15:55 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pacolli sërish demanton Serbinë: Nuk ka tërheqje të njohjes së Kosovës nga Liberia

Gjatë ditës së djeshme mediat serbe raportuan se Liberia tërhoqi njohjen e shtetit të Kosovës. Ndërsa sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq raportohet të jetë takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbezongara Milton Findlija, të cilin edhe e ka falënderuar për hapin e ndërmarrë në tërheqjen e njohjes.

Vuçiq përpos falënderimit që pati për shtetin liberian tha se bashkë me homologun e këtij shteti janë dakorduar të krijojnë një lidhje të re bashkëpunimi më të ngushtë në të gjitha fushat.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

I kontaktuar nga Indeksonline, zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se nuk kanë marrë asnjë informacion për një tërheqje të tillë.

“Absolutisht jo, është puna e tyre çka bëjnë ata, ne kemi punët tona dhe do t’ia dalim pasi që në anën tonë është e drejta legjitime”, ka thënë Pacolli.

Kryediplomati Pacolli ka thënë se serbët duhet të gjykojnë veten se për çfarë janë duke punuar.

“Ne punojmë për konstruktivitet dhe ardhmëri e ata të gjykojnë vet për çka punojnë. Dokumenti i Liberisë nuk është autokton, sipas dëshmive dhe burimeve të besueshme nga Monrovia. Sikurse edhe në rastin e Burundit, Ghanes e Guinea Bisau javën që vjen u sjellim dëshmitë”, ka thënë Pacolli.

Ministri Pacolli ka deklaruar gjithashtu se me Liberinë, shteti i Kosovës ka marrëdhënie diplomatike dhe se tashmë ka edhe ambasador të akredituar.

Ndryshe Serbia përgjatë këtij viti në shumë raste ka bërë propaganda të ndryshme lidhur me tërheqjet e njohjeve të shteteve të huaja në drejtim të Kosovës, raportime këto të cilat janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës./Indeksonline/