18:05 / E mërkurë, 06 Shtator 2017

Shteti dhe e ardhmja ne qorrsokakë!?

Shteti dhe e ardhmja ne qorrsokakë!?

Shkroi: Mr. Ramadan Halimi

Shpesh thuhet se politikën e bëjnë shtetet e mëdha dhe të fuqishme botërore. Kush nuk do të pajtohej me një mendim mirë të artikuluar dhe argumentuar me shekuj. Në arenën ndërkombëtare ka disa lloje shtetesh sipas sferës së shtrirjes së ndikimit të tyre si fuqi rajonale dhe ndërkombëtare.

Me këto pohime dhe pretendime do të pajtohen pothuajse të gjithë që kanë për interes çështje jetike në aspektin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, madje ata që merren me studimin e këtyre çështjeve edhe njerëz nga bota akademike, e padyshim edhe njerëz të rëndomtë.

Por ku qëndron shtrirja e shteteve me të vogla (dhe shumë të vogla) siç është rasti me Kosovën dhe ndikimi tyre në arenën në mes të ashtuquajturve "ujqërit e mëdhenjë"!? Shumëkush do ta minimozonte kuptimin e kësaj pyetje për debat dhe diskutim duke llogaritur si një diskurs jo i qëlluar. Duke mos qëndruar në një mendim të tillë, mendoj dhe pretendoj me kompetencë të plotë se shtetet vogla luajnë rol të rëndësishëm dhe janë akter mjaftë dominues, dhe në raste të veçanta edhe determinues në vendimmarrje si në fushëveprimin e tyre rajonal dhe ndërkombëtar. Shtete të tilla ka shumë që mund të numërohen nëpër botë si (Kuvajti, Izrali dhe të tjera) bazuar në fuqinë e tyre ekonomike dhe politike.

Detyrimisht nxitemi në këtë pikë dhe shtrohet pyetja, ku jemi ne, ku radhitet Kosova jonë dhe çfarë është ndikimi jonë në fushën gjeopolitike dhe gjeostrategjike!? Vështirë të ofrojmë një përgjigje të drejtë. Jo se nuk ekziston një përgjigje e tillë, por dëshmon qartë mospuna dhe mospërmbushja e obligimeve shtetërore dhe përcaktimi i politikave shtetërore (tashmë të argumentuara me muaj të tërë me krijimin e ngërçit politik) kundër vetvetes dhe kundra gjithçka shtetërore vetëm në përmbushjen e misionit të shkatërrimit politik të kundërshtarëve të mbarë skenës politike kosovare. Pra, vështirë të gjejmë ndonjë përgjigje që lë për të dëshiruar.

Si mund të bëhemi shtet siç e kanë përshkruar filozofë të rryer Homeri, Platoni apo edhe dijetarë të ditëve tona, kur nuk kemi një platëformë të qartë politike në vija të përcaktuara në suaza shtetërore.  Kjo nuk do shumë filozofi. Të njohim shtetin tonë dhe të punojmë e të dëshmojmë para popullit tonë, miqve që na kanë përkrahur gjithmonë dhe shteteve që akoma ngurojnë të na njohin shtetësinë tonë. Mos të harrojmë se politika e ushtruar nga politkanët tonë janë "e zeza e këtij vendi" dhe ata duhet marr dënimin e merituar dhe shumëkërkuar.

Në qoftë se nuk duam të jemi bashkëfajtorë dhe të dënohemi bashkë me fajtorët që dihen botërisht,  atëherë ta ngrejmë zërin aty ku mundemi dhe të ndryshojmë këtë sitautë agonie dhe ngulfatëse. Të gjithë nuk mund të përfshihemi në politikë, ama aty ku jemi të ndikojmë në kētë ndryshim dhe mos t'i fajsojmë të tjerët.

Ngrije zërin, ti je fuqi!?

Temat:
Lexo të tjera