14:44 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Përfundon zvarritja pesë vjeçare, Ismaili ia bartë kompetencat Odës së Mjekëve

Për pesë vite me radhë Oda e Mjekëve të Kosovës ishte lënë në harresë, përkundër miratimit të Ligjit për të. Me ardhjen në krye të ministrisë së shëndetësisë të Uran Ismailit, ai kishte marrë vendim për funksionalizimin e shpejtë të kësaj organizate, si dhe bartjen e të gjitha kompetencave që i takojnë me ligj.

Këtë, ministri Ismaili e ka zyrtarizuar sot, ku pas bartjes kompetencës së mbikqyrjes etike dhe profesionale, sot ua kaloi edhe  kompetencat tjera shtesë që lidhen me licencimin, rilicencimi i profesionistëve shëndetësor vendor dhe edukimin e vazhdueshëm të tyre. Këtë, ministri Ismaili e ka treguar edhe në faqen e tij në Facebook, duke thënë se kjo është një ditë e lumtur për profesionistët shëndetësor.

“Pas pesë vjetëve, Oda e Mjekëve të Kosovës tashmë po merr formën që meriton dhe i takon me ligj. Pasi që bëmë funksionalizimin e kësaj Ode dhe fillimisht si ministër ia barta kompetencën e mbikëqyrjes etike dhe profesionale, sot jam shumë i lumtur, që kësaj organizate ia barta edhe kompetencat tjera shtesë që lidhen me licencimin, rilicencimin e profesionistëve shëndetësorë vendorë dhe edukimin e vazhdueshëm të tyre”, ka thënë ai.

Ministri Ismaili ka bërë edhe shpërndarjen e kartelave të para të anëtarësimit. Në fund, ai tha se këto kompetenca nënkuptojnë angazhim intensiv në mënyrë që reformat të zbatohen në kohë reale.

Temat: