18:30 / E Diele, 24 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pacolli nga Brukseli tregon për kompromisin e Kosovës (Video)

Zëvendëskryeministri i Kosovës,njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli i cili po qëndron në Bruksel për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka përsëritur se asnjë shtet që ka njohur Kosovën, nuk e ka tërhequr atë prapa.

Sipas Pacollit së shpejti pritet që dhjetëra shtete të njohin Kosovën.

Nuk duhet të merrem me deklarata te të tjerëve ne jemi duke krijuar miqësi, marrëdhënie me botën dhe mund të them se kemi me dhjetëra shtete të fuqishme që janë në procesin përfundimtar të procesit të njohjes, dhe këto njohje vijnë nga të gjitha kontinentet dhe janë të pandalshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, ai ka shtuar se nuk duhet t’u besojmë propagandave se disa shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

“Të mos e befasojmë askënd sa i përket tërheqjeve. Unë them se nuk ka pasur tërheqje, dhe mediat duhet të kuptojnë se më me rëndësi është të shikoni faqen zyrtare të shteteve që kanë njohur dhe aty shihet se kush po gënjen. Unë e di se dikush po gënjen, para pak ditësh Liberia ka rikonfirmuar marrëdhëniet e mira me Kosovë dhe ka thënë se askush nuk mund të flas në emër të tyre se ka tërhequr njohjen. Këto ditë pritet të ketë vizita zyrtare nga ky shtet”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket bisedimeve dhe kompromiseve që do arrihen, ai tha se tashmë Kosova ka kryer kompromiset me Serbinnë me Pakon e Ahtrisaarit.

“Kompromisi duhet të jetë. Pala kosovare ka bërë komprisin e vet. Pala kosovare e ka kryer kompromisin me Pakon e Ahtisaarit”, ka thënë Pacolli nga Brukseli.

I pyetur se pse nuk po pajtohen të dy palët (pasi sot pati deklarata se arritja e marrëveshjes do të jetë tejet e vështirë), shefi i diplomacisë kosovare tha se sot palët vetëm do ta dëgjojnë njëra-tjetrën, ndërkohë që më vonë do të konkretizohen problemet.

“Ky dialog është në fazën e parë sigurisht. Sot palët dëgjojnë njëra-tjetrën dhe sigurisht problemet do të artikulohen më vonë, jo sot”, potencoi Pacolli.

Duke folur për demarkacionin me Malin e Zi, Pacolli tha se sot nuk do të flitet mbi këtë pikë.

“Nuk është folur për demarkacionin ende, por sigurisht do të jetë njëra prej pikave sigurisht”, shtoi ai, duke thënë se Kosova ka pranuar kompromisin qysh me Pakon e Ahtisarit. /Indeksonline/