21:11 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018 / indeksADMonline

Pasuria milionëshe e deputetit të PSD-së-Një milion e 880 mijë euro pasuri të paluajtshme

Një shtëpi, dy banesa, katër trualli dhe një tokë bujqësore është pasuria e paluajtshme e deklaruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Socialdemokrate Salih Salihu, vlera e të cilave është 1 milion e 880 mijë euro, raporton Insajderi

Salihu që përveç funksionit si deputet i kuvendit merr të ardhura edhe nga pozita si profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e që bie në sy pasuria e tij e paluajtshme.

Ai ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një shtëpi me sipërfaqe prej 250 metra katror dhe me vlerë prej 100 mijë euro. Ka deklaruar se i posedon dy banesa, njërën thotë se e ka fituar nga kursimet ndërsa tjetrën nga kursimet dhe kredinë. Këto dy banesa ai i ka vlerësuar se kushtojnë rreth 330 mijë euro.

Po ashtu ai ka deklaruar se si pronë të përbashkët posedon 58 hektar tokë bujqësore vlera e të cilave sipas tij është 600 mijë euro, për të cilën thotë se i ka të trashëguar.

Si pronë të përbashkët deputeti ka deklaruar se posedon edhe 5 traktorë, vlera e të cilëve është 60 mijë euro. Ndërsa në emër të tij ai ka deklaruar se posedon një veturë, një të tillë e ka deklaruar edhe në emër të prindërit të tij.

Salihu përveç të ardhurave nga posti i deputetit dhe ai i profesorit të UP-së, ka deklaruar se ka 100% të aksione edhe në “Uhilassportëear” dhe “Agrobalkan”.

Ish-deputeti i Vetëvendosje posedon 3 mijë e 400 euro në banka teksa ka deklaruar se ka edhe borxhe. Ka deklaruar se ka tri kredi në vlerë të 300 mijë eurove.