22:32 / E enjte, 09 Shkurt 2017

Rasti Haradinaj, plan i Serbisë

Rasti Haradinaj, plan i Serbisë

Shkruan: Valon Murati

Kosova ka qenë e pushtuar nga Serbia prej vitit 1912 deri më 1999 (duke përjashtuar periudhat e dy luftërave botërore). Kosova dhe populli shqiptar ka zhvilluar një luftë të pareshtur për liri e vetëvendosje. Serbia si pushtuese ka zhvilluar në vazhdimësi politika dhe luftëra pushtuese në Kosovë. 

Pas luftës çlirimtare të vitit 1998-99 të udhëhequr nga UÇK-ja, e me ndërhyrjen ndërkombëtare përmes sulmeve të NATO-s, Kosova u çlirua. Por garnitura politike e Serbisë, apo për të qenë më i saktë pjesa më e madhe e garniturës politike, jo vetëm që nuk u pajtua me këtë fakt, por vazhdoi të mbetet shoviniste. Kjo politikë duke mbetur peng i një politike që i ka perënduar koha, po përpiqet me të gjitha mjetet të dëmtojë Kosovën, të ardhmen e saj, por edhe të kaluarën e saj, sidomos luftën çlirimtare. 

Fatkeqësisht, edhe për shkak të gabimeve tona politike, Serbia me propagandën e saj, po përpiqet të barazojë krimet e saj shtetërore me krimet e supozuara të UÇK-së. Ajo shpeshherë betejën politike po përpiqet ta shndërrojë në betejë juridike, qoftë në institucione ndërkombëtare për të penguar Kosovën, qoftë në rastet kur përdor këto institucione për të denigruar luftën çlirimtare dhe eksponentët e saj, siç është edhe rasti i fundit me Ramush Haradinajn. 

Vërtet ky rast në aparencë duket juridik, por në thelb është krejtësisht politik. Për të dëshmuar se kemi të bëjmë me një shtet, në krye të të cilit ka qëndruar një garniturë kriminale, e cila edhe sot e ndikon në masë të madhe politikën në të, e vlen t’i hidhet një sy raportit të fundit të Qendrës për të Drejtën Humanitare nga Beogradi, në të cilin dëshmohet se si shteti serb në fund të luftës në mënyrë të organizuar vrau dhe fshehu trupat e afër 1000 shqiptarëve nëpër varrezat masive në Serbi. 

Për më tepër askush deri më tani nuk është akuzuar dhe aq më pak dënuar për këto akte të krimit shtetëror. Të ndihmojmë të vërtetën duke e shpërndarë këtë raport tek sa më shumë miq ndërkombëtar, tek sa më shumë media ndërkombëtare, por edhe tek të gjithë ata serbë të cilët kanë nevojë të dëgjojnë më shumë se ajo që vazhdon të ofrojë propaganda zyrtare e shtetit serb e shtrirë gati në të gjitha mediumet televizive dhe elektronike.

http://www.hlc-rdc.org/?p=3329...


Lexo të tjera