17:43 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018

Parimi bazë i politikës myslimane në Kudsi Sherif

(Pjesa e dytë e debatit me Bardhyl Mahmutin në lidhje me Jerusalemin)

Rreshtat në vijim janë pasqyrim i pikëpamjes islame e cila po vihej në praktikë në ditët e para të myslimanëve kur hynë në Kuds. Janë këto mësimet kur’anore që ua kishte dhënë Muhamedi a.s.  besimtarëve muslimanë. Dikujt do t’i duket tepër idealiste, dikujt tjerë të pabesueshme, por, ama, ato janë realitete dhe fakte të ruajtura në kujtesën e historisë së Kudsi Sherifit.

Shkruan: Dr.Mustafa Bajrami

Edhe më parë kam thënë se është e pamundur të kuptohet çështja e Kudsit pa e kuptuar drejtë sidomos mësimin islam mbi tolerancën dhe barabarësinë mes njerëzve. Sepse, në rrafshin horizontal, për Islamin është shumë e rëndësishme shtrirja e mendimit të tij deri në pakufi. Universaliteti në kuptimin kohorë dhe hapësinorë është përpjekje konsistente historike e mësimeve kur’anore. Kufijtë nacional, shtetërorë, politik e ideologjik nuk përkojnë me universalitetin që e promovon Islami. Këta kufij cënojnë në masë barabarësinë mes njerëzve që e dëshiron Islami. Manifestimi i universalitetit të Islamit ka të bëjë me platformën islame e cila po sistemohej edhe në Kudsi Sherif. Thënë më qartë, në kontekst të zbulesës që na ofron Kur’ani, faktet flasin për nevojën e një jetese të përbashkët mes njerëzve, sepse, këto fakte flasin mbi prejardhjen e përbashkët të të gjithë njerëzve. Të gjithë njerëzit janë krijuar njëjtë, të gjithë janë prej të njëjtës materie dhe të gjithë janë krijuar prej një mashkulli dhe një femre. Njerëzit kanë lindur sipas të njëjtës formulë. Nga ky këndvështrim, mes njerëzve nuk ka kurrfarë dallimi. Kur’ani këtë princip e përmend në disa vende dhe në mënyrë eksplicite i bënë me dije lexuesit se kjo është kështu dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Sipas Islamit, ndarja e njerëzve në familje, fise, popuj, raca etj, nuk paraqet kurrfarë baze për dallime cilësorë mes tyre. Ndarja e njerëzve në fise, popuj, raca dhe në grupime të tjera mbi baza fetare, ideologjike, ekonomike e të përcaktimeve të ndryshme politike, kanë domethënien e mundësisë së njohjes mes vete. Dallueshmëria e vetme që e pranon Kur’ani është dallueshmëria mbi bazën e aktivitetit të dobishëm. Kriteri i vetëm për vlerësimin e njerëzve është vepra e mirë. Për asgjë tjetër njerëzit nuk mund dhe nuk duhet të dallohen mes vete.

Edhe i dërguari i Allahut, jeta dhe veprimtaria e të cilit janë burimi i të drejtës islame, kishte urdhëruar që kjo logjikë kur’anore të vihet në praktikë. Myslimanët të njëjtën e kishin jetësuar edhe në Kudsi Sherf. Nga historia islame mësojmë se Muhamedi a.s. thoshte se njerëzit kanë një Zot dhe një baba. Të gjithë vijnë nga Ademi ndërsa Ademi vjen prej dheu. Më i miri prej njerëzve është më i dobishmi për shoqërinë dhe që bënë më së shumti vepra të mira. Arabi s’ka kurrfarë përparësie prej jo arabit, e as jo arabi prej arabit. (Ligjërata e Muhamedit a.s. në Haxhin Lamtumirës).

Para se myslimanët të hyjnë në Kuds, Kudsi administrohej prej romakëve. Romakët atje vepronin sipas mësimeve që i merrnin nga juristët e tyre në Romë. Ato mësime ishin përzierje e filozofisë greke me mentalitetin skllavopronarë që kishte gjetur shtrirje gjithandej. Kështu, përderisa Aristoteli e pranonte ndarjen e njerëzve në skllevër dhe pronarë, ku në librin e tij të njohur “Politika” thotë se është shumë normale që të huajt (barbarët) të jenë skllevër të helenëve, myslimanët në Kuds hoqën barrierat e ndasive mes njerëzve. Këto barriera myslimanët i luftuan që nga ditët e para të tyre. Pasuesit e Muhamedi a.s. në Kuds po përhapnin mësimet islame, që në fakt, ishte lufta e hapur dhe e pakompromis kundër robërisë së njeriut. Nëse sipas Aristotelit zotat kanë krijuar dy lloj njerëzish, ata që kanë vlerë, e këta janë të pajisurit me arsye dhe vullnet të lirë, dhe ata që janë të pajisur vetëm me fuqi fizike, Muhamedi a.s. dhe pasuesit e tij thoshin se njerëzit dallohen vetëm në bazë të kontributeve të tyre që ia japin shoqërisë. Sipas Aristotelit të parët janë pronarë dhe zotërinj ndërsa të dytët janë vetëm numra, janë skllevër dhe shërbëtorë. Të parët urdhërojnë, të dytët dëgjojnë. Të parëve u takon çdo gjë, të dytëve nuk u takon asgjë. Të parët kanë të dejtë të bëjnë çka të donë, të dytët nuk janë të lirë të bëjnë asgjë pa lejen e të parëve.

Nga pikëpamja kur’anore njeriu paraqet vlerën më të madhe. Ai është mëkëmbësi i Zotit në tokë, është zëvendësi i Tij në ekzistencë. Çdo gjë që është në tokë dhe në qiej, njeriut i është lënë në dispozicion. Ai menaxhon me to dhe ai është përgjegjës se si i përdorë. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijojë në tokë një zëvendës”!. Ata thanë:” A do të krijosh atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjak, e ne të madhërojmë Ty dhe plotësisht të adhurojmë?” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”. (el-Bekare, 30) Vënia e njeriut në këtë pozitë, në pozitën që e lakmonin edhe engjëjt, tregon qartë rolin që po ja jepte Zoti si individ apo si shoqëri. Sipas Islamit, pra, cenimi i të drejtës së një individi është cenim i të drejtës së shoqërisë. Askush nuk guxon të cenojë tjetrin , sepse, sipas këtij parimi njeriu cenon vetveten. Bazuar në këto mësime të Islamit, Jerusalemi u qeveris mbi 1200 vjet në paqe. Të gjithë njerëzit aty ishin të barabartë para ligjit, të gjithë e donin Jerusalemin e tyre, dhe, të gjithë njëjtë ndjeheshin përgjegjës për aq sa ishin të ngarkuar.

Kur myslimanët hynë në Kuds, ata i dinin të gjitha këto. E dinin gjithashtu se popullata shumicë e atjeshme i përkiste një feje tjetër monoteiste. Myslimanët kishin mësuar me kohë si të komunikonin me të krishterët dhe të tjerët, si të kooperonin dhe si t’i respektonin normat fetare të jetës së tyre. Në detajet më të vogla i kishin dëgjuar mësimet e pejgamberit as. rreth jomyslimanëve. Ata i kishin dëgjuar edhe ajetet që flisnin mbi hebrenjtë, i kishin dëgjuar edhe metodat e pejgamberit si sillej me hebrenjtë, si e kishte përgatitë platformën kooperuese me ta dhe si po e jetësonte në praktikë. Mësimet e Islamit ishin bërë fryma e jetës së tyre. Asgjë nuk bënin ndryshe nga që ishin porositur nga dërguari i Zotit. Dhe, kur është fjala për besimtarët e feve monoteiste, Kur’ani nuk i refuzonte ata në mënyrën siç e interpretuan më vonë gabimisht ky segment kaq i rëndësishëm i Islamit. Për Kur’anin besimtarët monoteistë janë “Ehli-kitab” (Ithtarë të Librit). Ata nuk janë të largët m besimtarët myslimanë. Ata nuk janë armiq të myslimanëve vetëm pse nuk janë myslimanë. Sikur që, ata nuk janë pabesimtarë me faktin se nuk janë myslimanë. Ka mendime se, përveç hebrenjve dhe të krishterëve, Islami i njeh për ithtarë të librit edhe sabejtë, budistët dhe brahmanën. Nuk janë të pakët dijetarët islam të cilët thonë se është e mundur që edhe këta të fundit të kenë pasur libra të shpallur nga Zoti i Madhërishëm. Siç shihet, rrethi i “Ithtarëve të Librit” nuk përkufizohet vetëm me të krishterët dhe hebrenjtë, por, komunikimi dhe kooperimi ndërnjerëzorë i myslimanëve duhet të shtrihet deri tek sabejët, budistët e brahmanët.

Në fakt, çka donë të thotë fjala “Ehli-kitab” në cilën e përdorë Kurani për jomuslimanët?

Sipas Islamit, parimet bazë të një feje monoteiste janë tri; besimi në Zotin, besimi në Ditën e Gjykimit dhe veprat e mira. Të gjithë ata që i përmbahen këtyre tri parimeve, pa marrë parasysh cilës fe i takojnë, janë “Ehli itab”, meritojnë mëshirën e Zotit, shpëtimin dhe, natyrisht edhe shpërblimin për veprat e mira që i bëjnë. Myslimanët e kishin parasysh këtë mësim edhe kur hynë në Kudsi Sherif. Nuk mbahet mend që dikush nga të parët myslimanë të ketë thyer këtë rregull kur’anorë. Kurani, megjithatë thotë se jo të gjithë ehli-kitabët janë të njëjtë. Në mesin e tyre ka nga ata që i luten Zotit, që besojnë në Ditën e Gjykimit, që udhëzojnë në vepra të mira dhe që ndalojnë nga veprat e liga. Këta janë të përzgjedhurit e njerëzve. Këta do të shpërblehen dhe assesi nuk do të anashkalohen. “Ata (ithtarët e librit) nuk janë të gjithë të njëjtë. Një pjesë e madhe prej tyre janë në rrugën e drejtë, gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut duke u lutur. I besojnë Allahut dhe Ditës së Gjykimit, këshillojnë për të mirë dhe largojnë nga të këqijat, përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve. E çfarëdo të mire që bëjnë, ajo nuk u mohohet. Allahu i di shumë mirë të devotshmit”.(Al Imran, 113-115)

Statusi i “Ehli-kitab”-it precizohet edhe më saktë me ajetin 62 të sures el-Bekare: “Vërtetë, ata që besuan, ata që ishin jahudi, të krishterë, sabejët, kush besoi prej tyre në Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë e as nuk kanë përse të tendosen”.

Siç shihet nga ky ajet dhe nga ky këndvështrim, Kur’ani i jep të njëjtin tretman edhe myslimanëve, edhe të krishterëve, edhe hebrenjve edhe sabejve. Kryesorja është t’i kenë besuar Zotin, Ditës së Gjykimit dhe të kenë bërë vepra të mira. Njëjtë me këtë ajet është edhe ajeti 69 i kaptinës el-Maide: “S’ka dyshim se kush e beson Allahun, e beson Ditën e Gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë prej atyre që besuan, prej jahudive, prej sabiinëve, prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë e as pikëllim”.

Për ta kuptuar edhe më mirë këtë çështje dhe për të mësuar se përse myslimanët sot mendojnë ndryshe nga mësimet bazë të Kur’anit të tyre, pra, për të mësuar shkaqet e gjendjes së tanishme të myslimanëve, rrjedhimisht edhe pozitën dhe qëndrimet e tyre ndaj botës, sidomos ndaj Kudsi Sherifit, duhet t’i bëjmë një retrospektivë historisë së zhvillimit të mendimit islam. Nënvizimi i dallimit mes burimeve kryesore të së drejtës islame (fikh) dhe historisë së zhvillimit të kësaj shkence është mase i nevojshëm.

Sipas mësimeve kur’nore mbi të drejtat e besimtarëve jomyslimanë (Ehli-kitab), apo siç quhen me terminologjinë e fikhut, “el-Dhimijje”, ehli kitabët i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë edhe myslimanët. “Lehum ma lena ve alejhim ma aleja” (Kanë të njëjtat të drejta sikur ne dhe obligohen njëjtë sikur të gjithë ne). Myslimanëve u lejohet bile edhe martesa me femra nga ithtarët e librit. U lejohet gjithashtu edhe ngrënia e ushqimit të tyre.

Prandaj, nëse ushqimi është kusht për të jetuar dhe martesa ndihmon shtimin e njerëzimit, atëherë, si mund të ketë diçka më e ulët se këto në vlerë e të pengojnë kooperimin mes njerëzve? Apo, a ka qasje më e afërt dhe më vëllazërore se sa kjo që e bënë Kurani? Çka mund të jetë më e rëndësishme për njeriun se sa gruaja që është nëna e fëmijëve të tij? Nëse Kur’ani i lejon myslimanit që fëmijët e tij t’i lindë dhe t’i edukojë një jomyslimane nga Ehli-kitabi, pastaj t’i besohet asaj përgatitja e ushqimit për te, si mund të ketë pengesa në sfera tjera të jetës që janë më pak të rëndësishme? Nëse myslimanit i lejohet të krijojë lidhje kaq intime, kaq të rëndësishme dhe kaq subtile me jomuslimanen, e si mundemi pra, t’i shpjegojmë e t’i pranojmë interpretimet paushalle që i bëjnë sot disa myslimanë dhe i ndalojnë marrëdhëniet me të tjerët?

Në Islam nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrfarë diktati apo motivi tjetër që qet nën hije tolerancën e mësimeve të Kur’anit. Pa marrë përsyshë gjendjen e tanishme të botës myslimane e cila nga njëra anë është katandisur pas lluksit e nga ana tjetër nga varfëria, është katandisur pas shfrenimeve si dhe është kapluar nga luftërat e pakuptimta, këto principe të Kur’anit mbesin të përjetshme dhe tregojnë qartë “wasatijen”, mesin e artë dhe zemërgjerësinë e fesë islame. Imagjinoni, Kur’ani ishte zemërgjerë edhe ndaj idhujtarëve që ishin kundërshtarët më të rreptë të Islamit: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje atë në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt…”. (et-Tevbe, 6)

Sipas principit islam mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, princip ky që i tejkalon të gjitha pikëpamjet e tanishme në lidhje me te, Islami i njeh të drejtën e azilit dhe të mbrojtjes, pra, edhe mushrikëve (idhujtarëve). Islami sillet kështu me armikun edhe në momente konfrontimesh më të ashpra për jetë a vdekje. Bënë kështu, sepse, Islami edhe armikun e njeh për njeri. Me raste solidarizimi të këtij lloji, faqete historisë islame janë të mbushura plot e për plotë. Dhe, përderisa po flasim për Kudsi Sherifin, më i freskëti është ai i gjeneralit të ushtrisë myslimane Salahudin Ejubit me Riçard zemërluanin.  Përderisa ky i fundit kishte vrae prishte prerë me mijëra myslimanë, kishte djegur shtëpitë e myslimanëve dhe kishte shkatërruar çdo gjë që kishte mund, në momentin kur ishte plagosur, për te ishte kujdesur mjeku i Salahudin Ejubit dhe e kishte shëruar, me urdhër të Salahudin Ejubit. .

Nëse Kurani i urdhëron myslimanët që kështu të sillen me jobesimtarët edhe në gjendje lufte, atëherë praj nga sot këto qëndrime aspak islame të myslimanëve me Ehli-kitabin në kohë paqeje?! Kur’ani i urdhëron myslimanët që ndaj jomyslimanëve të sillen paqësisht, t’i ndihmojnë sa herë që nevojitet, përveç  nëse sulmohen prej tyre për shkak të fesë që kanë apo nëse dëbohen prej shtëpive të tyre.

Myslimanët e parë që hynë në Kudsi Sherif, pareshtur përmendnin mësimet e Muhamedit a.s. në lidhje me dhimmitë. Ata u thonin banorëve vendës se profeti i tyre kishte kujdes të posaçëm ndaj dhimmive. Muhamedi a.s. kishte thënë se ai i cili i shqetëson dhimmitë, nuk i takon ymetit të tij. Në një rast tjetër thotë se në Ditën e Gjykimit do t’i ankohet Allahut për myslimanin i cili është sjellë padrejtësisht ndaj dhimmiut apo ka dëmtuar pasurinë e tij. Gjithashtu edhe Ebu Bekri kishte lëshuar dekret ku kishte urdhëruar të kihet kujdes i madh ndaj të drejtave të dhimmive. “Kush gabon ndaj dhimmive, do të dënohet ashpër e nesër në Ditën e Gjykimit do të jetë përgjegjës për atë që ka bërë”, kishte thënë halifja i parë i myslimanëve.

Ndër më të zëshmit për të drejtat e dhimmive ishte Omeri r.a, halifja i dytë i besimtarëve. I shtrirë në shtratin e vdekjes pak qaste para se të vdiste, ai kishte thënë se myslimanët duhet të kenë kujdes të madh ndaj dhimmive, duhet t’i ndihmojnë ata kur të kanë nevojë, duhet t’i kryejnë obligimet ndaj tyre, duhet t’i mbrojnë nga armiqtë dhe, ç’është më kryesorja, shtetit islam i ndalohet t’i obligojë dhimmitë me diçka që nuk i obligon myslimanët.

Imam Lejthi kishte dhënë fetvanë se shteti islam duhet të paguaj nga arka e vetë  (bejtu’l-mal) lirimin e robërve dhimmi, ndërsa Ibn Tejmije kishte refuzuar të nënshkruaj mbi dokumentin e armëpushimit me emirin e tatarëve, Kutbu Shah, përderisa ai nuk i liron të gjithë robërit dhimmi që i kishte zënë gjatë luftës.

Ndër momentet më të rëndësishme që vlen të përmenden këtu teksa po flasim për myslimanët në Kudsi Sherif, është edhe e drejta e testamentit dhe trashëgimisë së ehli-kitabëve. Ishte prurë vendim se ajo që është brenda kornizave të fesë së krishterë, edhe nëse nuk përkon me dispozitat e fesë islame, të pranohet si e qëndrueshme. Pra, sipas parimeve islame mbi të drejtat dhe liritë fetare, porosia (testamenti) i dhimmiut është i plotfuqishëm edhe nëse ai testament nuk parashihet me ligjet islame por është i paraparë me rregullat e fesë së dhimmiut. Në të kundërtën, testamenti i tij nuk vlen nëse bie ndesh me parimet e fesë së tij, por është i pajtueshëm me ligjet e fesë islame. Për shembull, nëse dhimmiu lë porosinë që shtëpia e tij pas vdekjes të shndërrohet në xhami, apo nëse lë pasuri dhe thotë se ajo pasuri të përdoret për shpenzime të haxhit për myslimanë, ky testament nuk obligon shtetin islam ta miratojë. Por, nëse lë porosi që shtëpia e tij pas vdekjes së tij të shndërrohet në kishë, apo në një thertore për derra, porosia është e vlefshme dhe myslimanët obligohen të ndihmojnë në realizimin e kësaj porosie.

Ibn Kajjem el-Xhevzi në librin e tij të njohur Ahkamu ehli-Dhimme (Ligjshmëria e Ehli-kitabit) thotë se nëse një mysliman është i martuar me një grua nga ehli-kitabi, bashkëshorti mysliman ka të drejtë t’i kërkojë asaj të mos pi alkool, por nuk ka të drejtë ta ndalojë.

Megjithëqë ka edhe shumë shembuj tjerë që mund t’i përmendim në lidhje me tolerancën islame që po gjente shtrirje sidomos në Kudsi Sherif, dhe jo vetëm andej, duhet të përmendim edhe një fakt të hidhur, të pamohueshëm që ka ndodhur përgjatë historisë së zhvillimit të mendimit islam.

Islami si fe dhe si mendim, pra, si kulturë dhe si civilizim, ka pasur dy periudha të zhvillimit; Periudha e parë ka të bëjë me kohën kur mësimet kur’anore ishin në kulmin e zhvillimit. Është kjo periudha e gjeneratave të para të myslimanëve kur selefi funksiononte në mbarësi, kur ixhtihadi ishte parim i myslimanëve, kur Islami po zhvillohej, po përpunohej dhe po vihej në praktikë në përputhshmëri me dinamikat dhe nevojat e kohës. Pavarësisht kushteve revolucionare të atëhershme, pavarësisht debateve dhe konfrontimeve mes dijetarëve dhe të urtakëve myslimanë, atëbotë, për myslimanin njeriu dhe dinjiteti i tij ishin të shenjta. Është kjo kohë kur parimet universale të Islamit po gjenin shtrirje në të gjitha anët. Është kjo kohë kur shteti islam i njihte azilin edhe armiqve dhe kundërshtarëve më të ashpër.

Periudha e dytë karakterizohet me sterilitet, me imitim, nënshtrim, mbyllje në vetvete, me fanatizëm të verbër dhe me armiqësi ndaj të vetit dhe të huajve. Është kjo periudha kur u krijuan marrëdhënie krejtësisht ndryshe me jomyslimanët. Në praktikë u vunë rregulla të reja, rregulla që nuk përkonin me të drejtën islame. Janë këto kohë ku politikat ditore të pushtetmbajtësve po merrnin në dorë edhe të drejtën juridike islame. Për fat të keq, këto forma të reja u futën edhe në shkencën e fikhut por fatmirësisht jo edhe në strukturën e sheriatit islam.

VAZHDON:

Nesër: 14 shekuj histori e çuditshme; Kudsi prej ditës së parë kur hynë myslimanët në te e deri në ditën e fundit kur u dëbuan nga aty).