13:10 / E Shtunë, 23 Qershor 2018

Parashikimi i analistëve kosovarë për zgjedhjet në Turqi, çfarë thonë për Erdoganin?

Nesër ( më 24 qershor) Turqia do të votojë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Këto zgjedhje mund ta mbajnë presidentin Reccep Tayyip Erdogan në pushtet edhe për pesë vite  të tjera.

Lidhur me këtë çështje analistët kosovarë presin që Erdogan t’i fitojë presidencialet, por ndoshta jo pa balotazh.

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Genc Zogaj për Indeksonline ka folur rreth rëndësisë që kanë zgjedhjet në Turqi për Kosovën.

Zogaj thotë se politika aktuale e qeverisë turke është në mbështetje të fuqishme të çështjes shqiptare.

“Gjithsesi, zgjedhjet ne Turqi kane rëndësi të madhe, përcaktuese jo vetëm për shtetin, popullin turk, por edhe për gjeopolitikat rajonale dhe integrimin e Kosovës në familjen Evropiane dhe atë botërore. Prandaj, meqë Kosova, Shqipëria janë pjese e gjeopolitekes rajonale, rezultati i zgjedhjeve turke është me interes dhe me ndikim edhe për popullin shqiptar gjithandej. Politika aktuale e shtetit dhe e qeverise turke është në favor, në mbështetje të fuqishme të çështjes shqiptare”, ka thënë Zogaj.

Më tej, sa i përket fituesit të zgjedhjeve, ai ka shtuar se shqiptarët do ta respektojnë vullnetin demokratik. Zogaj thekson madje, se Kosova duhet të punojë shumë në fuqizimin e aleancës me Turqinë si anëtare e NATO-s.

“Turqia, presidenti aktual Erdogan është perkrahës i faktorizimit rajonal, ndërkombëtar i popullit shqiptar,i vendosur për forcimin e miqësisë me popullin tone, aleat besnik i Shqipërisë dhe Kosovës. Sidoqoftë, është në vullnetin demokratik të votuesve turq për tu përcaktuar për fituesin, ne shqiptaret do ta respektojmë atë vullnet, atë votë demokratike dhe ne si Kosovë duhet te punojmë në fuqizimin e aleancës me Turqinë edhe si anëtare e NATOS, aspiratë e kahmotshme edhe e shtetit tonë”, ka përfunduar ai për Indeksonline.

Në anën tjetër, analisti kosovar, Nexhmedin Spahiu ka thënë se për Kosovën në këto zgjedhje është më mirë të triumfojë Erdogani.

Ai ka treguar arsyen se pse sipas tij, duhet të fitojë presidenti aktual i Turqisë.

Spahiu nuk dëshiron të lëshohet rreth asaj se kush mund të fitojë, për arsye se siç thotë ai, nuk ka shumë njohuri si kanë shkuar lëvizjet politike në këtë vend.

“Për Turqinë nuk e di se kush është më mirë me fitu atje, mirëpo për Kosovën është më mirë që të fitojë Erdogani se nga gjithë presidentët turq deri më tani u kanë më së shumti për Kosovën dhe është për shqiptarët. Se sa janë gjasat që të humb ai nuk e di sepse se di si shkojnë rrjedhat në Turqi apo lëvizjet e fundit politike sa kanë ndikuar në dispononimin e qytetarëve , prandaj nuk mund të jap prognozë se kush do të fitojë”, ka thënë Spahiu./Indeksonline/