23:04 / E Diele, 12 Gusht 2018

Pas akuzave të Bahtirit për “Mitrovicën e re”, përgjigjet Blerim Latifi

Blerim Latifi, këshilltar politik i Kadri Veseli, i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili ka kundërshtuar projektin që ka prezantuar kryeparlamentari Veseli për “Mitrovicën e re”.

Bahtiri e ka akuzuar Veselin edhe për ndarjen e Mitrovicës në jug dhe veri, duke e vlerësuar këtë projekt të tij për përfitim të elektoratit.

Blerim Latifi në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se çdo herë që dikush bën diçka të mirë për Mitrovicën, Agim Bahtiri reagon.

“Fillon e shqetësohet, fillon e bëhet nervoz dhe, në nervozë e sipër, ia lëshon komplet frenin budallakut të tij kronik. Pse i ndodhë kjo? Ka një shkak të vetëm: ky njeri, që mban postin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, nuk është duke bërë asgjë të mirë për Mitrovicën”, ka thënë Latifi, i cili e ka quajtur edhe horr Bahtirin.

Ai ka theksuar se ideja themelore e projektit të Veselit për Mitrovicën është se nuk bën të lihet Mitrovica në mëshirën e fatit, e as në mëshirën e një kryetari komune, që vetëm një gjë e di, t’i bëjë gjërat keq e më keq.

“Pra, kjo është brenga, të mos lihet vetëm Mitrovica. I duhet thënë stop degradimit, që po e shkatërron njërën nga qendrat me të cilën është krenuar historikisht e gjithë Kosova. Mitrovica ka nevojë që t’i rikthehet dinjiteti, nëpërkëmbja të cilit, mes tjerash, mban edhe emrin e Agim Bahtirit”, ka thënë Latifi.

Pyetje: Z. Latifi, brenda dy tre ditësh kemi parë reagime të ashpra të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit. Në këto reagime ai bën akuza të rënda në drejtim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Reagimet erdhën pas vizitës së fundit të Veselit në Mitrovicë dhe publikimit të projektit të tij “Mitrovica e re”.
Latifi: Çdo herë që dikush bën diçka të mirë për Mitrovicën ky njeri, pra Agim Bahtiri, fillon e shqetësohet, fillon e bëhet nervoz dhe, në nervozë e sipër, ia lëshon komplet frenin budallakut të tij kronik. Pse i ndodhë kjo? Ka një shkak të vetëm: ky njeri, që mban postin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, nuk është duke bërë asgjë të mirë për Mitrovicën. Dështimet e tij janë të gjithanshme. Komuna e Mitrovicës i është nënshtruar një degradimi masiv, në çdo pikëpamje. Qytetarët e Mitrovicës janë duke bartur pasojat e aksidentit elektoral, që mban emrin Agim Bahtiri. Dhe, si gjithmonë, në raste dështimesh, rishfaqet metoda e vjetër e ikjes nga përgjegjësia, metoda e projektimit të fajit të dikush tjetër. Horrat kur dështojnë, vrapojnë të fshihen nën strehën e patriotizmit.

Pyetje: Ju po e quani horr z. Bahtiri?
Latifi: Po, horr e shkuar horrit!

Pyetje: Ai po e akuzon Veseli për ndarjen e shitjen e Mitrovicës?
Latifi: Meqë po e di se kush e ka shitur Mitrovicën duhet ta pyesni Bahtirin ku ka ndodhë kjo. Mos vallë Veseli e ka shitur Mitrovicën në tregun e bagëtive të qytetit, aty ku Bahtiri ka filluar karrierën e tij prej tuxhari, për të përfunduar në baushtellat e Holandës. Agim Bahtiri do mbetej përgjithmonë tuxhar me letërnjoftim të Serbisë në xhep, po të mos ishte Kadri Veseli dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai nuk di asgjë, ama bash asgjë, as për Mitrovicën, as për Kosovën, as para luftës, gjatë luftës, hiç se hiç, e as paluftës. Por qe do, parimi i budallës është gjithmonë dhe gjithkund i njejtë: flet me siguri për gjërat që nuk i di, e nuk i kupton.

Pyetje: Bahtiri po ju akuzon se projektin e tij “Mitrovica e Re” Veseli po e bën thjeshtë për interesa elektorale.
Latifi: Shikoni, për një kryetar komune, që ka dështuar totalisht në qeverisjen komunale, dita e zgjedhjeve është një ankth i përditshëm. Gjithçka që ndodhë rreth e rrotull i duket se mban erë zgjedhore. Ne nuk jemi në vit elektoral, as për qeverinë qendrore e as për qeveritë lokale. Ideja themelore e projektit të kryetarit Veseli për Mitrovicën është se nuk bën të lihet Mitrovica në mëshirën e fatit, e as në mëshirën e një kryetari komune, që vetëm një gjë e di, t’i bëjë gjërat keq e më keq. Pra, kjo është brenga, të mos lihet vetëm Mitrovica. I duhet thënë stop degradimit, që po e shkatërron njërën nga qendrat me të cilën është krenuar historikisht e gjithë Kosova. Mitrovica ka nevojë që t’i rikthehet dinjiteti, nëpërkëmbja të cilit, mes tjerash, mban edhe emrin e Agim Bahtirit.

Pyetje Mirëpo, Agim Bahtirin e kanë zgjedhur vetë qytetarët e Mitrovicës, madje dy herë rradhazi?
Latifi: Herën e parë ka qenë aksident elektoral, në kuptimin e plotë të fjalës dhe një pjesë të fajit për këtë aksident e mban edhe Partia Demokratike e Kosovës, gjithsesi. Herën e dytë, pasojë e blerjës së votës dhe koalicioneve partiake të partive që humbën në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Është pasojë e një sistemi të keq elektoral, i cili, humbësve u mundëson të vijnë në pushtet përmes balotazhit. Kjo gjë është deformim substancial i konceptit të përfaqësimit të vullnetit të zgjedhësve dhe reforma zgjedhore duhet ta adresoj me prioritet këtë defekt. Ju kujtohet Albin Kurti, më shumë bënte fushatë për Agim Bahtirin në Mitrovicë, se për Shpend Ahmetin në Prishtinë dhe sot Bahtiri flet me gjuhën e akuzave të tij. Shihni hipokrizinë e Kurtit: në njërën anë flet për intelektualizimin e politikës kosovare, në anën tjetër, punon për pushtetin e njërit prej politikanëve më injorantë dhe më të paedukuar që ka Kosova, e që është Agim Bahtiri. Në njërën anë e shanë ekonominë e tregut të lirë, e në anën tjetër punon për llojin më të keq të sipërmarrësve që ka prodhuar kjo ekonomi: tuxharët e paskrupullt. E ritheksoj, Mitrovica ka nevojë që të mos lihet vetëm. Një qytet që ka dhënë figura të mëdha historike, si Rexhep Mitrovica e Isa Boletini, njëri nënshkrues i pavarësisë së Shqipërisë e tjetri, mbrojtës i saj, që ka dhënë emra të njohur në fushën e artit, sportit, arsimit, kulturës në përgjithësi, qytet i industrisë moderne, nuk bën të lihet nën mëshirën e një njeriu që përfaqëson komplet të kundërtën e vlerave të Mitrovicës. Kjo është brenga e secilit që e do Mitrovicën me vlerat e saj autentike.