18:56 / E Hënë, 16 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pacolli zhvilloi një takim të rëndësishëm në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Përfaqësuesin Special të Kryeministres britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte njëherit Ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad,  me ekipin e tij. 

Takimi ishte rezultat i diskutimeve të mëhershme në margjina të Samitit të Londrës, ndërsa u diskutua mbi mbarëvajtjen e deritanishme të dialogut të nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe nismave të përbashkëta sa i përket  viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimit të kësaj çështje në nivel ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të falënderojë fuqishëm Mbretërinë e Bashkuar për organizimin fantastik të Samitit të Londrës dhe temave që u diskutuan aty. Shpresoj që klima pozitive që mbretëroi në Londër të vazhdojë të dominojë agjendat e secilës Qeveri dhe secilit vend të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë kryediplomati kosovar.

Në vazhdim, numri dy i Qeverisë, Pacolli, i ka shprehur një mirënjohje të veçantë Lordit Ahmad dhe Qeverisë britanike për adresimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtarë, duke shprehur përkushtimin e plotë Institucional për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes dy vendeve në aktivitetet e tanishme dhe nismat e reja./Indeksonline/