21:09 / E Hënë, 30 Korrik 2018 / indeksADMonline

Opozita ia bën ‘bllok’ dialogut

Opozita vazhdon të kundërshtoj dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që mbahet në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Dialogu u kundërshtua edhe më shumë kur u vendos që ai të vazhdoj në nivel presidentësh. Kështu në raundin e fundit të mbajtur ditë më parë, në Bruksel u takuan presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Opozita për këtë, kërkoi që Kuvendi i Kosovës t’i vë vija të kuqe presidentit Thaçi, shkruan Indeksonline.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të qëndroj kundër idesë që Thaçi të udhëheq bisedimet. Madje, kjo parti nuk kishte përkrahur as platformën e prezantuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj nuk ka dashur të flas shumë për këtë temë. Ai ka thënë shkurt se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë sikurse i partisë të cilës i takon.

“Qëndrimi im është konform qëndrimit të LDK-ës mbi procesin e dialogut”, ka thënë shkurt Zemaj.

Kundër dialogut është shprehur kategorikisht edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i saj, Rexhep Selimi ka thënë për Indeksonline se nuk pranojnë të bisedojnë me Serbinë, përderisa është armike e Kosovës.

“Ne jemi kundër dialogut me Serbinë për Kosovën në secilën fazë, jo vetëm në këtë fazë. S’kemi pse të bisedojmë me Serbinë për Kosovën. S’kemi pse të bisedojmë me armikun e pavarësisë për nderimin e pavarësisë. Ne duhet të flasim me miqtë e Kosovës, jo me armiqtë e Kosovës. Ja përse nuk duhet të flasim kurrë me Serbinë”, ka theksuar Selimi.

Partia tjetër opozitare, Nisma Socialdemokrate, para disa ditësh ka prezantuar katër parakushte, të cilat duhet të përcaktohen dhe të saktësohen e që e përkufizojnë përmbajtjen dhe qëllimin e një procesi të tillë.

Sipas PSD-së, legjitimiteti duhet t’i takoj Kuvendit të Kosovës, të qartësohen parimet negociuese dhe të hartohet një dokument konsensual, të ndërtohen mekanizma parlamentare që përzgjedhin mandatarin dhe ekipin negociator si dhe e fundit, që opozita të marr rolin udhëheqës në dialogun me Serbinë.

Pas kundërshtimit të opozitës, presidenti Thaçi u ka bërë thirrje partive politike që të marrin mbi vete përgjegjësitë për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës për dialogun me Serbinë. Madje, ai i kishte ftuar në një takim liderët e të gjitha partive, por kjo ftesë u injoruar nga tri partitë opozitare./Indeksonline/