22:11 / E martë, 21 Shkurt 2017

Një Ofertë e Pamoralshme!

Një Ofertë e Pamoralshme!

Shkruan: Bilall Sherifi

Opozita në vazhdimësi ka deklaruar se përfshirjen e kushtit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi në procesin e liberalizimit të vizave e ka kërkuar qeveria e Kosovës. Në anën tjetër qeveria gjithnjë e ka mohuar një gjë të tillë. Nga ajo që tha mbrëmë eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën Tanja Fajon në Interaktiv të KTV-së, del se opozita e ka thënë të vërtetën. Ajo, në pyetjen e gazetarit se “A ishte kërkesë e qeverisë së Kosovës për të përfshirë demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave” tha se “këtë nuk e din” por se zakonisht, e kështu ka qenë rasti edhe me Kosovën, kushtet për liberalizimin janë dakorduar nga të dyja palët, pra nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni.  Kur Fajon thotë se “nuk e din se a është kërkuar nga qeveria përfshirja e këtij kushti”, ajo nuk e mohon një gjë të tillë, por vetëm thotë se ajo “nuk e din”.

Kur një politikane e nivelit të eurodeputetes Fajon, e cila është e përfshirë deri në detaje në çështjen e Kosovës thotë se “nuk e din” është një konfirmim i tërthortë i asaj që ka thënë në vazhdimësi opozita. Ajo ka mundur ta mohojë mbrëmë atë që e ka thënë opozita, por nuk bëri, sepse ajo e din mirë, se e vërteta herë do kur do të merret vesh, prandaj duke mos e mohuar ajo kujdeset që në të ardhmen të mos del gënjeshtare.

Gjithashtu, përmes mos mohimit të kësaj deklarate të opozitës, ajo praktikisht nuk pranoi ta vërtetojë gënjeshtrën e qeverisë se nuk janë ata që kanë kërkuar përfshirjen e kushtit të demarkacionit në procesin e liberalizimit të vizave. Përveç kësaj, ajo në vazhdim të intervistës konstaton se “megjithatë kushtet për liberalizim të vizave caktohen nga të dyja palët”. Pra, sipas kësaj që thotë Fajon, kushtet nuk qenkan diçka që caktohen njëanshëm nga komisioni, kështu na është thënë vazhdimisht nga qeveria, por qenkan derivat i një procesi të bisedimeve mes qeverisë dhe Komisionit. 

Por si do që të ketë qenë thotë Fajon në vazhdim, tani ky është një fakt i kryer prandaj demarkacioni duhet të kryhet. Pra, bazuar në atë që tha Fajon, Kosova duhet të pranojë një marrëveshje të dëmshme vetëm se kjo na qenka një fakt i kryer të cilin e ka sjellë një qeveri për të cilën vet raportet e tyre deri më tani thonë se është thellësisht e korruptuar. Ajo në asnjë moment nuk pranoi të përfshihet në atë se a është i saktë dhe i drejtë ky version i marrëveshjes së demarkacionit apo jo, sepse sikur tha, nuk është punë e saj të dijë se a humbë apo jo Kosova territor me këtë marrëveshje. Ajo që asaj i intereson është plotësimi pa kushte i këtij kushti, vendosjen e të cilit opozita dhe shumica e qytetarëve besojnë se e ka kërkuar qeveria e Kosovës në funksion të zgjatjes së sundimit të tyre. 

Në të njëjtën intervistë Fajon foli edhe për “kushtin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Ajo për këtë kusht tha se “nuk është zgjidhur” por “kemi parë përparim”. Megjithatë, shikuesve iu mbeti borxh t’ju tregojë se ku e ka parë ajo këtë përparim. Ajo që të bën përshtypje është fakti se Fajon mbrëmë më shumë i kushtoi rëndësi kushtit të ratifikimit të demarkacionit sesa kushtit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo më kujtoi tregimin që vjen përmes filmit me aktorët Robert Redford dhe Demi Moore “An Immoral Offer” “Një Ofertë e Pamoralshme”. Mënyra si i trajtoi në intervistë mbrëmë këto dy kushte të krijon përshtypjen se qevrisë i është bërë një ofertë se nëse do të arrijë të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion, komisioni do të shqyrtojë mundësinë që në raportin e ardhshëm të progresit për Kosovën, plotësimin e kushtit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit ta vlerësojë me kritere më të zbutura. 

Mirëpo, Fajon gjithashtu theksoi se edhe nëse miratohet demarkacioni tash, liberalizimi mund sërish të marrë vite, dhe se këto kushte vlejnë vetëm për Komisionin aktual, ndërsa se si do të veprojë komisioni i ardhshëm që do të del pas zgjedhjeve për parlamentin evropian që do të mbahen vitin tjetër ajo nuk mund ta dijë. Tani, duke pasur parasysh rritjen e forcave skeptike ndaj vet Bashkimit Evropian, si në Gjermani, Francë, Holandë etj, dhe në veçanti mbi integrimin e ballkanit perëndimor del se liberalizimi i vizave në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e rëndësishme e territorit të Kosovës nuk është i sigurtë. 

Koha do ta vërtetojë se nëse eventualisht do të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit, gjë që nuk e besoj, po nga ata, pra BE, do të mund të na thuhet se megjithatë “kushti i luftës kundër krimit dhe korrupsionit” nuk është plotësuar, përkundrazi është përkeqësuar.  Në rast të ratifikimit eventual të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacion të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, deputetët e Kosovës nuk i bëjnë asnjë shërbim Kosovës, përkundrazi ia bëjnë dy dëme të mëdha, heqin dorë përgjithmonë nga një pjesë e rëndësishme e territorit të Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër ia zgjasin jetën qeverisë më të dështuar në historinë e Kosovës së pasluftës.  Jam i bindur se shumica absolute e qytetarëve të Kosovës kurrë nuk do të pranonin të bënin një këmbim të tillë.


Lexo të tjera