20:25 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Pamje dëshpëruese: Kështu duken shtretërit në njërin prej reparteve të QKUK-së (Foto)

Infrastruktura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të jetë shqetësuese. Kushtet aspak të mira në shumicën e klinikave të QKUK-së kanë bërë që shpesh herë të kenë telashe edhe pacientët.

Në disa foto të siguruara nga “Indeksonline” shihen shtretërit të cilët duken në gjendje të mjerueshme në njërin prej reparteve përkatës.

Bëhet fjalë për Klinikën e Kirurgjisë ku shtrati i pacienteve, i cili është esencial, shihet krejtësisht i gjakosur.

Në pamjet më poshtë të pranishëm janë edhe disa mjekë, pjese e stafit të QKUK-së.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili kohë më parë kishte premtuar se infrastruktura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) shumë shpejt do të modernizohet. Sipas tij, pikënisje do të jetë një pjesë e emergjencës së vjetër.

“Për infrastrukturë, e kemi bërë bashkë buxhetimin me ShSKUK-në (Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës). Ne kemi një vijë buxhetore që quhet modernizimi i spitaleve tona. Dhe ne do të modernizojmë spitalet tona, do t’i bëjmë të duket infrastruktura më mirë, të investohet në to, që qytetari ynë, por edhe personeli mjekësor, ta ketë një vend ku realisht duket se është spital, e jo një vend i cili ka tavane të prishura, tualete që nuk funksionojnë, ose dyer që nuk hapen ose mbesin të hapura…”, ishte shprehur ministri i Shëndetësisë. /Indeksonline/Alban Muhaxheri/

 

P.s. Fotoja e ballinës, e dizajnuar