10:07 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018

Paditësit tërhiqen nga masa e sigurisë ndaj deklaratës së Jahjagës

Paditësit e Atifete Jahjagës janë tërhequr në seancën e sotme nga masa e sigurisë ndaj deklaratës së Jahjagës që e konsiderojnë fyese.

Në seancën e sotme në lidhje me padinë për shpifje të ish-Presidentes Jahjaga, paditësit me anë të avokates së tyre Shpresa Berisha-Rexhepi janë tërhequr nga kërkesa për masë sigurie ndaj deklaratës së Atifete Jahjagës.

Kunetërit e Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës së vitit 1999 kanë paditur ish-Presidenten Jahjaga për shpifje.

Padia lidhet me deklaratën e Jahjagës se Shyhrete Berisha “është nxjerrë zhag nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Paditësit kërkonin që kësaj deklarate t’i vihet masë sigurie, domethënë që një deklaratë e tillë të largohej, ose të eliminohej nga qarkullimi.

Por sot avokatja Shpresa Berisha- Rexhepi u tërhoq nga masa e sigurisë ndaj deklaratës për arsye të kalimit të një kohe të gjatë gati gjashtë muaj nga koha e paraqitjes së kësaj kërkese.

“Pasi që e ka ndalë Presidentja shpifjen dhe nuk ka ndërhyrë më në çështjen gjyqësore konsiderojmë se kane pushuar rrethanat për te cilat kemi kërkuar caktimin e masës së sigurisë”, tha avokatja.

Por Arianit Koci, avokati i ish-Presidentes Jahjaga, padinë e konsideroi të pabazuar, ndërsa deklaroi se ajo është dashur të hidhej poshtë.

“Propozimi dhe padia është dorëzuar pas afatit ligjor dhe si e tillë është dashur të hedhet”, tha Koci.

Ai konstatoi se pasi propozuesi i masës së sigurisë është tërhequr nga ky propozim, nuk do të lëshohet në këtë çështje.

Koci e konsideroi pretendimin në padi të pabazuar e të pambështetshëm. Tha se ish-presidentja opinionin e saj e ka shprehur në mënyrë metaforike.