15:19 / E Diele, 28 Janar 2018 / indeksADMonline

Përgjegjësia politike nuk është aventurë politike

Shkruan: Flamur Shala

Betejat politike në Kosovë vazhdojnë të jenë pjesë e jetës politike, të një “skenari” të mundshëm që ndikon drejtpërdrejt në punën, herë avancimin, por edhe pengimin, e institucioneve të larta shtetërore. Aftësia për zbatimin e “skenareve” të mundshme politike në favor të koncensusit politik për zbatimin e proceseve me karakter politik, që do të ndikonin në procesimin e plotë, si rrjedhojë, jodrejtpërdrejt, deri te vendimet me karakter drejtësie, do të përbënte një nga mjeshtritë e sjelljes politike të partive në Republikën e Kosovës.

Koncensusi politik i mundshëm i një shumice, me tendencë të kthimit prapa, do të ishte në kundërshtim me zhvillimin e proceseve dhe pengesë e zhvillimit të marrëdhënieve më të mira me partnerët ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian. Dhe, jo vetëm kaq, do të ishte pengesë e zhvillimit të Republikës sipas parimeve demokratike evropiane, sipas kërkesave evropiane për zhvillimin e marrëdhënieve të mira edhe me fqinjët, mbështetur në këto parime.

Marrëdhëniet me SHBA-të janë specifike dhe duhet të jenë të paprekshme, të pakontestueshme, si përherë.

Betejat politike brenda partive, herë me eksponencë e herë të heshtura, do të duhej të jenë përpjekje për konsolidim brenda tyre. Asnjë përpjekje për “primat” nuk del krejt e shëndoshë; eksponentëve shpeshherë u duket se nuk duken nga jashtë, ndërsa nga brenda “vlon” ambicia për të parin a për të dytin. Si gjithëherë e gjithkah, edhe në zhvillimet tona politike dhe institucionale, ambicia me “megalomani”, për të parin a të dytin, është e dukshme, është e shfaqur dhe e shpërfaqur shpeshherë me vrull.

Do të pritej konsolidimi i vazhdueshëm i partive, të cilat me opozitarizëm “të ҫuditshëm” penguan proceset e mëdha me ndikime politike në Kosovë. Përveҫ pozitarizmit të pamjaftueshëm, është edhe opozitarizmi politik i pamjaftueshëm i partive, i paaftë për të shtyrë përpara procese të domosdoshme, pra jo të kthimit prapa por të ҫuarjes përpara. Opozita e ndikuar nga parti të njohur me veprime ekstreme për nga sjellja politike, nuk është tanimë pengesë vetëm e zhvillimit të proceseve normale në Republikën tonë, por është pengesë e zhvillimit të vetë subjektit a subjekteve, të vetë atyre subjekteve politike që u përpoqën të ndalojnë proceset që do të mund të merrnin udhë me koncensus me karakter bashkëpunimi në mes partive.

Konsolidimi i partive brenda vetes së tyre duhet kuptuar si një premisë për stabilitet politik të Republikës që, duke zbatuar procese, qoftë si detyra, përmes një koncensusi politik të domosdoshëm të partive, qoftë si bindje me koncepte të zhvillimit e të përparimit evropian të Kosovës, të vazhdohet me zbatimin e kërkesave për integrime dhe bashkëpunim ndërkombëtar në të gjitha proceset.

Konsolidimi politik i partive të mëdha, i nevojshëm dhe i domosdodhëm, nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm “qerim hesapesh” për “primat” brenda subjektit. Konsolidimi duhet të jetë një betejë demokratike e cila në fokusin e saj ka në radhë të parë për qëllim ndërtimin e vazhdueshëm institucional të Republikës me shumë njerëz dhe ide të reja për realizimin më të mirë të kërkesave për integrim më të shpejtë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Përpjekja për të “zaptuar” partinë, a për të pasur ndikim të vazhdueshëm grupesh të fuqishme brenda saj, nuk duhet të shndërrohet në aventurë politike me reflektime të drejtpërdrejta benda dhe jashtë subjektit. Ndryshe, përherë ka mundësi për veprime me qasje demokratike ndaj proceseve, qofshin ato zgjedhore brenda subjektit, që mund të nxjerrin ligjitimitetin dhe legalitetin e secilit që ka ambicie politike.

Sjelljet politike partiake me ndikim nuk lënë pa prekur edhe në institucione, nuk lënë pa prekur edhe në istitucione që nuk do të duhej të prekte kurrë dora e politikës.

Një parti e konsoliduar dhe e aftë për veprime politike është a duhet të jetë në favor të konsolidimit instiutcional dhe për vendime të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

Përgjegjësia politike ndaj vendit nuk është aventurë politike, ndërsa ҫdo aventurë politike e partive, nga pozita a opozita, është papërgjegjësi politike ndaj vendit.

Temat: