19:15 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

“Përplasja” Pacolli-Thaçi për ambasadorin e Malit të Zi, vije njoftimi nga MPJ-ja

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me shkrimet e publikuara sot në disa media se Ministri, Behgjet Pacolli ka kundërshtuar të parin e shtetit, Hashim Thaçin për dekretin e ambasadorit të Kosovës në Mal të  Zi, Skender Durmishin.

Në një prononcim për “Indeksonline”, këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberaj  ka demantuar një lajm të tillë.

Sipas tij, nuk ka asnjë përplasje mes Presidentit, Thaçi dhe Pacollit lidhur me këtë çështje.

“Jo nuk është aspak e vërtetë. Ne kemi bashkëpunim korrekt me institucionet e shtetit dhe të gjitha institucionet e tjera pra nuk ka kurrfarë keqkuptimi në asnjë mënyrë. Janë çështje që i trajtojmë në baza ditore në funksion të konsulidimit dhe të fuqizimit të funksioneve tona, por absolutisht asnjë keqkuptim e as përplasje nuk ka në atë drejtim”, ka thënë Zymberaj për “Indeksonline”.

Ndryshe, në media u publikua edhe një dokument  që thuhet t’i ketë dërguar Pacolli Thaçit ku ka kërkuar që ta shfuqizojë vendimin për tërheqjen e Skender Durmishit nga Mali i Zi.

“Pas analizimit të serishëm të gjendjen aktual në shërbimin e jashtëm, si dhe duke pasur parasysh dekretet për tërheqjen e ambasadorëve/shefave të misioneve diplomatike, të nxjerra me datës 09.03.2018, me qëllim të ruajtjes së balancit në kuadër të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, kërkoj nga ju që të shfuqizoni dekretin nr.DTD-010-2018, 06.04.2018 për tërheqjen nga misioni diplomatik të Z.Skender Durmishi, dhe rrjedhimisht të mbetet në fuqi dekreti i mëhershëm, sipas të cilit z.Skender Durmishi vazhdon të shërbejë si Ambasador/Shef I Misionit të Republikës së Kosovës në Republikën e Malit të Zi”, thuhej në këtë dokument.

Kujtojmë, se Skender Durmishi ishte emëruar ambasador në Mal të Zi në korrik të vitit 2016./Indeksonline/