12:20 / E shtune, 10 Qershor 2017

Vlerësimi i donacioneve në sistemin e drejtësisë

Vlerësimi i donacioneve në sistemin e drejtësisë

Ministria e Drejtësisë është institucioni i parë vendor që ka vlerësuar donacionet e jashtme në sektorin e drejtësisë, gjithnjë me qëllimin parësor të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies karshi opinionit vendor e ndërkombëtar. Verësimi përfshinë 39 projekte e programe të donatorëve të jashtëm (përjashto projektet infrastrukturore) që mbështesin sektorin e drejtësisë që nga viti 2009 deri në 2017, në total 120 milion EUR, shumë kjo e mjaftueshme për të krijuar një masë kritike të vlerësimit.

Në shumicën e raporteve vendore dhe ndërkombëtare vihen në pah kontributet e shumta të donatorëve të jashtëm në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës. Miliarda e miliona EURO/DOLLARË janë shpenzuar që nga paslufta e deri më sot dhe asnjëherë nuk ka pasur një vlerësim gjithëpërfshirës nga ana e institucioneve të Kosovës se cili ka qenë kontributi i këtyre shumave të parave në mbarë-zhvillimin shtetëror të Kosovës. Sigurisht që shteti i Kosovës u është mirënjohës të gjithë donatorëve për kontributet e tyre.

Opinioni publik në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të donacioneve të jashtme. Edhe mes qytetarëve perëndimor dhe më gjerë ka paqartësi mes asaj që i është ofruar Kosovës dhe asaj që ka përfituar në të vërtetë Kosova dhe kjo e rëndon imazhin e Kosovës, sepse qarqe të ndryshme ndërkombëtare thonë që Kosova merr më së shumti donacione për kokë banori në botë. E vërteta është se pjesa dërmuese e donacioneve që jepen në formë të asistencës teknike (ekspertizë- dhe këshillëdhënie) përfundojnë nëpër xhirollogaritë e firmave ndërkombëtare implementuese të donacioneve në Kosovë.

Sektori i cili më së shumti është mbështetur me donacione është ai i Sundimit të Ligjit, veçanërisht sistemit të drejtësisë. Aq shumë është dhënë dhe jepet asistencë në sistemin e drejtësisë sa që koordinimi i saj deri me tani ka qenë shumë i vështirë në mos i pamundshëm. Kur kësaj i shtojmë edhe misionet ndërkombëtare që operojnë në Kosovë (UNMIK, EULEX, EUSR, OSBE), atëherë kompleksiteti i asistencës në sektorin e drejtësisë vetëm sa shtohet. Vetëm kostoja kohore që duhet shpenzuar sektori i drejtësisë për t´u marrë me aktivitete të panumërta të projekteve dhe programeve të donatorëve të jashtëm është aq e madhe sa kjo shpesh reflekton edhe në performancën e institucioneve vendore.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë, duke qenë institucioni i parë vendor që ka vlerësuar donacionet në sektorin e drejtësisë si dhe duke qenë e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies karshi opinionit vendor e ndërkombëtar, gjatë periudhës nëntor 2009 deri në shkurt 2017 ka vlerësuar 39 projekte e programe të donatorëve të jashtëm (përjashto projektet infrastrukturore) që mbështesin sektorin e drejtësisë, në total 120 milion EUR, shumë kjo e mjaftueshme për të krijuar një masë kritike të vlerësimit.

Përmes këtij vlerësimi Ministria e Drejtësisë synon që të: i) përmirësojë planifikimin, koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e donacioneve; ii) maksimalizojë përfitimet e institucioneve të drejtësisë nga kontributet e donatorëve; dhe iii) rrisë llogaridhënien dhe transparencën lidhur me efektet e donacioneve. Metodologjia e vlerësimit të projekteve dhe programeve është bërë sipas kritereve të DAC (Development Assistance Committee) të OECD-së (Organisation for Economic Cooperation and Development). Janë 5 DAC kritere mbi të cilat bëhet vlerësimi i projekteve dhe programeve në nivel global si: relevancë, efiçencë, efektivitet, ndikim dhe qëndrueshmëri.

Për të rritur transparencën dhe llogaridhënien para publikut, Ministria e Drejtësisë, më 15 maj 2017, ka organizuar një konferencë për “rritje të cilësisë dhe efekteve të donacioneve të jashtme në sektorin e drejtësisë” duke ftuar kështu institucionet e drejtësisë, komunitetin e donatorëve, shoqërinë civile dhe mediat. Në këtë konferencë janë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e misionit vlerësues si dhe janë dhënë refleksione orientuese mbi rëndësinë e pakontestueshme përmirësimit të koordinimit dhe mbikëqyrjes së donacioneve gjithnjë me qëllimin parësor të rritjes së cilësisë dhe efekteve të donacioneve në mbarë-zhvillimin e sektorit të drejtësisë.

Ndër të gjeturat kryesore gjatë këtij procesi vlerësues ka qenë fakti që sektori i drejtësisë dhe ai i sundimit të ligjit në përgjithësi janë të tejngopur me projekte e programe të shumta të donatorëve të ndryshëm. Kostoja kohore e institucioneve përfituese për të përcjellur të gjitha aktivitetet e projekteve dhe programeve është aq e madhe saqë nganjëherë ndikon në shpërqendrim institucional. Kjo nuk do të thotë që sektori i drejtësisë nuk ka nevojë për donacione, por numri i donacioneve duhet të jetë më i vogël gjithnjë bazuar në kapacitetet e absorbuese dhe dinamikat zhvillimore të institucioneve të drejtësisë.

Sektori i drejtësisë asnjë herë nuk ka pasur politika të qarta dhe të unifikuara mbi të cilat do të mund të ndërtohej legjislacioni për fushën e drejtësisë. Asnjëherë nuk ka pasur një strategji sektoriale afatëgjatë për zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit, në bazë të së cilës do të jepeshin orientimet e nevojshme stategjike afatmesme dhe afatgjata. Si rrjedhojë intervenimet në këtë sektor si nga brenda ashtu edhe jashtë kanë qenë sporadike dhe jo në linjë me nevojat e vërteta të këtij sektori. Kjo ka bërë që asitenca e ofruar të jetë shpesh konfuzive, përgjithësisht e pakoordinuar dhe me efekte të kufizuara në sektorin e drejtësisë.

Procesi vlerësues, ndër të tjera, ka treguar që zhvillimet në sistemin juridik të Kosovës nuk reflektojnë plotësisht në plan-programet e Fakulteteve të Drejtësisë, si bazamenti i arsimit ligjor, për të gjithë komunitetin e juristëve. Në mungesë të këtij refleksioni, komuniteti i juristëve në Kosovë ka pasur vështirësi të panumërta gjatë përballjes së tyre me tregun e punës, kjo sepse mësimi teorik dhe i stërngarkuar me lëndë, dobia e të cilave asnjëherë nuk është analizuar në mënyrë profesionale, nuk ka pasur mundësi të reflektojë në dinamikat e tregut të punës në Kosovë. As komuniteti i donatorëve të jashtëm e as institucionet e Kosovës nuk janë marrë me një analizim të gjendjes duke krahasuar sistemin juridik të Kosovës me plan-programet e fakulteteve juridike.

Mungesa e stabilitetit ligjor, kolizioni dhe moskonsolidimi i ligjeve përbëjnë vështirësi serioze në përforcimin e sektorit të drejtësisë sepse krijojnë paqartësi dhe konfuzion në zbatimin e normave. Si rezultat i këtij fenomeni shumë donacione kanë filluar në një mjedis ligjor jostabil dhe kjo ka bërë që efektet e donacioneve në segmente të caktuara të sektorit të drejtësisë të jenë të kufizuara nëse jo inekzistente.

Fillimi sa më shpejtë me procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit do të jetë alfa dhe omega për të mundësuar zhvillimet e ardhshme në këtë sektor. Hartimi i një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sundimit të ligjit e shoqëruar me resurset e nevojshme financiare dhe njerëzore do të krijonte bazën për orientim të politikave dhe legjislacionit për tërë sektorin e sundimit të ligjit si dhe do të identifikonte nevojat adekuate për mbështetje specifike të donatorëve.

Pas përfundimit të këtij vlerësimi, Ministria e Drejtësisë do të zhvillojë një Udhëzues për Monitorim e Vlerësim të donacioneve në drejtësi. Për zbatimin e këtij Udhëzuesi, Ministria e Drejtësisë do të organizojë trajnimet e nevojshme për monitorim e vlerësim si dhe do të mbikëqyrë pastaj zbatimin e këtij Udhëzuesi. Zhvillimi i këtij Udhëzuesi do të shënojë një hap të rëndësishëm për të planifikuar, koordinuar, monitoruar dhe vlerësuar kontributet e donacioneve sipas standardeve ndërkombëtare


Agron HOTI

Lexo të tjera