16:10 / E mërkurë, 16 Gusht 2017

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nxit shumë tensione, debate e spekulime

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nxit shumë tensione, debate e spekulime

Shkruan: Aulonë Mehmeti

Bisedimet mes partive dhe grupacioneve të ndryshme politike për të formuar koalicione parazgjedhore ishin të shumta.

Madje, gjatë parafushatës zgjedhore ishin përcaktuar aq shumë vija të kuqe e të trasha, por të cilat u harruan shpejtë, siç edhe u pa në mesnatën e 16 majit.Se do të ishte një garë e ashpër mes subjekteve dhe koalicioneve politike e dëshmuan më së miri kombinimet politike që u bënë deri në minutën e fundit.

Në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do mernin pjesë 19 parti politike, 2 nisma qytetare dhe 5 koalicione. Mirëpo, realisht gara do zhvillohej në mes të koalicionit LAA, PAN dhe LVV.

Zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit sollën rezultate të papritura në vend. Koalicioni PAN rezultoi me 39 deputetë, LVV me 32 dhe koalicioni LAA me 29. Dy partitë, të konsideruara deri tani më të mëdhat në vend pësuan rënie në numrin e ulësve në parlament, secila për arsye të ndryshme që tashmë i dijmë.

Pra, në njërën anë kemi partinë e cila ka udhëhequr me vendin pothuajse që nga paslufta dhe të cilën e denoi elektorati pikërisht për keq-qeverisje, korrupsion e nepotizëm; ndërsa në anën tjetër kemi partinë e cila refuzoi stoikisht që të bëj ndryshime dhe reforma përbrenda dhe e cila kështu u denua edhe nga vet elektorati i saj i pakënaqur me lidershipin e partisë.

E tani, dy muaj pas mbajtjës së zgjedhjeve vazhdojmë të mbetemi pa qeveri dhe institucione. Seanca e tejzgjatur konstituive, agonia e numrave, loja “kukafshehti” se kush nga cili koalicion do të ndërroj taborre, ngjason më së shumti me një cirk politik.

Duhet theksuar se struktura e deputetëve të parlamentit ska qenë asnjëherë më parë kaq e larmishme. Në organin më të lartë ligjvënës kemi intelektualë, gazetarë, komandantë, këngëtarë, rrugaçë, e komedianë, të cilët në këto katër vitet e ardhshme do të përcaktojnë fatin e shtetit tonë në shumë aspekte.

Mjafton të marim nga një shembull nga tri grupacionet më të mëdha dhe të qeshim apo qajmë me situatën në të cilën ndodhemi. Në njërën anë kemi kryesuesin e kuvendit z. Mikullovci i cili i takon subjektit më të madh në këto zgjedhje, pastaj kemi z. Zeka nga koalicioni PAN dhe z. Tahiri nga koalicioni LAA.

Sic shihet, kemi perla të rralla nga tri grupacionet më të mëdha në vend të cilët i japing gjallëri këtij cirku politik në të cilin ndodhemi. Ish aktor, Adem Mikullovci reciton në kuvend, fillon dhe mbyllë seancën sipas dëshirës dhe u drejtohet zonjave dhe zonjushave në parlament me “çiko”.

Milaim Zeka, ish gazetarë i cili njihet më së miri njihet në popull me epitetin “lopa e Danimarkës” vazhdon furishëm edhe në parlament me po të njejtën gjuhë e sjellje vullgare. Por tani, si asnjëherë më parë, ai mbron parimet dhe qëndrimet e veta plot ngulm duke mbrojtur të drejtën dhe duke punuar për shtetin.

E së fundmi, kemi të madhin Labinot Tahiri – Labi, i cili ditën merr pjesë në seancë parlamentare ndërsa mbremjeve përveshë mëngët për t’i dhenë zjarr skenës me një ‘jasha”.

E këta, janë vetëm tre nga 120 deputetë të cilët do të na përfaqësojnë të paktën për një mandat.

E këtu, ne të mjerëve na mbetët dilema hamletiane: të qeshim apo të qajmë?

Temat:
Lexo të tjera