11:49 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Opozita bojkoton komisionin për AKI-në, Musliu ka një kërkesë për ta

Nënkryetarja e parë e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu ka treguar nëse ka zhvillime të reja lidhur me depërtimin e gjashtë shtetasve turq që ndodhi kohë më parë.

“Ndryshimet brenda AKI-së kanë ndodhur menjëherë pas atyre ngjarjeve. Kemi bashkëpunim të ngushtë me zyrën e kryeministrit dhe ata kanë njoftuar për atë që duhet njoftuar publiku. Ne jemi të njoftuar vazhdimisht nga zyra e kryeministrit”, ka thënë Musliu në mbledhjen e sotme të këtij Komisioni.

Ajo ka treguar po ashtu edhe se a po arrin ky Komision ta mbikëqyrë këtë Agjenci.

“Unë e kam thënë që nuk kemi arritur ta mbikëqyrim. Më ka rënë fati të jem bartëse e procesit këto muaj. Besoj se Komisioni tash e tutje do ta luajë rolin e tij, çfarë e ka. Unë po shpresoj që drejtori që ka ardhur të jetë konstruktiv dhe bashkëpunues, detyrën tonë do ta kryejmë në bazë të rregullores dhe ligjeve”, ka shtuar ajo.

Musliu ka pasur edhe një kërkesë për deputetët e opozitës që janë pjesë e këtij Komisioni.

“Sot në Komision, siç e patë, ishin pjesëmarrës vetëm deputetët e pozitës, ata të opozitës nuk ishin në Komision. I ftoj të jenë më aktiv. Besoj se komisioni i AKI-së ka nevojë edhe për opozitën”, përfundoi Musliu.