21:35 / E hënë, 26 Dhjetor 2016

Shtetin s’mund ta bëjmë me Srpska-n

Shtetin s’mund ta bëjmë me Srpska-n

Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës mbi parimet e Propozimit të Marti Ahtisarit, e deri tek i ashtuquajturi proces i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, elita politike dhe qeverisëse e Kosovës e ka mbështetur funksionalitetin e këtij shteti dhe fuqizimin e sovranitetit të tij duke shpresuar që përmes kompromiseve në negociatat e Brukselit, serbët e Kosovës një ditë do ta pranojnë Republikën e Kosovës si shtetin e tyre dhe jo si krahinën e Serbisë e cila përkohësisht nuk qeveriset nga Beogradi. Duke shpresuar që serbët do ta “harrojnë” Serbinë dhe atdhe-shtet të tyre do ta quajnë Republikën e Kosovës, elita jonë politike ka investuar në të ashtuquajturin proces të ndërtimit të shoqërisë multietnike, duke pranuar devijimin e idesë së shtetit të Kosovës, nga shtet të dytë e demokratik të kombit shqiptar, në shtet të komuniteteve, ku 90% e shqiptarëve do të ishin të barabartë veçanërisht me 5 %  të popullatës serbe të Kosovës.

Kur po shohim sot sjellen e Listës Serbe në raport me qeverinë dhe institucionet shtetërore të Kosovës, po kuptojnë që të gjitha kompromiset e bëra në raport me serbët e Kosovës kanë qenë dhënje e instrumenteve me të cilat Serbia do të pengojë funksionalitetin dhe stabilitetin e Kosovës. Pavarësisht që Serbia mori pjesë në negociatat e Vjenës për statusin final të Kosovës në të cilat u zhvilluan shumë “bisedime teknike”, ku Serbia imponoi propozimet dhe kuzhtezimet e saj mbi rregullimin e brendshëm të Kosovës, të cilat ne i kemi përfshirë sot në kushtetutë, në fund Serbia refuzoi njohjen e shtetit të Kosovës pavarësisht “kompromiseve të dhimbshme” të shqiptarëve, të cilët kishin qenë objekt i spastrimit etnik nga Serbia! Kështu përmes negociatave në Vjenë, Serbia e parandaloi ndërtimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, ndërsa tani përmes negociatave të Brukselit po synon shtrirjen e kontrollit në shtetin e Kosovës, përkatësisht përmes kushtëzimeve politike që serbëve ua mundëson Ahtisaari brenda kushtetutës së Kosovës, si dhe duke ndërtuar Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, Serbia po synon të fus nën kontroll direkt mbi 30% të territorit të Kosovës,  si dhe asetet më të rëndësishme ekonomike të saj. Ç’është më e rëndësishmja, përmes Asociacionit Serbia do të arrijë që serbët e Kosovës të mos e ndjejnë vetën pjestarë të shtetit të Kosovës, por pjesë të entitetit juridiko-politik (Asociacionit) i cili formalisht lejohet nga Prishtina, por politikisht kontrollohet dhe udhëzohet nga Beogradi.

Të ndodhur në një situatë të tillë, pra të mashtrimit për të disatën herë nga Serbia, elita politike e Prishtinës vazhdon të insistojë në vazhdimin e dialogut absurd të normalizimit të marrëdhënieve me një shtet që këtë dialog e shfrytëzon për ta minuar shtetësinë e Kosovës. Prishtina në vend se të kërkojë ndërprerjen e këtij dialogu dhe ngrirjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tani, deri në ndërprerjen e përzierjes së Serbisë në punët e serbëve të Kosovës, po kërkohet ridizajnimi i formatit të dialogut. Madje, nuk bëhet fjalë për ridizajnim konceptual, ku Kosova të vendoste kushtin, ta zëmë, që tani e tutje do të negociojë me vetë serbët e Kosovës dhe jo më me Beogradin, Prishtina po kërkon që ta kthejë në tryezen e negociatave “homo-negociusin” e Kosovës, Hashim Thaçin. Ky nuk është ridizajnim i dialogut, por kthim në negociata të politikanit i cili e ka devijuar platformën nacionale të elitës politike të viteve 1990-të për Kosovën shtet të dytë shqiptar në Ballkan. Thaçi për të ardhur në pushtet në vitin 2007, pranoi të bënte çdo kompromis në dëm të idesë shqiptariste të Kosovës Republikë, ndërkaq tani, i ndodhur në pozitën e një presidenti jo-kredibil, ndoshta i rrezikuar nga procesi i Gjykatës Speciale, është i gatshëm të çoi më tutje kompromiset, vetëm e vetëm që të mbetet në pushtet (apo në liri!). Thaçi nuk është fjatori i vetëm, por ai është simboli i kësaj klase politike e cila me korrupsion, keqqeverisje dhe kompromise ndërkombëtare (për të fituar imunitet për korrupsionin dhe keqqeverisjen), ia kanë mundësuar Serbisë që pavarësisht spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovës, për të cilën gjë kurrë nuk ka kërkuar falje, ta rikthejë ndikimin e saj në Kosovë, në atë masë sa që sot, në kohën kur ndryshimet gjeopolitike po e rrezikojnë paqen në botë, Kosova të mos ketë ushtrinë e saj, madje të mos jetë në gjendje që  ndalojë ndërtimin e murit mbi urën e Ibrit shekullin XXI në mes të Europës. Vetëm ardhja e një elite të re politike, e cila do të ketë formim solid kombëtar dhe sens mbi gjendjen aktuale gjeopolitike ndërkombëtare, do të mundte të mbronte interesat e shtetit të Kosovës, si shtet që u krijuara pikërisht me synimin për t’i mbrojtur shqiptarët nga Serbia!


 

Lexo të tjera