22:03 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Policia me 38 modele të automjeteve

Policia e Kosovës ka në dispozicion gjithsej 1 mijë e 546 vetura. Ato janë nga më të ndryshmet e që zyrtarisht thuhet se u takojnë 153 tipave dhe 38 modeleve të ndryshme. Por shumë prej tyre janë të dëmtuara e më shumë kilometra të kaluara.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ndër rekomandimet e shumta që i ka bërë Policisë së Kosovës, ka qenë edhe ai ku u është kërkuar komandantëve të stacioneve që të ushtrojnë kontroll më të shpeshtë mbi përdoruesit e automjeteve dhe zyrtarëve kompetent të mirëmbajtjes, në mënyrë që automjetet gjatë  ekspozimit në rrugë të paraqesin imazh pozitiv para qytetarëve.

Nga shifra e përgjithshme e veturave që posedon Policia, 400 prej tyre mund t’i gjeni në Flotën Operative të Automjeteve për arsye të problemeve teknike.

“Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të ndryshme që posedon Policia e Kosovës, prej tyre rreth 400 janë jashtë përdorimit dhe janë në proces për tjetërsim pasi që janë të dëmtuara”,  është thënë në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Indeksonline.

Policia ka treguar edhe formën se kur automjetet zyrtare largohen nga përdorimi.

“Në rastet kur automjetet e dëmtuara apo me defekte vlerësohet se nuk riparohen dhe nuk i plotësojnë kushtet për qarkullim, ato menjëherë ndalen nga qarkullimi, parkohen në Bazën e Flotës Operative të PK-së dhe procedohen për tjetërsim. Varësisht prej planifikimeve dhe nevojave operacionale PK-ja furnizohet me vetura te reja”, është thënë në përgjigjen e ZIMP.

Në Inspektoratin e Policisë thonë se numri i përgjithshëm i veturave që ka në dispozicion Policia e Kosovës arrin shifrën e 1 mijë e 546 automjeteve, të cilat përfaqësohen nga 153 tipe dhe 38 modele teksa mesatarja e përdorimit të automjeteve arrin në rreth 190 mijë km të kaluara për çdo automjet. Në numrin prej 1 mijë e 546 automjeteve që buron nga të dhënat e muajit korrik 2017, nuk janë përfshirë 26 rimorkio, të cilët nuk kanë matës të kilometrave dhe nuk u dihen kilometrat e kaluara gjatë përdorimit të tyre./Indeksonline/