10:45 / E enjte, 23 Shkurt 2017

Viti 2017, Kosova prapë me reduktime të energjisë elektrike

Viti 2017, Kosova prapë me reduktime të energjisë elektrike

Shkruan: Gazmend Abrashi

Kanë kaluar 10 vjet, gjatë të cilave PDK-ja ka qeverisë me sektorin e energjisë dhe Kosova ende e ka telashe që të sigurojë furnizimit pandërprerë me energji elektrike, një kërkesë bazike dhe elementare për një shoqëri normale.

Ditëve të fundit jemi dëshmitar të reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike në tërë Kosovën. Reduktimet më të gjata, natyrshëm, janë nëpër zona rurale, sepse qytetet janë më të privilegjuara sa i përket furnizimit me energji elektrike. Privilegji vjen për shkak të gatishmërisë më të madhe të personave nëpër zona urbane për të protestuar në rrugë, apo të paktën nëpër rrjetet sociale. Kjo normalisht që është diskriminim i kundërligjshëm, por i bazuar në frikën e qeverisë nga trazirat.

Besoj, secilit ju kujtohet premtimi i PDK-së në zgjedhjet e vitit 2007, për furnizim pandërprerë me energji elektrike dhe sidomos për heqjen e planit të reduktimeve ABC. Kanë kaluar 10 vjet, gjatë të cilave PDK-ja ka qeverisë me sektorin e energjisë dhe Kosova ende e ka telashe që të sigurojë furnizimit pandërprerë me energji elektrike, një kërkesë bazike dhe elementare për një shoqëri normale. Në këto 10 vjet kemi parë vetëm diskutime, konferenca të investitorëve, vizita të panumërta tej-oqeanike, por jo edhe punë në sektorin e energjisë, një prej sektorëve që është parakusht për një zhvillim ekonomik.

Gjatë këtyre viteve, qeveritë kanë harxhuar miliona euro në import të energjisë elektrike duke bërë kështu një stabilizim të paqëndrueshëm të furnizimit me energji elektrike. Ky stabilitet i paqëndrueshëm në fakt ka një efekt krejt të kundër në shoqëri, në veçanti në biznese.

E para, bizneset nuk mund të llogarisin në një furnizim pandërprerë me energji elektrike kurdo që bëjnë ndonjë plan të investimeve apo kur i bëjnë llogaritë vjetore.

E dyta, bizneset nuk kanë mundësi të parashikojnë një kosto të furnizimit me energji, sepse ato mund të përballen me reduktime të energjisë dhe për rrjedhojë ju shtohet kostoja e furnizimit me energji nga gjeneratorët. E logjikshme se duhet të llogaritet edhe kostoja e blerjes së gjeneratorit apo të paktën servisimi i tij.

Gjithë këto hapa kanë dy përfundime; e para ofrojnë një pasiguri të madhe për bizneset, përkatësisht një barrierë; e dyta rrisin koston e bizneseve që për rrjedhojë ka rritjen e çmimit të produkteve të prodhuara në Kosovë. Kjo normalisht që i bënë këto produkte “Made in Kosova” më pak konkurrente krahasuar me ato që na vijnë nga importi.

Shkaktari i parë i këtyre pasojave, normalisht që është pazotësia e të gjithë ministrave për të finalizuar një projekt për ndërtimin e një termocentrali për prodhimin e energjisë, i cili do të siguronte prodhim të mjaftueshëm të energjisë sa për të mbuluar kërkesën e brendshme. Është mase e qartë se ata që kanë qenë përgjegjës për ta realizuar një projekt të tillë, në fakt kanë qenë shkaktarët e ndaljes, ngecjes dhe dështimit të projektit të termocentralit të ri. Sikur t’i ishte lënë në dorë ndonjë kompanie private, tashmë termocentrali do të ishte i përfunduar. Por, duke vendosur barrierë pas barriere, përgjegjësit kanë arritur të bllokojnë një projekt, ta ndryshojnë atë disa herë, saqë ende nuk dihen përfitimet dhe kostot që na sjellë modeli aktual i këtij projekti.

Shkaktari i dytë, normalisht që është furnizuesi me energji elektrike, që është përgjegjësi e Furnizuesit Publik që në këtë rast është KESCO (KEDS siç njihet në popull), një kompani në pronësi të konsorciumit Celik & Limak. Kjo kompani e ka për obligim ligjor dhe kontraktual që të furnizojë gjithë Kosovën me energji elektrike edhe nëse KEK-u vendos t’i ndal të gjitha njësitë nga puna ( si rasti me ekstrem). Kështu ka thënë ish-ministri i zhvillimit ekonomik dhe e thonë dokumentet dhe ligjet për energji. Pra, KESCO është e obliguar t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, qoftë edhe duke e importuar energjinë elektrike. Është e kuptueshme që çmimi i energjisë së importuar është dukshëm më i lart se çmimi i energjisë së prodhuar nga KEK-u, mirëpo është po ashtu shumë e qartë dhe e kuptueshme se kostoja e mos-furnizimit me energji elektrike është shumë ma e lartë se sa kostoja e importit të energjisë elektrike. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe ZRRE-ja, të cilët ia mundësojnë KEDS-it të importojnë rrymë me një çmim të caktuar në mënyrë që të shmangen reduktimet e energjisë elektrike.

Mbi të gjitha është normale që përgjegjësinë e mos-furnizimit me energji elektrike e ka qeveria e Kosovës, sepse në fund të ditës, ajo është përgjegjëse për mirëqenien e qytetarëve dhe ofrimin e kushteve minimale për të bërë biznes në Kosovë. Me këtë nivel të reduktimeve as nuk garantohet mirëqenie për qytetarët dhe aq më pak kushte të favorshme për të bërë biznes.


Lexo të tjera