10:35 / E Shtunë, 02 Qershor 2018

PDK ‘krenare’ me Vetëvendosjen: Po na ndihmon në “betejën” ndaj Shpendit

Asamblistët e Komunës së Prishtinës kanë shkarkuar nga detyra, Qëndrim Sahitin, aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore.

E gjithë kjo erdhi si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në dhe PDK-në brenda Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kurse, këtë mbështetje reciproke e ka konfirmuar edhe asamblisti i PDK-së në Prishtinë Lirak Çelaj. Ky i fundit, për “Indeksonline”, ka thënë se Lëvizja “Vetëvendosje” po u ndihmon atyre në “betejën” kundër Shpend Ahmetit.

“Nuk është që ne i kemi ndihmu Lëvizjes Vetëvendosje, ajo na ka ndihmu ne sepse në këtë betejë e kemi bo vazhdimisht ndaj Shpendit. Kështu që ata vetëm na janë bashkëngjit neve, ne e kemi kundërshtuar zgjedhjen e tyre fillimisht kështu që nuk është qe na i kemi ndihmu ata”, tha më tej Çelaj.

Ai ka theksuar se asamblistët e Lëvizjes Vetëvendose e kanë kuptuar të vërtetën në momentin që kanë ndryshuar pozicionin.

“Por ata na kanë ndihmu, ma në fund e kanë kuptu pra në momentin që kanë ndryshu pozicion e kanë pa cila është e vërteta.” ka përfunduar ish kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Lirak Çelaj.

Përndryshe, me këtë bashkëpunim të ish-partisë së tij, Vetëvendosjes me PDK-në dhe LDK-në është shprehur i habitur edhe vet kryetari  i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ky i fundit ka thënë se nuk e ka menduar asnjëherë një bashkëpunim të tillë, duke iu referuar rastit të shkarkimit të Qëndrim Sahitit si aksionar të Ndërmarrjes Publike Banesore.

“Nuk kam menduar asnjëherë që VV do të bëhet bashkë me LDK e PDK në Prishtinë për të shkarkuar një aksionarë dhe pastaj në mënyrë jubilante të fotografohen me ata që deri dje thoshin se e shkatërruan qytetin. Përkundër dallimeve, për neve është e qartë kush ka bërë dëm në qytet e kush e ka luftuar krimin. Po ashtu është e qartë se kush duhet të bart përgjegjësi për keqqeverisjen në shtetin tonë”, kishte potencuar Ahmeti./Indeksonline/