoq dhe mbeti vetëm FAK – por kjo s’ndihmoi gjë.

Shqiptarët si shumicë e panë se nuk mund të bëhet ushtria pa e marrë pëlqimin e Listës Serbe. E panë se janë kurthyer me miratimin e Planit të Ahtisaarit dhe më pas janë vetëbllokuar duke ia subordinuar  këtij plani, Kushtetutën e Republikës.  E panë se “kodi i zhbllokimit” të shtetit është te dispozita kushtetuese që mundëson votimin e dyfishtë në Kuvend, por “shifrat e dekodimit” nuk i kërkuan asnjëherë.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrur konstatimin se amandamentet kushtetuese të propozuara për transformimin e FSK-së në ushtri nuk i pakësonin të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin e Dytë të aktit më të lart jurdik të shtetit, prap se prap, ato u mbyllën në sirtarë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për të mos u nxjerr kurrë më nga aty.

Pikërisht me 7 maj 2014, pa e futur fare në agjendë votimin për krijimin e ushtrisë, Thaçi e çoi qeverinë në mosbesim. Me rënien e Qeverisë, Kuvendi u shpërbë me arsyetimin se kur s’është në gjendje ta krijojë ushtrinë, s’ka pse të funksionojë. Dhe kështu, vendi shkoi në zgjedhje të reja.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve dhe pas ngërçit gjashtëmujor, në koalicionin e ri qeverisës u bënë bashkë ata që më herët e kërkonin gërmën “R”, ata që nuk e donin “R”-në dhe ata që nuk e duanë ushtrinë as me “R” e as pa “R”. Ndryshimi tjetër në lidershipin shtetëror ndodhi më vonë – Hashim Thaçi u bë president.

Ende pa i bërë një vit në krye të shtetit, ai po e sfidon Isa Mustafën e Kadri Veselin. Po kërkon nga ta që ta bëjnë ushtrinë sa më shpejt, gjë të cilën nuk kishte arritur ta bënte vetë për më shumë se dy mandate si kryeministër. Ligjërisht, si president ka të drejtë të ndërmarrë nisma ligjore sepse këtë ia garanton Kushtetuta. Veçse në esencë, baza ligjore për transformimin e FSK-së ka kohë që është gati.

Projektligji për transformimin e FSK-së dy herë është proceduar në Qeveri, më 2015 e më 2016, dhe në të dyja herët ka mbetur aty, pasi shefi i Qeverisë gjithë kohën ka pritur të bëhen ndryshimet e duhura kushtetuese. Të njëjtat ndryshimet kushtetuese i kanë kërkuar edhe aleatët e jashtëm – punë që s’bëhet në rrethanat e tanishme.

Presidenti e di mirë këtë gjë, por ka zgjedhur ta shtyjë përpara krijimin e ushtrisë edhe pa ndryshime të tilla. Ai e di se kjo gjë pëlqehet nga shumica e popullit. Për ta dëshmuar se tash e ka përnjëmend dhe se nuk po e përdor ushtrinë për populizëm, vetëm sa për t’i kënaqur shumicën qytetare, ai duhet ta bëjë të qartë një gjë: Nëse ligji nuk kalon në Kuvend, do të japë dorëheqje.

Nuk ka arsye e as logjikë institucionale që të mbetet në udhëheqje të shtetit një komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk ia mbështesin projektligjin për ushtrinë.

Ka shembuj ku mund të mbështetet.

Ish- kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, dy vjet më parë kishte thënë se nëse e humb referendumin për reformën kushtetuese që e kishte vetiniciuar, përvoja e tij politike do të konsiderohej e dështuar dhe do të tërhiqej. Reforma nuk kaloi dhe ai e mbajti fjalën – dha dorëheqje! Me këtë akt, Renzi e dëshmoi se është i guximshëm, se është në gjendje ta humbë pozitën më të lartë në Qeveri për shkak të veprimit politik të tij, e para së gjithash tregoi se edhe në politikë ka pak moral!

Lexo të tjera