16:39 / E premte, 16 Qershor 2017

Parimet themelore kushtetuese- formimi i institucioneve të reja

Parimet themelore kushtetuese- formimi i institucioneve të reja

Republika e Kosovës, ka adoptuar një sistem kushtetues i cili procesin e formimit dhe funksionalizimit të institucioneve pas procesit zgjedhor, e mbështetë fort mbi legjitimitetin demokratik qytetar, shumë më shumë se sa në atë parlamentar. 

Ekzistojnë një varg dispozitash kushtetuese, rregulla të tjera në ligjet dhe rregulloret, tërësia e së cilave plotësojnë apo kornizojnë sistemin kushtetues kur është fjala  për mënyrën e zgjedhjes dhe konstituimit të institucioneve vitale të Republikës së Kosovës, të cilat e mbështesin parimin e legjitimitetit demokratik (qytetar) para atij parlamentar.

Ta zëmë tek instrumenti i mocionit të mosbesimit të qeverisë në kuvend. Nëse shumica e vendeve të rajonit (Shqipëria, Maqedonia etj), në momentin e rrezimit të qeverisë, shumica e re parlamentare e cila tashmë e ka rrëzuar qeverinë, propozon emrin e kryeministrit dhe të qeverisë së re e cila vjen në detyrë dhe vazhdon mandatin i cili lidhet me kohezgjatjen e asaj legjislature. 

Në Kosovë kjo nuk ekziston. Nëse ndodhë rrëzimi i qeverisë, atëherë kemi drejtëpërdrejtë shpërbërje të Kuvendit dhe zgjedhje të reja. Pra, kjo ndodhë pikërisht, se hartuesit e kushtetutës kanë propozuar një formulë që mbështetet në legjitimitet demokratik të pushtetit dhe jo në matematika parlamentare.  Kjo është pikërisht arsyeja pse propozimi i Kryetarit të Kuvendit i takon ekskluzivisht partisë apo koalicionit fitues në zgjedhje, pavarësisht se një shumicë e re e rikrijuar apo sajuar brenda 120 deputetëve, mund ta kundërshtojë politikisht një gjë të tillë.  Kjo është saktësisht arsyeja pse kushtetuta nuk i njeh koalicionet apo bashkimet e grupeve parlamentare pas zgjedhjeve por vetëm para zgjedhjeve (para se te shprehet sovrani). 

Ky rregullim përforcon peshën elektorale të trupit elektoral të Kosovës, përballë kalkulimeve politike parlamentare, kur dihet se ndryshojnë esencialisht kushtet dhe rrethanat politike e elektorale të lidhjes së koalicioneve para dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve. Zgjedhjet e fundit e vërtetuan katërcipërisht një argument të tillë të cilin Kushtetuta jonë e ka sanksionuar me kohë. Dallimi kushtetues i pozitës së një koalicioni para apo pas zgjedhor qëndron në faktin se koalicioni parazgjedhor ka prapa vetës çertifikimin e caktuar elektoral, pra dihet se si dhe sa e ka votuar trupi elektoral, ndërkohë që ato paszgjedhore nuk e kanë këtë cilësi.

Hipotetikisht, me lehtësi mund të ndodhë që numrat e prodhuara nga bashkimet pas elektorale mund të mos e kenë aprovimin popullor si të tilla, pra si koalicione. Kjo është pikërisht arsyeja pse, sipas sistemit kushtetues piramida e të cilit është Kushtetuta të cilin e ka adoptuar Republika e Kosovës mandatari i qeverisë i takon partisë apo koalicionit fitues, të plotë apo relativ, të propozojë dhe të udhëheqë me procesin e konsultimit për krijimin e qeverisë së re. Në rastin e parë, mandatari mandatohet nga Presidenti i Republikës direkt. 

Nëse mandatari i parë nuk ja del të sigurojë shumicën e nevojshme, (legjitimimi brenda parlamentit) atëherë, Presidenti i Republikës, aktivizohet sipas rolit të tij kushtetues si kujdestar i garantimit të funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, i cili duhet të thërras të gjithë përfaqësuesit e partive politike për të gjetur zgjidhjen. Zgjidhja mund të jetë: ose arritje e një marrëveshje, ose dhënie të mandatit partisë apo koalicionit të dytë por kjo e fundit mund të bëhet vetëm nëse partia apo koalicioni i parë e jep pëlqimin presidentit që ky ta kalojë mandatin tek i /e dyti/a. Nëse e para, nuk e jep këtë pëlqim, atëherë Presidenti nuk mund ta mandatojë të dytin, duke qenë se në këtë mënyrë thyen parimet e sistemit kushtetues. Në këtë rast do të kishim një precedent i cili do ta ndryshonte Kushtetuten pa procedurë kushtetuese.  

Në këtë situatë pas zgjedhore në Republikën e Kosovës, ashtu siç PAN është i varur nga numrat në parlament për të sëndërtuar të drejtën e saj për të qeverisur, edhe VV apo LAA janë po aq të varura nga PAN për të siguruar procedurën kushtetuese të marrjes së mandatit. 

Shkruan: Bislim Bislimi.

Lexo të tjera