15:35 / E Hënë, 19 Mars 2018 / indeksADMonline

Pezullohet greva e përgjithshme e Prokurorisë Speciale

Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale ka pezulluar përkohësisht grevën e përgjithshme, pas takimit që grevistët kanë pasur me kryeprokurorin e Prokurorisë speciale, zëvendësprokurorin si dhe drejtorin e Sekretariatit të këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilët kanë premtuar se do të bëjnë çmos për realizimin e kërkesave të tyre.

Kërkesat e grevistëve janë kthimi i shtesës në mënyrë retroaktive nga 1 janari i këtij viti, garantimi i kësaj shtese si shtesë e përhershme duke rregulluar një herë e përgjithmonë këtë çështje, pa marrë parasysh ngritjen apo mos ngritjen e pagave të prokurorëve.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi Hekrem Latifi, i cili ka bërë të ditur se kanë pezulluar grevën deri në një afat të pacaktuar.

Grevistët kishin thënë se greva do të mbahet për shkak të mos përmbushjes së stimulimit në paga të cilat janë të parapara me Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).