20:48 / E Shtunë, 14 Korrik 2018

Pasi Jashari e quajti “dyftyrësh”, kështu sqaron Zyra e Lushtakut!

Sot në media është publikuar një deklaratë e Kryetarit të Skenderajit, Bekim Jashari i cili ka akuzuar paraardhësin e tij, Sami Lushtakun në Komunën që e udhëheqë, i cili njëherësh është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, se nuk është treguar i sinqertë me të as në fushatën zgjedhore e as pasi është zgjedhur në krye të Komunës.

Mirëpo, këtë e ka mohuar kategorikisht Zyra e Kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakut. Sipas tyre, Lushtaku gjithnjë ka qenë dhe është në mbështetje të Jasharit.

Në një përgjigje për Indeksonline, Zyra e Lushtakut ka sqaruar këtë situatë.

“Z, Lushtaku e ka mbështetur edhe publikisht edhe privatisht z, Jashari. Raportimet në media nuk po na bëjnë përshtypje se ne tash nuk dëshirojmë të luajmë ping-pong. Qëndrimi i z, Lushtakut ka qenë i qartë dhe ka qenë publik për me votu qytetarët për kryetar komune, nuk ka diçka tjetër lidhur me deklaratën të cilën po pyesni“, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Sami Lushtakut për Indeksonline.

Ndryshe, sot Bekim Jashari në një deklaratë ka thënë se një përkahje e Lushtakut nuk ka qenë e sinqertë gjatë kohës së fushatës, prandaj sipas tij, tash po i shkaktohen probleme në qeverisje.

“Sami Lushtaku në fushatën e fundit e ka përkrahur publikisht kandidaturën time, por që të jem realist ajo deklaratë ka qenë vetëm për medie, pasi që as atëherë nuk ka qenë e sinqertë, njëjtë siç nuk është e sinqertë as sot. Kam informacione që Samiu jashtë medieve kur ka dalë për fushatë nëpër oda, ku s’ka kamera, nuk e ka thënë të njëjtën gjë për mua si para kamerave. Por, kjo le të jetë në ndërgjegjen e gjithsecilit”, ka thënë sot Jashari gjatë një interviste për një gazetë në Kosovë./Indeksonline/