17:31 / E martë, 05 Shtator 2017

Përmbushja e politikës me përmbajtje

Përmbushja e politikës me përmbajtje

Evropa gjatë historisë së saj ka përjetuar sisteme të ndryshme politike, ekonomike, sociale e fetare. Të gjitha sistemet kanë qenë të drejtuara, nëse jo të instrumentalizuara, nga formacione e elita nga më të ndryshmet, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre në pothuaj të gjitha sferat e zhvillimit mbarë-shoqëror. Varësisht nga fuqia e këtyre formacioneve dhe elitave kanë rezultuar dhe sistemet qeverisëse gjithandej.


Ndër sistemet më të avansuara të gjertanishme të orientimit dhe menaxhimit të shoqërive është demokracia parlamentare e Mbretërisë së Bashkuar e themeluar me “Përfaqësimin e Aktit Popullor të vitit 1832” si baza e sistemit elektoral e Anglisë dhe Uellsit. Kjo frymë pastaj ka vazhduar në Skoci, Francë, vende skandinave e kështu me radhë. Evropa, edhe pse e ‘kapluar’ nga demokracia parlamentare, ende nuk ka mundur ta kompletojë frymën e saj të tëqenurit demokraci parlamentare me qeverisje që kanë legjitimitet shumë-dimensional moral e qytetar. Për këtë do të duhet kohë, mund dhe para se gjithash frymë pozitive.

Bile bilendërvarësia e madhe mes shteteve, mekanizmave e organizatave të panumërta ndërkombëtare, që kanë përfshirë botën si rezultat i globalizmit e frymës neolibarale, kanë rezultuar të jenëkontra-produktive sa i përket zhvillimit të demokracisë parlamentare. Kjo sepse dinamikat e zhvillimeve të shpejta globale kanë ecur shumë më përpara se sa demokracitë parlamentare dhe si rezultat i kësaj sistemet parlamentare ndihen të pa-përmbushura me rolin që do të duhej ta luanin në legjitimimin e zhvillimeve brenda dhe mes shteteve për të mirën e përgjithshme të shoqërive. Duke qenë në një gjendje të tillë përfshirja e qytetarisë në vendim-marrjet politike në momente të caktuara duket të jetë e pa-mjaftueshme.

Në qoftë se kthehemi pak në të kaluarën shohim që demokracia parlamentare në Evropë ka më pak se 200 vite jetë, krahasuar me periudhën mbi 10 shekullore të Evropës fetare. Ndërkohë që të arriturat e njerëzimit gjatë kësaj periudhe të demokracisë parlamentare janë pa-krahasimisht më të mëdha se sa gjatë periudhës së errët fetare. Mirëpo, edhe kjo demokraci parlamentare që ne e njohim sot, shtrirjen më të madhe në Evropë e ka përjetuar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas rënies së perdes së hekurt në vitin 1990.

P.sh. Sistemi i mirëfilltë demokratik parlamentar në Gjermani fillon pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 sepse ky vend nga viti 1945 deri në vitin 1989 kontrollohej nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore dhe rrjedhimisht çdo zhvillim në këtë vend kontrollohej nga forcat pushtuese. Evropa Qendrore, Jugore, dhe Juglindore kanë filluar të përqafojnë vlerat e demokracisë parlamentare vetëm pas vitit 1990, pra pas rënies së komunizmit. Qytetaria e ish-vendeve komuniste ende nuk ndihet e përmbushur nga fryma e demokracisë parlamentare. Kjo ndodh për arsye të shumta e ndër to është përvoja e shkurtë kohore dhe ngjizja e pamjaftueshme e demokracisë parlamentare në mjedisin dhe mentalitetin shoqëror të këtyre shteteve; pastaj vullneti i pa-mjaftueshëm politik për avansuar në këtë drejtim si rezultat i elitave politike me deficite demokratike në mentalitetin e tyre.

Ndërkohë që, Kosova sistemin demokratik parlamentar të qeverisjes e përjeton vetëm pas shpalljes së pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008, sepse më herët ishte e menaxhuar nga Kombet e Bashkuara ashtu siç ishte e menaxhuar Gjermania nga fituesit e luftës së dytë botërore, SHBA, Britania e Madhe, Franca e Rusia. Pra, shikuar përgjithësisht, sistemi demokratik parlamentar i mirëfilltë në një pjesë të konsiderueshme të Evropës fillon vetëm pas vitit 1990 ku më pak e ku më shumë. Të gjitha qeveritë e Evropës pas luftës së dytë botërore shikoheshin me llupë nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik dhe se pa ‘lejen’ e superfuqiveishte e pamundshme të vije në pushtet. Kjo mbikëqyrje rigoroze e dy superfuqive orientonte dinamikat zhvillimore në tërë Evropën.

Edhe brenda për brenda demokracisë parlamentare ka dallime varësisht nga zhvillimet politike, ekonomike e sociale nëpër të cilat kanë kaluar vende të ndryshme të Evropës. Përderisa Evropa Perëndimore në masë të madhe tashmë udhëhiqet nga demokracitë parlamentare përmbajtësore, Evropa Qendrore (me nuanca të vogla) dhe me theks të veçantë ajo Juglindore ende nuk ka mundur të tejkalojë demokracinë parlamentare procedurale. Si rezultat i kësaj forme të qeverisjes, qeverisjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, për dallim nga qeveritë e Evropës Perëndimore, shpesh janë të kontestuara, nuk kanë mbështetjen e gjerë popullore, më shumë bazohen në procedura se sa në legjitimitet qytetar, në përgjithësi janë të ‘mveshura’ me deficit të theksuar demokratik (shih zhvillimet në Poloni, Hungari, Ballkan, etj).

Përvoja e vogël në demokraci parlamentare reflekton edhe në shpirtë-ngushtësinë e qeverisjes së institucioneve të vendit, në kalkulime ditore e jo strategjike të spektrit politik për përfitime personale e grupore, jo-stabilitetin qeverisës të shteteve, nivelin e lartë të korrupsionit dhe ngecjen e reformave të gjithmbarshme të vendeve. Me një fjalë qytetari i Evropës Juglindore ende nuk e ndien veten të përmbushur dhe të përfaqësuar në mënyrë të denjë nga spektri aktual politik. Si rezultat i besimit të ultë në institucionet shtetërore rajoni është duke u përballur me shkallë të lartë emigracioni, rënie të fuqisë blerëse, të hyra më të vogla dhe produktivitet të vogël ekonomik.

Meqë spektri politik i Evropës Juglindore ende nuk po mundet të del nga demokracia procedurale, atëherë demokratizimi i tij është parakusht për zhvillimin e demokracisë në të gjitha dimensionet e saj. Historiani i njohur grek Herodoti, e cilësoi demokracinë si “atë formë të qeverisjes në të cilën fuqia supreme e shtetit i është dhënë në duart e bashkësisë si tërësi”. Ndërkohë që definicionin më modern të demokracisë e ka dhënë ish-Kryetari i SHBA-së, Linkoln, i cili thoshte që “demokracia është qeveria e popullit, për popullin dhe nga populli”. Në qoftë se analizojmë vlerësime të ndryshme mbi shkallën e zhvillimit të demokracisë nëpër pjesë të ndryshme të Evropës, shohim që niveli i zhvillimit të demokracisë parlamentare në Evropën Juglindore është në fazat fillestare të saj.

Duhet patur parasysh që zhvillimet e ndryshme në glob pashmangshëm reflektojnë në dinamikat zhvillimore të demokracive në Evropë dhe më gjerë. Kriza globale financiare e vitit 2008 ka injektuar trende negative të zhvillimit demokratik nëpër vendet ish-komuniste të Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas një Raporti të FreedomHouse flitet që “në vitin 2017, më shumë se gjysma e 29 vendevetë përmendura në raport (vendet ish-komuniste të Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik)kanë pasur rënie në Notat e Demokracisë: notat e 18 vendeve kanë shënuar rënie. Kjo është rënie e dytë më e madhe në historinë e këtij sondazhi, aq e madhe sa rënia e ndjekur nga kriza financiare globale e vitit 2008”. Si rezultat i këtij trendi negativ ka rritje të regjimeve autoritare apo siç thuhet në këtë raport “për herë të parë që nga viti 1995, ka më shumë regjime të Konsoliduara Autoritare sesa Demokraci të Konsoliduara”.

Janë shumë faktorë deficitar që pengojnë zhvillimin e demokracisë parlamentare. Adresimi adekuat i tyre nga shoqëritë në tranzicion do të ndikonte drejtëpërdrejtë në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë parlamentare ashtu sikundër që do tu jepte legjitimitet qytetar të gjitha zhvillimeve mbarë-shoqërore nëpër këto vende.

Zhvillimi i demokracisë parlamentare pa rritjen e cilësisë së kontrollit parlamentar të punës së qeverisë është i pa-paramendueshëm. Sistemet deficitare ende nuk mundësojnë përfaqësim cilësor dhe përmbajtësor në punën parlamentare. Si rezultat i kësaj gjendje shumë zhvillime nuk marrin legjitimitetin e nevojshëm dhe kjo reflekton në besimin e ultë të qytetarëve në mekanizma shtetëror. Indikatori më i qartë është shkalla e ultë e daljes në votime. Sikur përfaqësimi në parlament të kishte cilësinë dhe përmbajtjen e nevojshme, atëherë sigurisht që proceset zhvillimore do të kishin legjitimitet të plotë aspekt ky i cili do të shpërblehej edhe nga Bashkimi Evropian në rrugën e këtyre shteteve drejt Integrimit Evropian.

Mungesa e politikave publike përmbajtësore dhe instrumenteve adekuate për implementimin e tyre si dhe mos-përfshirja e mjaftueshme e parlamenteve në politikë-bërje është treguesi tjetër i zhvillimit të ultë të demokracisë parlamentare. Partitë politike duhet të investojnë shumë më tepër në hartimin e politikave publike dhe identifikimin e instrumenteve të nevojshme për vënien në jetë të këtyre politikave për të mirën e përgjithshme të shoqërisë e jo për përfitime individuale. Definimiad-hoc i politikave publike duke marrë për bazë interesin individual para atij të përgjithshëm sigurisht që do të rrisë edhe më tej shkallën e pakënaqësisë qytetare si rezultat i shpërndarjes jo-adekuate të resurseve shtetërore. Jo rastësisht në demokracitë e konsoliduara investohet shumë në resurse njerëzore që kanë kapacitetet e nevojshme për hartimin dhe implementimin e politikave publike.

Një komponentë e rëndësishme e zhvillimit të demokracisë parlamentare është edhe edukimi politik i opinionit publik. Institucionet shtetërore, përpos punës mandatare, do të duhej që përmes bashkëpunimi transparent me media e shoqëri civile të edukonin publikun e gjerë. Mbarëvajtja e punës së institucioneve të një shteti sigurisht që jep një mesazh edukues te opinioni i gjerë. Sa më transparente dhe produktivetë jenë institucionet aq më i lartë është besimi në institucione dhe aq më i përmbushur me frymën e shëndoshë shtetërore ndihet qytetari. Nuk duhet harruar që partitë politike duhet të jenë ato që mbjellin frymë edukuese, sepse janë ato që përfaqësojnë institucionet vendore dhe janë ato që u japin formë zhvillimeve mbarë-shoqërore. Partitë politike duhet të jenë sa më afër qytetarit; ato duhet të përfshijnë qytetarët në hartimin e politikave të tyre publike dhe e tëra kjo duhet të reflektojë në media për të dhënë mesazhin e duhur para qytetarëve. Pra, spektri politik duhet të jetë në ballë të zhvillimit dhe promovimit e debatit publik sepse vetëm duke qenë i tillë arrinë të bindë dhe pse jo edukojë masat e gjera popullore për platforma të ndryshme politike.

Nuk duhet harruar që stabiliteti politik i një vendi varet pashmangshmërisht nga mënyra se si rezonojnë dhe veprojnë partitë politike. Shpesh herë na rastis të shohim situata politike jo-stabile si rezultat i shpirtë-ngushtësisë së spektrit politik. Zhvillime të tilla polarizojnë shoqërinë, rrisin shkallën e elementeve të dhunës, ulin produktivitetin ekonomik të vendit si dhe kontribuojnë në largimin e masave të gjera popullore drejt një mjedisi më të mirë për jetë. Si rezultat i polarizimeve politike, dhe jo vetëm, të shoqërive të Evropës Juglindore, ky rajon është duke u përballur me shkallë të lartë emigracioni, sidomos të rinisë, si shtresa më vitale e një populli. Pa një qasje programatike dhe zhvillimore nga spektri politik i këtij rajoni të shoqëruar me opozitë konstruktive, polarizimi i shoqërisë është i pashmangshëm.

Është e pa-imagjinueshme ardhja në pushtet e një partie politike pa udhëheqje, sepse vetëm udhëheqësit sjellin popullaritet dhe njohje nga publiku. Pa këto dy elemente ekzistenca e një partie politike është e pamundshme ashtu sikundër që është pamundshme ardhja në pushtet. Prandaj, spektri politik duhet të promovojë udhëheqës meritorë, të sinqertë, me integritet të lartë, veprues që janë në gjendje të ndërtojnë platforma elektorale në përputhje me nevojat e elektoratit. Përvoja në këtë pjesë të Evropës Juglindore ka dëshmuar që udhëheqësitë jo gjithmonë plotësojnë kushtet e nevojshme për të qenë udhëheqës dhe kjo reflekton në rënien e shpejtë të përkrahjes popullore dhe ngecjen e reformave. Promovimi i udhëheqësve politikë është sikur kur fut ujë të oksigjenuar në akuarium dhe nxjerr ujë të de-oksigjenuar për të mbajtur gjallë peshqit. Kështu duhet të veprojnë partitë politike duke futur energji të reja dhe duke i hapur rrugë emisionit të energjive të konsumuara. Gjithësesi që baza e promovimit të udhëheqësve politik duhet të jetë konkurenca e shëndoshë promovuese. Duke qenë kështu secili udhëheqës politik e ka rrugën e hapur për të siguruar mbështetjen e nevojshme qytetare në hapat e ardhshëm politik të tij apo saj.

Demokracia parlamentare duhet të jetë fundamenti që përfaqëson zhvillimin e mëtejmë të spektrit të gjerë socio-ekonomik dhe interesave politike të shtrira brenda shoqërisë si dhe duhet të veprojë si qendra e debatit dhe orientimit publik duke përfshirë drejtpërdrejtë qytetarët në politikë-bërje. Vetëm në këtë mënyrë politika do të shihej e ndihej si e përmbushur me përmbajtje programatike dhe zhvillimore për qytetarët e secilit vend. Demokracia parlamentare në Evropë do të konsiderohet e përmbushur vetëm atëherë kur spektri politik gjithëandej do të ndihet i përgjegjshëm moralisht e politikisht para një qytetarie pro-aktive dhe llogari-kërkuese për secilin hap të zhvillimor të secilit vend. Vetëm kështu Evropa do të konsiderohet e integruar dhe unifikuar.

Shkruan: Agron Hoti 

Lexo të tjera