13:48 / E shtune, 24 Dhjetor 2016

Ngrihe ballin shqiptar- në k​​​​​ëtë kohë festash!

Ngrihe ballin shqiptar- në k​​​​​ëtë kohë festash!

Unë jam mirë kur Shqypnia asht mirë –thoshte Isa Boletini 100 vjet më parë. Ai, që në atë kohë e kishte kuptuar mirë, nuk jemi duke e kuptuar ne sot, se pa shtetin mirë, nuk mund të jetë mirë as për personin, as për familjen dhe as rrethin e tij të ngushtë.

Kjo thënie, e thjeshtë por thelbësore e këtij patrioti e shqiptari të madhë, do të duhej të ishte rruga e ndjekur e jona, që vendin tonë, dhe gjithë hapësirat tona që për rrethana historike të pushtuesit osman dhe sllavë, nuk quhet Shqypni, me vazhdimin e tendencës që shqiptarët të rrudhen edhe më dhe të kontekstualizohen në terma gjeografike apo sllavo-otomane.
Në këtë mbramje feste, që shqiptarët që nga gjeneza e kanë kremtuar si Buzmi bujar, me i uru familjeve shnet e t’mira, e që më vonë modelohet në ritin e kulturën krishtere të Kërshëndellave, sigurisht që secili prej nesh në këtë dëshirë dhe nevojë të natyrshme – që të jemi mirë, me begati e shëndet, s ‘kemi se si të mos ndikohemi nga gjendja e përgjithshme e të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët- e që për fatin tonë jo të mirë, viteve të fundit ka njohur vetëm rënie.
Rrudhja e shqiptarit vetëm në vete, në veten e vet, në të këqijat rreth e rrotull si lutje vetëm të mos më prekin mua, ka befasuar edhe miqtë tonë që na kanë ndihmuar të vijmë te liria. Kjo zemërngushtësi, shkurtpamësi dhe ky jodinjitet është i pashembulltë në kombet e sotme, së paku evropiane, të cilët fatin e vendit, shtetit që i takojnë nuk e ndajnë nga fati i vet por e shkrijnë veten për të.
Sot, kur ne bëhemi gati në familjet tona për festë, Parlamenti i Kosovës merret me murin e vendosur midis njërit nga qytetet tona nga një shtet fqinjë, edhe sot me pikëpamje armiqësore ndaj nesh. Sot, në shtetin tonë një qeveri e papërgjegjshme e mendon udhëheqjen e shtetit si mundësi personale dhe familjare, duke e rrudhur atë dhe duke e futur shtetin fqinjë armiqësor brenda shtëpisë, duke e kthyer me marrëveshje me dhënie të pasurisë së Kosovës. Sot, kjo qeveri s’len gur pa lëvizur për t’i falë tokë të vendit të vet një tjetër shteti fqinjë, që historikisht është ndërtuar në tokë shqiptare. Sot, president i shtetit tonë, të vetmet kontakte e miqësi që ka, ështe Serbia dhe Turqia, dy vende që vazhdojnë ta konsiderojnë territorin dhe popullin tonë si të tyrën. Sot, Mali i Zi nga përfaqësimi politik ka mbetur me vetëm një deputet shqiptar, Maqedonia me vetëm 20, Lugina e Preshevës as që ështe temë, e Serbia sic e thashë , me miratimin e pajtimin e qeverisë ka hyrë brenda shtëpisë tonë duke u bërë hisedare.
Kjo gjendje nuk është vetëm rezultat i politikës por i secilit prej nesh. Sot, bashkësia Islame, udhëhiqet prej një njeriu që vetëm cështjen shqiptare nuk e ka me rëndësi. Flirtimi i tij me radikalizmin, heqja e frymës shqiptare që ishte zhvilluar me shekuj tek imamët patriot në shekuj, u zevendësua me frymën arabe deri në atë terroriste, e na kanë bërë lajme botërore prej Sirisë e deri në rastin e fundit, të turpshmin në Gjermani, ku tregohemi bukëpërmbysës dhe vrastarë. Në anën tjetër, Kisha Katolike, fole e patriotizmit dhe e vet themelimit të kombit e shtetit shqiptarë, udhëhiqet nga një ipeshkëv, që vetëm shqiptarinë nuk e ka në rend të ditës. I udhëhequr nga interesa personale dhe të një rrethi të ngushtë, të vetmin bashkëpunim e ka pikërisht me të parin e bashkësisë islame- në natyrën e tyre të matrapazllekut pa asnjë përgjegjësi ndaj popullit që i takojnë dhe të mirëqenies se tij.
Në anën tjetër, shqiptari i sotëm, në Kosovën tonë, i përngjan Fransuas së Michel Houllebecqi-it, në kërkim të përshtatjes së tij, më saktë thënë të nënshtrimit të tij, në raport me politikanët, për një vend pune apo biznesi pa asnjë kriter, përshtatjes së sllaveve që kanë rritur ndikimin e pushtetin në hapësirat tona, në përshtatje të radikalëve islamistë për modelin e jetës sipas parimeve të tyre mesjetare, e pse jo edhe tendenca të klerit katolik – në luftim të laicizmit, si mundësi e model i respektimit të dinjitetit të njeriut dhe dhënies së mundësive të barabarta.
Në këtë kohë festash, në një ambient politik, kulturore kombëtar më të zymtë se asnjëherë, në një klimë sic tha me të drejtë Dr. Blyta, të venitjes së shpresës, ne do të duhej të mbledhim forcë për të kujtuar atë burrë të madh që përmenda në fillim – Isa Boletinin, që shkriu veten e familjen, për ta bërë Shqypninë mirë, vendin e tij mirë. Se, sic thoshte At Gjergj Fishta, këtë Tokë, vet Zoti shqiptarëve ua ka dhanë! Sot, do të duhej që të mos kemi frikë, të mos ikim nga vetvetja, të mos bëhemi qyqe të nënshtruara e të tjetërsuara– por të ngrehim ballin lartë, në vendin tonë, n’Tokën tonë!

Lexo të tjera