22:15 / E Hënë, 16 Tetorë 2017

Përmbushet amaneti: Robert Elsie do të varroset në Aplet shqiptare

Albanologu i shquar, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta më datë 2 tetor, ka lënë si amanet që të trupi i tij të prehet në Alpet Shqiptare.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka njoftuar se në përmbushje të amanetit të fundit të albanologut të shquar, Robert Elsie për t’u varrosur në Alpet Shqiptare (në Theth), trupi i tij do të qëndrojë më datë 17 tetor, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00, kur edhe do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në Shkodër.

Gazetarja e “GSH”, Fatmira Nikolli ka konfirmuar se Robert Elsie do të prehet me kostum popullor shqiptar.

Fotografi Roland Tasho i ka dërguar familjes së tij një kostum të zonës së Shkodrës, me të cilin është veshur trupi i pajetë i albanologut.

Robert Elsie u nda nga jeta më datë 2 tetor për shkak të një sëmundje të rrallë, në moshën 67-vjeçare.

Albanologu Robert Elsie është emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit 21.

I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën./dita