15:21 / E diel, 08 Janar 2017

Retorika politike e shqiptarëve në Maqedoni

Retorika politike e shqiptarëve në Maqedoni

Dy koalicionet e subjekteve politike joshqiptare në Maqedoni nuk janë maqedonase por shumetnike)

Me shkas: lajmet e mediave në gjuhën shqipe se, më 7 janar 2017, në Shkup ,,do të bashkohen partitë shqiptare karshi atyre maqedonase”.

Titulli i këtij lajmi dhe lajmeve të ngjashme nuk janë në frymën e retorikës së shëndetshme për politikën shqiptare në Maqedoni, dhe si e tillë, kjo retorikë duhet të ndryshohet në të ardhmen. Meqë ky lajm përbën një sihariq për të gjithë shqiptarët, shumica e lexuesve dhe dëgjuesve sigurisht që nuk kanë mundur ta analizojnë, duke e mirëpritur porosinë e këtij lajmi të rëndësishëm.

Për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rrethanat politike në këtë vend, po i jap disa sqarime:

1. Partitë e bllokut politik të ashtuquajtur ,,maqedonas”, të përfshira kryesisht në dy koalicione të mëdha, nuk i përfaqësojnë vetëm interesat e popullit maqedonas në këtë shtet, prandaj edhe nuk mund të quhen ,,maqedonase”, me faktin se ato në të gjitha ciklet e mëparshme zgjedhore, si edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 dhjetorit 2016, janë votuar në masë të konsiderueshme edhe nga qytetarët me përkatësi të tjera etnike, të cilët përfaqësohen përmes subjekteve të tyre politike në të dy koalicionet partiake të bllokut të ashtuquajtur ,,maqedonas”, atë të udhëhequr nga OBRM-PDUKM, e cila deri tani ka qenë në pushtet dhe nga koalicioni i partive opozitare, i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, LSDM.

2. Këto koalicione partiake i përfaqësojnë interesat edhe të votuesve të vet me përkatësi tjetër etnike, siç janë: turqit, romët, bullgarët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe grupet më të vogla etnike, e jo vetëm të votuesve maqedonas.

3. Në radhët e këtyre dy koalicioneve partiake bëjnë pjesë së paku nga një, ose më tepër parti politike nga secila prej bashkësive etnike jomaqedonase.

4. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga radhët e këtyre dy koalicioneve ,,maqedonase”, mandate deputetësh kanë fituar së paku 15 kandidatë nga radhët këtyre bashkësive etnike jomaqedonase, të përfaqësuara përmes partive politike të bashkësive të veta etnike.

5. Për njërin nga këto koalicione partiake ,,maqedonase”, të udhëhequr nga LSDM-ja, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 dhjetorit 2016, mendohet të kenë votuar së paku edhe 70 mijë shqiptarë, që përbën mbi 15% të numrit të përgjithshëm të votave të fituara nga koalicioni i partive politike, i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), ndërsa mandate deputetësh kanë fituar së paku dy kandidatë shqiptarë. Themi ,,së paku” sepse, shpeshherë në këtë shtet kandidatët për deputetë dhe bartësit e funksioneve të larta shtetërore nuk e deklarojnë përkatësinë etnike të vërtetë, ose vinë nga familje me përkatësi etnike të përzier.

Prandaj, nuk duhet të thuhet se partitë shqiptare do të bashkohen karshi atyre maqedonase, as për inat të tyre, por për harmonizimin e qëndrimeve në interes të popullatës që ato përfaqësojnë, të shqiptarëve në Maqedoni në radhë të parë, si edhe të qytetarëve të tjerë në këtë shtet me të drejta të nëpërkëmbura.

Përveç kësaj, politika shqiptare në Maqedoni asnjëherë nuk ka qenë e orientuar kundër etnitetit maqedonas, së këndejmi edhe kundër asnjë partie politike, por kundër udhëheqësve të tyre, të cilët nuk i kanë përfaqësuar asnjëherë interesat e popullatës maqedonase, por kanë realizuar agjenda të huaja, kryesisht nën ndikimin e qarqeve politike jashtë vendit, sidomos të atyre serbe. Me këto politika nuk kanë mundur të pajtohen asnjëherë maqedonasit në këtë shtet, duke e ditur ndikimin negativ të politikës serbe dhe asaj bullgare karshi interesave të maqedonasve përgjatë historisë.

Duke marrë parasysh këto fakte, partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, secila veçmas, apo së bashku, me politikat e tyre konstruktive duhet të kontribuojnë në eliminimin e këtyre ndikimeve nga jashtë, përfaqësimin e denjë edhe të interesave të qytetarëve me përkatësi etnike joshqiptare, duke mos u pajtuar me këto tendenca negative, retrograde dhe johistorike dhe, në radhë të parë duke u përpjekur për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Lexo të tjera