17:19 / E enjte, 07 Shtator 2017

Zgjedhjet e tetorit, fundi i klanit abuzues në Komunën e Lipjanit

Zgjedhjet e tetorit, fundi i klanit abuzues në Komunën e Lipjanit

Shkruan: Valenton Amerllahu

Investimet publike në mënyrë selektive, përdorimi i donacioneve si investim komunal dhe shtyrja e projekteve deri në limitin e fushatës elektorale, janë 3 gjërat që e kanë karakterizuar qeverisjen aktuale të komunës së Lipjanit.

Konkretisht, kryetari aktual Imri Ahmeti, ka vazhduar ta trajtojë Komunën si pronë private duke i orientuar të gjitha projektet dhe benefitet financiare në dobi të tij dhe të një grupi të caktuar brenda klanit të tij. Njëjtë ka vepruar edhe me punësimet në sektorin komunal, duke i politizuar ato skajshmërisht, duke punësuar njerëz tërësisht mbi baza partiake dhe duke e anashkaluar çdoherë kriterin profesional.

Krahas gjithë këtyre, në të njëjtën kohe ka vazhduar abuzimi me resurset dhe pasurinë publike, të dhëna këto të publikuara si nga organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Komunës, po ashtu të evidentuara edhe nga Auditori i Përgjithshëm.

Që të gjitha raportet rezultojnë se Komuna ka një ngecje të theksuar në zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të dhëna nga auditori. Konkretisht, qeverisja komunale ka treguar dobësi të vazhdueshme të kontrolleve të brendshme në sisteme kryesore financiare, që kanë rezultuar me: Dobësitë në prokurim, në menaxhimin e të hyrave vetanake dhe nënvlerësim të llogarive të arkëtueshmëve.

Po ashtu, edhe menaxhimi i të hyrave nga tatimi në pronë, menaxhimi i shpenzimeve në investime kapitale dhe mbikëqyrja e projekteve kapitale, janë përshkuar me parregullsi evidente, gjë e cila lë hapësirë për keqpërdorime tek të gjitha segmentet kyçe, përfshi këtu transparencën, llogaridhënien, zhvillimin urban e ekonomik, arsimin dhe shëndetësisë.

Një qasje e tillë, e përcjellë edhe me shumë parregullsi e keqpërdorime, është argumenti më i mirë për të gjithë qytetarët e Lipjanit se ky grup interesi politik duhet ndëshkuar me votë në zgjedhjet e tetorit.

Lexo të tjera