12:26 / E Enjte, 14 Qershor 2018

Përurohet segmenti i tretë i autostradës ‘Arbën Xhaferi’, projekti drejt përfundimit (Foto)

Ministria e Infrastrukturës ka përuruar sot segmentin e tretë të Autostradës “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit.

Në ceremoninë që u mbajt në Doganaj të Kaçanikut, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli  theksoi se ky është një projekt i jashtëzakonshëm që ofron Kosovën me Evropën.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij tha se deri më 28 nëntor do përfundojë ky projekt dhe se Kosova do jetë më afër Maqedonisë dhe qytetarët e saj do lëvizin lirshëm.

“Ndoshta dy dekada më parë askush nuk e kishte besuar këtë fakt, sot në Kosovë është realitet. Arbën Xhaferi është duke hedhur shtat. Besoj që deri me 28 nëntor do të afrohemi me Maqedoninë. Presim që deri në fund të vitit qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm, jemi të sigurt për këtë.  Kjo është Kosova jonë moderne, Kosova do të jetë lidere e transformimit modern në Ballkan”,  tha Haradinaj.

Sipas tij, investimet në infrastrukturë të Kosovës janë të shtrenjta, por e ndryshojnë ekonominë e vendit.

“Gëzimi i sotëm për mua është për gjysmë, sepse e di që gëzimi është i plotë kur përfundon komplet. E di që ku takohemi atje do të jemi më të gëzuar. Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta, por e ndryshojnë ekonominë e vendit. Një parametër kryesor për investime është koha dhe kohën e shkurton infrastruktura. Është me rëndësi që Kosova të jete e përgjegjshme t`i përfundoj projektet me kohë. Me këtë i kemi dhënë edhe imput zhvillimit ekonomik”, ka shtuar Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj vlerësoi se me përurimin e segmentit të tretë projekti për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, po shkon drejt përfundimit.

“Me moton ‘jo shpejtësisë, por sigurisë’, jemi takuar në këtë ditë të veçantë që të bëjmë përpunimin e këtij segmenti prej 11 km, që i bie të jetë segmenti i parafundit. Ashtu si sot para 7 muajsh jeni të lumtur që po përmbyllim një projekt gjigant. Jemi duke shkuar drejt kompletimit të kësaj autostrade që do të jap rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik. Këtë rrugë me standarde e siguri të lartë e bëjmë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht. Ne prapë do të jemi bashkë për të përuruar urën më të gjatë në rajon”, tha Lekaj.

Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, tha se Kosovës i duhen rrugë të mira për të ndërtuar marrëdhënie më të mira me rajonin.

“Kurrë s`kam ardhur nga Prishtina më shpejt këtu. Në këtë dhjetor do ta përfundoj segmentin e fundit dhe kjo është një arritur e madhe. Kosovës i duhen rrugë të mira për të ndërtuar marrëdhënie të mira me rajonin. Kompanitë në Kosovë po marrin eksperiencë të mirë në ndërtimin e rrugëve. Projektet e tilla nuk janë të lira, por e falënderoj qeverinë  për punën që kanë bërë”, ka thënë Delawie. /Indeksonline/