18:31 / E mërkurë, 16 Gusht 2017

Pse jemi, këtu ku jemi!?

Pse jemi, këtu ku jemi!?

Pothuajse njëzetë vjet në liri dhe ku jemi! Një katrahurë e vërtet, duket sikur është përzier lëmshi dhe vështirë t'i gjendet fija. Vallë, pse kaq e vështirë? Janë mbajtur disa palë zgjedhje në liri pa ndërhyrjen apo pengesën e ndonjë force paragjykuese të këtyre rezultateve. Pas pothuajse çdo rrethi zgjedhor të konsideruar si të suksesshëm dhe të certifikuar edhe nga ndërkombëtarët në përmbushjen e standardeve, procesi po stagnon dhe vështirë të procedohet tutje në krijimin e institucioneve demokratike të dala nga vota dhe vullneti i sovranit. Pse gjithnjë po na përsëritë një gjë e tillë? Nga paaftësia për të formuar institucione apo egoizmi i politikëbërësve për pranimin  e realitetit që ka dalë vullneti i popullit. A duhet gjithmonë interferimi nga dora e dikujt tjetër që të pajtohemi dhe biem në ujdi pēr gjērat dhe proceset që neve na janë besuar nga zgjedhësit tonë. Jo, besoj kjo duhet marrë fund sa më shpejtë në mënyrë që t'i ikim paaftësisë sonë të dëshmuar deri tani, dhe të marrim guxim dhe të flasim me gjuhën tonë të thjeshtë në adresimin e prioriteve shtetërore. Politikat e vendosjes së vendeve mike janë të indinjuara dhe gjithsesi do të ndërhyjnë për zhbllokimin e kësaj vorbulle e cila po e ngulfatë jetën institucionale në vend. Ata haptas po kërkojnë nga të zgjedhurit e popullit që të  ulën dhe sa më shpejtë që është e mundur të reflektojnë dhe hapin rrugë daljes nga ky ngërç mbytës. Prandaj, vendosni siq ka vendosur populli, jo nga interesat politike partiake dhe personale. Vendi ynë mbi gjithçka.

"Një qeveri e cila imponohet nga interesat e ngushta politike partiake domosdo do të bëhet shërbëtore e politikës së saj, asnjëherë në interes të popullit"

Klasë e ashtuquajtur politike, kujdes, populli po shfaq gatishmëri për ndryshimin e gjendjes së vet. Ku janë njerëzit që organizuan revolucionin francez, bolshevik dhe të tjerë apo çfarë ndodhi me prijësit apo perandorët të cilët u rrëzuan përmes këtyre revolucioneve.

Zgjedhjet lokale po afrohen. Si do të dilni para popullit dhe të kërkoni besimin. Veproni mençurisht dhe mos të zhgënjehet votuesi në pafundësi dhe vota e tyre të shkojë aty ku nuk duhet, vetëm nga mëria që kanë krijuar nga ky mllef i akumuluar prej kohësh. Silluni si patriot kur rrezikohet e ardhmja e shtetit tonë. Patriotët nuk flasin por veprojnë, kurse burracakët mburravec vetëm trumbetojnë pa kurrfarë perspektive për zgjidhjen e problemeve. Është momenti të dëshmojmë cilët jemi!

 

Aurori: Ramadan Halimi

Master i Arteve në Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Lexo të tjera