22:32 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Policia jep detaje për drogën e kapur në Merdare

Policia e Kosovës, respektivisht njësitet antidrogë, pas angazhimeve të vazhdueshme në rrugë hetimore dhe operative, në bashkëpunim me njësitet relevante, sonte pasdite me datë 28.03.2018, në Merdare, në dalje të Republikës së Kosovës për në Serbi, gjatë realizimit të një operacioni policor ka ndaluar një veturë të dyshimtë dhe pas kontrollit të detajuar me njësitet kompetente dhe atyre doganore, ka gjetur dhe konfiskuar sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sipas një njoftimi për media, Policia ka thënë se sasia e drogës do të saktësohet pas matjes përfundimtare, megjithatë sipas vlerësimeve fillestare aty gjendet sasi rreth 27 kg drogë të konfiskuar, transmeton Indeksonline.

Dy persona të dyshuar se janë të involvuar në rast janë arrestuar nga Policia dhe veprime tjera bazuar në procedura ligjore janë në proces.

Policia ka njoftuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negativ në vend dhe në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet kundër trafikimit me substanca narkotike./Indeksonline/